TIRANE- Në vëmëndjen e agjentëve të Shërbimit Informativ Shtetëror ndodhet dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ky i fundit është sulmuar gjatë kohëve të fundit nga Partia Demokratike si i implikuar në procesin e numërimit të votave për llogari të Partisë Socialiste.

Kjo është vetëm njëra akuzë, që dhe vetë PD e ka ditur që ditën e emërimit të tij në kryer të Policisë së Shtetit. Drejtoria KKON (Kundër Krimit të Organizuar dhe Narkotikëve) u kërkon agjentëve të saj informacion për kryepolicin Didi dhe dhjetëra efektivë të policisë, të dhëna rreth të kaluarës së tyre, veprimtarisë kriminale që kanë pasur dhe kohën kur janë rradhitur në rradhët e policisë.

Një burim i SHISH, i tha gazetës “Shqiptarja.com” se veç Artan Didit dhe shumë drejtorëve të tjerë në polici, informacion është kërkuar për Adrian Liçaj, shefin e antidrogës në Policinë e Vlorës dhe Ilir Rrokaj shefin e qarkullimit në këtë drejtori. Një drejtori e SHISH është vënë në shërbim të PD.

Pozicioni i Rrokaj
Synimi i vjeljes së informacionit mbi efektivët e Policisë së Shtetit është ngritja e akuzave politike për të akuzuar Policinë e Shtetit. Të tre emrat që gazeta “Shqiptarja.com” ka mësuar, pra Artan Didin, Adrian Liçaj, janë akuzuar nga zyrtarë të PD publikisht, ndërkohë që nga një verifikim i gazetës lidhur me emrin e Ilir Rrokaj, shefit të qarkullimit në Vlorë, për të cilin SHISH ka kërkuar informacion, rezulton se ai është përjashtuar në vitin 2004 nga rradhët e policisë.

Motivi i përjashtimit të tij, ka qënë për shkak se ishte i afërm i njërit prej organizatorëve kryesorë të trafikut të klandestinëve dhe shkaktarëve të tragjedisë së 9 janarit. Që prej asaj kohe mësohet se Rrokaj nuk është futur në punë, ndërsa burime pranë policisë Vlorë, sqarojnë se Ilir Rrokaj është kthyer në detyrën e shefit të qarkullimit në Vlorë, dy muaj më parë. Pikërisht ky rast, duket se lidhet me detyrat e posaçme që agjentët e SHISH kanë marrë për këtë person.

Sulmi për Liçaj
Shefi i antidrogës Adrian Liçaj pak ditë më parë u sulmua publikisht nga kreu i grupit parlamentar të PD Edi Paloka. Ky i fundit e akuzoi publikisht Liçaj se në 1997 ka qënë ushtar i Zani Çaushit, duke akuzuar direkt dhe ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, për emërimin e këtij personi me precedent penalë në rradhët e policisë. Paloka, paraqiti dhe një video, ku shfaqej Liçaj duke ju afruar Zani Çaushit, i cili mbante në duar një kallashnikov.

Mirëpo menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar efektivi i policisë Adrian Liçaj, i cili ka pohuar se nuk ka qënë “ushtar” i Zanit, por punonjës policie që negocioi me Zani Çaushin për lirimin e urrës së Mifolit. Pak ditë më parë Liçaj, ju drejtua gjykatës së Tiranës ku paditi për shpifje deputetin Edi Paloka, duke i kërkuar këtij të fundit 50 milin lekë të vjetra për dëmin e shkaktuar.
 
SHISH punë operative në shërbim të komisionit
Ngritja e komisionit hetimor parlamentar për të verifikuar ligjshmërinë e emërimeve në Policinë e Shtetit, duket se ka mobilizuar një strukturë të plotë të Shërbimit Informativ Shtetëror për të vjelë informacione rreth këtyre lëvizjeve. Kohët e fundit kryetari i këtij komisioni hetimor, ka dalë në media me fotografi të ndryshme, ku ka akuzuar ministrin e Brendshëm Tahiri dhe efektivë policie si të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Veç kësaj në disa dalje publike, Ristani dhe deputetit Flamur Noka, kanë akuzuar dhe lidhjen e shefave të komisariateve me eksponentë të krimit dhe deputetë të Partisë Socialiste. Pritet që javën e ardhshme komisioni hetimor të zhvillojë mbledhjen e rradhës për të shqyrtuar shkeljet e kryera në Policinë e Shtetit.

Ngritja e këtij komisioni është bërë me 106 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenim, Kuvendi miratoi kërkesën e grupit parlamentar demokrat për ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e emërimeve në Policinë e Shtetit nga shtatori deri në 31 janar. Siç duket menjëherë pas këti vendimi SHISH, ka vënë në dispozicion Drejtorinë e KKON për mbledhjen e të dhënave të drejtuesve të policisë në qarqe, shefave të komisariateve, atyre të rendit dhe krimeve.  
 
 Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)