Përmet, Mane: Secili të marrë
përgjegjësitë, për të gjetur zgjidhje

Përmet, Mane: Secili të marrë<br />përgjegjësitë, për të gjetur zgjidhje
PERMET- Pas përplasjeve të ditëve të fundit në Përmet për godinën ku më parë ka qenë Pallati i Kulturës dhe prej disa vitesh është vendosur Kisha, ka reaguar edhe Drejtori i Kulturës në Bashkinë Përmet, Bledar Mane, i cili është pezulluar nga detyra. Në reagimin e tij në faqen e rrjetit social “Facebook”, Mane thotë se “në detyrën e Drejtorit të Kulturës pranë bashkisë Përmet para 2 javësh, ka kërkuar dhe firmosur zyrtarisht zbatimin e vendimit të gjykatave shqiptare në kthimin e Pallatit të Kulturës”.
 
Por duke u nisur nga agravimi i situatës dhe përplasjet e krijuara mes përmbarimit, bashkisë së qytetit dhe klerit ortodoks, drejtori i pezulluar i Kulturës në bashkinë Përmet, bën thirrje që t’i jepet fund kësaj situate dhe të gjendet një zgjidhje, ku secili aktor përgjegjës të marrë përgjegjësitë e veta.
 
“Jam personi që me detyrën e Drejtorit të Kulturës pranë bashkisë Përmet para 2 javësh, kam kërkuar dhe firmosur zyrtarisht zbatimin e vendimit të gjykatave shqiptare në kthimin e Pallatit të Kulturës. Duke parë agravimin dhe degradimin e situatës kërkoj publikisht:
- Klerikët ortodoksë të ndalin gjuhën e mallkimeve dhe shkishërimeve.
- Kryetari i bashkisë Përmet të kthehet urgjentisht nga pushimet e tij të sforcuara e të marrë situatën në dorë.
- Forcat e policisë private "Aulona" të ndalin klimën e terrorit që kanë mbjellë në qytet dhe të gjejnë një gjuhë tjetër komunikimi me qytetarët.
- Policia e Shtetit të mos luajë rolin e një vëzhguesi indiferent, por të qetësojë situatën”, shkruan Mane.
 
Duke vënë u ndalur tek “lidhjet konspirative që po vishen kësaj ngjarje”, Mane thotë se duhet treguar maturi dhe kthjelltësi nga të gjithë, duke theksuar se kleri përmetar nuk mund dhe nuk duhet të ketë ndikime të jashtme, dhe “të mos bëhen vegla të askujt”.
 
“Lidhjet e shkurtra dhe konspirative që po i vishen kësaj ngjarjeje të ndalin sepse kurrë asnjëherë ortodoksia përmetare, sunizmi përmetar, bektashizmi përmetar nuk kanë qenë e nuk do të jenë vegla të Greqisë, Turqisë apo Arabisë. Kleri përmetar ka bërë histori me identitetin e tij të pastër nacionalist. Përmetin dhe kontributin e tij në sagën e gjatë të shtetformimit shqiptar nuk e tjetërson dot askush, as veladonët e priftërinjve, as grykësia dhe cinizmi i kryebashkiakëve, as orekset e ndonjë ndërtuesi, as dhuna sporadike e ndonjë horri me uniformë policie private. Maturi dhe kthjelltësi. Le të marrim përgjegjësitë tona mbi vete e të ulemi të ngremë bashkë urën e një zgjidhjeje permanente e cila të kënaqë të dyja palët. Një kishë dhe një qendër kulture kacafyten mes tyre me mallkime dhe dhunë. Ka sens kjo lloj bashkëjetese perverse? Aq më keq kur bëhet fjalë për përmetin. Toleranca dhe pragmatizmi lindën këtu, në këtë qytetin tonë të bekuar! Faleminderit nga Bledar Mane, drejtori i pezulluar i Departamentit të Kulturës pranë bashkisë Përmet”, përfundon Mane reagimin e tij.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvendosin takimin në Bruksel në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Orban

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvendosin takimin në Bruksel në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Orban