/ATSH/.- Këshilltari i kancelares Angela Merkel, Otto Kentzler dhe kryetari i Unionit të Odave në Gjermani, Wilhelm Hicking, këshilluan sot kosovarët që të vazhdojnë rrugën e arsimimit profesional.

Sipas KosovaPress, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi mes Odës Ekonomike të Kosovës, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Memorandumit të Bashkëpunimit mes Odave, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se "Kosova është e vetëdijshme për kontributin që ka dhënë Qeveria Gjermane para luftës gjatë luftës dhe pas luftës".

"OEK-u mendon se rrugëtimi drejt familjes evropiane duhet të mbështet me integrim ekonomik, dhe integrimi ekonomik, siç ka thënë ai, mbështet me zhvillim ekonomik. Ndërsa përvoja e Qeverisë gjermane në këtë drejtim u vlerësua se do të jetë në funksion të ardhmërisë së Kosovës", theksoi Gërxhaliu.
Ai tha se "në të ardhmen presin edhe investime nga kompanitë gjermane në Kosovë, deri sa ka shtuar, se tani për momentin, nuk janë të kënaqur me investimet e Gjermanisë, duke thënë se Kosovës i duhet brendi dhe ajo që reflekton nga ekonomia gjermane".

Ndërsa Otto Kentzler, kryetar i Unionit të Odave në Gjermani dhe këshilltar i kancelares Angela Merkel dhe Wilhelm Hicking, thanë se "ne jemi shumë të interesuar që arsimi profesional në Kosovë të ketë domethënie të veçantë".

Kentzler shprehet se pas disa bashkëpunimeve me Odën Ekonomike të Kosovës, është mundësia që të rinjtë të bëhen kureshtarë për zejtarinë dhe me profesione të tjera të angazhohen drejt të ardhmes së tyre profesionale.

Ai tha se aktualisht në Gjermani janë 25 kosovarë, të cilët janë duke u kualifikuar në profesionet e tyre me sukses, në tetë drejtime të ndryshme në mbështetje të Qeverisë Gjermane, ndërkohë që tani po përgatitet një grup tjetër që do të studiojë në Gjermani.

Fadil Ismajli, ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik në Kosovë, tha se "është me rëndësi tek investitorët të përçohet një mesazh që Kosova është e hapur për ide të reja për aktivitete të reja dhe se ka çka të ofrojë".