Ai ishte babai i dy fëmijëve dhe një njeri i dashur dhe respektuar për të gjithë komunitetin vlonjat, por edhe më gjerë për atë që dha në fushën e blertë gjatë viteve si futbollist, por edhe si drejtues i spikatur. Pas ceremonisë së varrimit presidenti i FSHF, Armando Duka u shpreh se futbolli ka humbur një njeri të pazëvendësueshëm.
"Të gjithë jemi të pikëlluar nga ndarja nga e jeta e mikut dhe shokut tonë Alfred Zijait. Ai ka qenë një nga futbollistët më të mirë të Flamurtarit dhe ekipit kombëtar të futbollit. Kjo është ngjarje e hidhur për të gjithë futbollin shqiptar. Ngushëlloj familjen për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe lutem që dhimbjen ka kthejmë në forcë" shprehet Duka.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika deklaron se kjo ishte beteja e vetme që ka humbur Zijai. " Fredi sot ka humbur betejën dhe ndeshjen më të rëndësishme të tij. Ai la pas një emër që nuk do të harrohet kurrë në Vlorë për atë që ka dhënë në ekipin e Flamurtarit". Në ceremoninë e varrimit të pranishëm kanë qenë edhe miqtë e fushës, mes tyre Vasil Rusi, i cili kujton me dhimbje momentet më të bukura që janë kaluar së bashku. "Për ne është një humbje e madhe, humbëm vëllain tonë më të mirë.
Fredi ka qenë shpirti dhe zemra jonë në fushë dhe jashtë saj në shoqëri. Janë të shumta momentet që kemi kaluar së bashku, ai ka qenë legjendë dhe mbret për ne dhe të gjithë Vlorën" thotë Ruci.
Dylber Balla
