TIRANE- Sasia prej 250 kg kokainë e bllokuar në Malin e Zi kishte si destinacion qytetin e Fierit. Një fakt të tillë e ka treguar para prokurorëve kolumbiani me shtetësi spanjolle Cesar Augusto Pelaez, i arrestuar disa ditë më parë në aeroportin e Rianasit në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

Sipas këtij shtetasi, ai ishte kontaktuar në Bogota nga dy persona, të cilët i kishin thënë që të shkonte në Shqipëri për të marrë një pagesë prej 1 milion euro, shumë nga e cila ai do të përfitonte 200 mijë euro, nëse operacioni për trafikimit të sasisë prej 250 kg kokainë do të rezultonte me sukses. Kolumbiani ka treguar se ai nuk ka dijeni se kush është përfshirë në këtë trafik droge me intenerar Kolumbi, Itali, Mali i Zi dhe më pas Shqipëri, duke pranuar se ai kishte vetëm rolin e personit që do merte paratë nga shtetasit shqiptarë.

Sipas burimeve të prokurorisë, sasia prej 250 kg kokainë ishte fshehur brenda kontejnierit me banane që ishin porositur nga kompania “Rrapo Company” e administruar nga biznesmeni Dritan Rrapaj. Gjatë marrjes në pyetje të këtij të fundit, ky s’ka pranuar asnjë nga pretendimet e prokurorisë dhe policisë duke pohuar se kishte porositur banane dhe jo kokainë. Edhe gjatë ushtrimit të kontrollit në magazinën e tij, nuk është gjetur asnjë gramë drogë.

Bisedat me shqiptarin
Për të kryer transfertat e parave kolumbiani ka qëndruar tre muaj në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në disa hotele në Tiranë, ndërkohë që ka mbajtur kontakte me një shqiptar që mendohet se ishte porositësi. Të paktën me të ka folur plot 4 herë në telefon, por nuk është takuar asnjëherë fizikisht. Aktualisht prokuroria është në fazën e verifikimit të këtij personi. Ndërkohë sipas kolumbianit bllokimin e drogës e kishte mësuar në televizorin e hotelit dhe menjëherë ka menduar se bëhej fjalë për çështjen e tij. Ai menjëherë ka vendosur të largohet nga Shqipëria por është arrestuar në 9 qershor në Rinas.

1 milion euro
Shtetasi kolumbian ka treguar para hetuesve se para se të vinte, është kontaktuar në Bogota të Kolumbisë nga dy persona. “Njërin prej tyre e njihja dhe kisha punuar edhe herë tjetër për të në transportimin e parave. Ata më thanë të vija në Shqipëri, ku do të merrja këstin e parë, të një sasie droge, që do të vinte këtu. Shuma që do merrja varionte nga 600 mijë deri në 1 mln euro dhe për këtë punë, unë do të fitoja 200 mijë euro, nëse realizohej me sukses. Para se të nisesha, ata më dhanë një numër telefoni, që kur të mbërrija në Shqipëri, t’i telefonoja nga hoteli“-ka dëshmuar kolumbiani.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)