Kur më von vajti Sotir Vullkani, Zef Mala e Niko Xoxi nuk e pranuan. Atëhere Sotiri u detyrua të krijoi një organizatë tjetër me Faik Mirakun, në atë kohë student dhe sot në Itali, Petrit Deshnicën në atë kohë student dhe sot nëpunës në Ministrin e Jashtëme dhe Vojo Kushi. Këtyre ju ngarkua që të punojnë për zgjerimin e organizatës. Në Korçë u formua komiteti i qytetit me në krye Mihal Lakon dhe me anëtarë Trajan Koleci, rrobaqepës dhe sot në kooperativën e rrobaqepësve, A.P. Nesti Gambeta e tjerë. Në Tiranë u krijua lidhja me elementa të tjerë si Niko Laçin, student sot nëpunës në P.T.T., Nasi Marjanin, student sot në Ministri të Industrisë, Anastas Lulja, Sadik Premtja, Qazim Prishtina, student sot në Ministrin e P. Botore, Ramadan Çitaku, student, Elami Hado, sot në Jugosllavi dhe Pandi Tushi (ose Kristo), nëpunës i gazetës Drita dhe sot në burg e tjerë. Në fakt personat e mësipërmë në shumicën e tyre nuk ishin të grupit të Korçës, por grupi kujtonte se ishin të tijtë.
Përpjekjet e grupit për t’u lidhur me Kominternin. Në bazë të porosive të Miloradit, grupi, kur të plotësonte detyrat e ngarkuara prej tij, duhej të bënte përpjekje për të marë lidhje me Kominternin. Për këtë qëllim,në fillim të 1937 grupi dërgoi në Stamboll Koçi Xoxen, me qëllim që atje të vijë në kontakt me Konsullatën Sovietike. Mirpo, mbasi atje nuk mori asnjë përgjigje, u detyrua të kthehet përsëri dhe mbas dy tre muajsh u dërgua në Francë që të marrij lidhje me Ambasadën Sovietike, atje, duke patur me vehte edhe vendimet e komitetit. Legata Sovietike e pranoi dhe e siguroi që në Shqipëri do të dërgohej një element nga ana e Kominternit, dhe se grupi duhet të punonte mbas udhëzimeve që do t’i jepte ay.
Ardhja e Andrea Zisit dhe takimet e tij me grupin e Korçës. Në fillim të 1937 erdhi në Shqipëri prej Athine Andrea Zisi. Ky vetë reklamua si i dërguari P.K.SH. që gjoja qe formuar në Greqi, dhe si një njeri i mveshur me kompetenca për të pajtuar mos marëveshjet midis grupeve të ndryshme dhe për t’u shkrirë këto në partinë e formuar. Andrea Zisi kishte me vehte disa bileta kuotizacioni për partinë. Çdo biletë kishte këto tre parulla: “Kryetari i Partisë duhet të ketë trimërinë e Skënderbeut, diturin e naim Frashërit dhe guximin e Avni Rustemit” dhe përposh emrin e P.K.SH. me pseudonimin “Zjari” dhe vulën.
Andrea Zisi, duke kuptuar se do të haste në rezistencë nga ana e grupit të Korçës, nëfillim evitoi takimet me elementa të këtij grupi, duke ardhur në kontakt vetëm me Niko Xoxin dhe shokët e tij. Me këto Andrea Zisi deshte të siguronte një bazë mbështetjeje, që në këtë rast do të ishte fraksioni i Niko Xoxit që ideollogjikisht ishte shumë afër tij, në mënyrë që të siguroi më tepër autoritet, mbasi përveç biletave, e ndjente që pas tij s’kishte asnjë forcë tjetër.
Pas kësaj Andrea Zisi mori në lidhje dhe me shokët e ndryshëm të grupit të Korçës si Mihal Lako, Sotir Vullkanin, Stefo Grabockën, Pilo Peristerin e tjerë. Këtyre u kërkoi që të zgjidhin mos marëveshjet e tyre me fraksionin e Niko Xoxit dhe të bashkohen përsëri. Njëkohësisht u njoftoi mbi formimin e P.K.SH. dhe mbi vendimin e saj që të shkrihen grupet me këtë parti.
Grupi i Korçës nuk e pranoi formimin e s’ashtuquajturës P.K.SH. duke thënë se ata kanë parasysh udhëzimet e fundit të Kominternit, simbas të cilavet, konditat nuk konsideroheshin akoma si të pjekura për formimin e një partie. Por sidoqoftë grupi i Korçës u tregua i gatshëm që të bashkëpunoi edhe me Andrea Zisin dhe grupin që ay përfaqësonte në rast se ay do t’i nënshtrohesh vijës së grupit të Korçës, të caktuar prej Kominternit, si edhe me Niko Xoxin, po qe se ay njifte gabimet e tij dhe pranonte vijën e grupit.
Si përfundim të këtyre bisedimeve, në gusht të 1937, në shtëpi të Ilo Trebickës, u bë një mbledhje, në të cilën mernin pjesë nga grupi i Korçës Mihal Lako, Sotir Vullkani dhe Stefo Grabocka, nga fraksioni i Niko Xoxit, Nikua, Ndreko Trebicka dhe Ilo Trebicka, dhe nga ana e s’ashtuquajturës P.K.SH. Andrea Zisi.
Mbldhja mori në shqyrtim çështjen e Niko Xoxit, dënoi gabimet e tij, por nën presionin e Niko Xoxit dhe të Andrea Zisit, shokët e grupit të Korçës ranë përsëri në pozitat e një autokritike, duke pranuar dhe për llogari të grupit të Korçës se nuk ka mbajtur gjak ftohtësin e duhur karshi Niko Xoxes. Përsa i përket qëndrimit të grupit të Korçës karshi partisë së Andrea Zisit, partia nuk u pranua, por u theksua përsëri tema e grupit se mund të bashkëpunoj me çdo grup tjetër që pranon vijën e tij.
Në këtë mbledhje Andrea Zisi nuk mundi të realizoi qëllimet e tij që ishin nënshtrimi i grupit të Korçës ndaj vijës së tij prandaj të nesërmen grisi proçes verbalet e mbledhjes përpara njerëzve të grupit të Korçës, duke thënë se partia nuk mund të pajtohet me këto pikpamje. Që atëhere as ay as edhe Niko Xoxi nuk ndërmuarnë ndonjë tentativë tjetër bashkëpunimi.
Ardhja e Koço Tashkos në Shqipëri si i deleguar i Kominternit – vija e re (1937). – Në fund të vitit 1936 dhe fillim 1937 në Moskë, me anëtarët e Grupit Komunist Shqiptar atje u bë një mbledhje për të shqyrtyar gjendjen e Lëvizjes Komuniste në Shqipëri dhe për të caktuar programin e saj. Në këtë asistonin: Koço Tashko, Sejfulla Malëshova, Llazar Fundua, Halim Xhelo dhe Ali Kelmendi. Mbledhja kryesohej prej Ëilhelm Pieck dhe në të asistonin edhe përfaqësonjës të tjerë të seksionit Ballkanik.
Në diskutimet e saj mbledhja mori për bazë raportin e shokut Ali Kelmendi, i cili qe kthyer nga Shqipëria dhe raporte të tjera, dhe mbasi bëri kritikën dhe analizën e punës vendosi që:
1. Për pjesën organizative:
a) U caktua një Komitet i ri Qendror, i cili do të udhëhiqte punën sipas vijës së re. Bërthama Komuniste e këtij Komiteti përbëhej prej 5 vetash: Ali Kelmendit, Demir Kodhelit, Mafuz Lazes, Koço Tashkos dhe një elementi tjetër, i cili do të zgjidhej nga organizata e Korçës, mbasi ajo konsiderohej prej Kominternit si mjaft e zhvilluar dhe e lidhur me masat, sa që të mund të zgjedhij demokratikisht pjesëtarin e saj në komitet.
Komiteti duhej të zgjerohej, duke përmbledhur njerëz të ndershëm pa parti që pranonin programin, por bërthama e tij do të ishte prej komunistash.
Këtë herë u theksua se Komiteti Qendror duhet të ndodhet në vendin e lëvizjes bashkë me organizatat që udhëhiqte dhe nuk lejohej më që anëtarët e tij të qëndronin jashtë Shqipërisë si përpara.
Komiteti Qendror sigurisht ishte ilegal, por anëtarët e tij duhej të ishin persona, të cilët të kishin mundësi të legalizojnë qëndrimin e tyre në Shqipëri.
b) Gjith celulat do të shpërndaheshin dhe anëtyarët e tyre do të hynin në shoqëritë legale të masavet e në aktivitete të tjera legale. Të bëhesh një përfshirje sa më e gjerë e njerëvze pa parti e macionalistave të ndershëm në radhët e aktivistave që nga posht deri në organin më të lartë të lëvizjes. Lidhjet me aktivistat dhe ish anëtarët do të ishte individuale që nga posht e gjer në krye dhe në formë piramidale.
c) Të botohesh një buletin për stërvitjen dhe udhëzimin e aktivistave më të mirë.
2) Për pjesën e programit dhe të taktikës.
a) Programi përmblihej në dy pika kryesore:
- Mbrojtja e të drejtave demokratike të popullit.
- Mbrojtja e të drejtave nacionale të popullit.
Taktika duhej të ishte kjo: rregjimi dhe politika e tij nuk do të atakoheshin me goditje frontale, por grupi duhej të bazohej në kërkesat më elementare të popullit, sidomos në ato ekonomike për të udhëhequr masat popullore në zbatimin e programit të tij. Për këtë qëllim duhet të shfrytëzoheshin të gjitha mundësitë legale që aprovonin ligjet e Zogut si p.sh. organizatat, institutet, shoqëritë e masave dhe çdo mjet tjetër legal që lejonte regjimi.
Përpara kërcënimit të indipendencës kombëtare nga fashizmi Italian, grupi duhej të parashikonte edhe mundësitë e një bashkëpunimi me Zogun, me konditë që ky me të vërtetë të luftonte.
Kjo vijë hidhte bazat e një pune të gjërë në radhët e masavet, që do të krijonte më vonë konditat për formimin e një partie si dhe bazat e formimit të një fronti popullor për aktivizimin e masavet në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të tyre ekonomike dhe të mbrojtjes së indipendencës së vendit. Por nuk u zbatua, veç se pjesërisht nga ana e grupit të Korçës.
Ardhja e shokëve të Komitetit Qëndror nga Moska – marja e kontakteve me grupin e Korçës – gjendja politike e vendit.
Nga Moska u nisën për në Shqipëri Koço Tashkua dhe Ali Kelmendi.
Koçua mundi të kthehej, ndërsa Aliu vdiq në Paris. Para këtyre, më 1935-36 kanë ardhur në Shqipëri me rrugën legale Demir Kodheli, Tajar Zavalani, Mafuz Lazeja dhe Ali Kelmendi, i cili në fund të 1936 u kthye përsëri në Moskë. Gjithashtu në rrugën ilegale kanë ardhur Selim Shpuza dhe Halim Xhelua, por të cilët u diktuan shpejt dhe i pari mundi të legalizojë qëndrimin e tij, ndërsa i dyti i ndjekur, u detyrua nga fundi i 1936 të kthehet përsëri në Moskë. Me vdekjen e Ali Kelmendit, Komiteti Qendror mbeti me katër veta.
Koço Tashkua në fillim erdhi në kontakt me Pilo Peristerin dhe pas tij me Mihal Lakon i cili ishte përgjegjësi i grupit, nëpërmjet këtyre mori kontakt me grupin dhe ushtroj vijën e re, njëkohësisht edhe të drejtën që i kish dhënë Kominterni për të zgjedhur anëtarin e pestë.
Grupi i Korçës mori në studim udhëzimet e reja të Kominternit dhe me pak hezitime në fillim përsa i përket shpërndarjes së celulave, mbasi grupi kujtonte se celulat e qytetit dhe të rethit të Korçës ishin të lidhura me masat dhe prandaj edhe mund të qëndronin, vendosi pranimin e plotë të tyre. Vendimet e mara prej grupit ishin:
a) Të shpërndahen organizatat e grupit me masat, simbas udhëzimeve.
b) Qe si pjestar i pestë në Komitetin Qendror nga ana e grupit të Korçës të caktohesh Mihal Lakua, përgjegjësi i grupit.
c) Përveç këtyre, grupi studjoi mundësitë legale të disponuara prej regjimit të Zogut që mund të shfrytëzoheshin si edhe organizatat e masave ku mund të punohej. Këto ishin: këshillat e lagjeve, këshilli i bashkis, këshilli i dhomës tregëtisë, këshilli i kishës, grupet para ushtarake, shoqatat e rinis jashtë shkollore, shkollat (veçanërisht të mesmet), organizatat e zejtarëve dhe punëtorëve, shtypi legal.
Grupi i Korçës kishte në drejtimin e tij gjith këto organizata. Prandaj tani nuk mbetej gjetër gjë veç se të zgjerohet dhe të thellohet puna në baza të programit të ri e të taktikës dhe organizimit të ri.
ç) Një vendim tjetër i organizatës ish që Mihal Lakua me Koço Tashkon të shkonin në Tiranë për tëmarë kontakt me njerëzit e kryeqytetit dhe përfaqësues të grupit të Shkodrës për t’u bërë të ditur edhe këtyre vijën e re dhe për të marë pëlqimin e tyre.
Gjendja politike e vendit në atë kohë. Kjo karakterizohej nga acarimi i marrëdhënieve të Zogut me Musolinin, që përfundoi në dhënien e një seri konçesionesh të reja Italisë nga ana e Zogut. Presioni i Italisë kundra Zogut, që parashikonte të pregatisnin konditat e një okupacioni të plotë të vendit nga ana e Italisë, ka filluar që para 1934. Zogu ishte dakord për nënshtrimin e interesave të vendit por nuk lejonte që të preken prerogativat e tij si mbret. Si përfundim edhi zbarkimi i marinarëve italianë në Durrës më 1934, por që për konditat e atëherëshme ndërkombëtare, Musolini u detyrua t’i tërheqij shpejt.
Si kundra presion Zogu më 17 shtator 1934 vendosi marëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, lejoi dhe përkrahu qëndrime anti-italiane dhe në përgjithësi u tregua si liberal dhe përparimtar, sidomos përpara Rinis.
Në këtë kohë Musolini forcoi presionin e tij mbi Zogun, duke kërkuar pagimin e borxheve të vjetra dhe shtyri që të pëlcasi kryengritja e Fierit. Mbas kësaj, Zogu u detyrua që të bjerë përsëri në pozitat e Musolinit, mori një hua të madhe, duke dhënë për shkëmbim shumë konçesione politike që pregatitin 7 prillin.
Një problem tjetër ku zhvillohej akoma një luftë midis Zogut dhe Musolinit ishte Rinia Shqiptare. Musolini i dërgoi Zogut si organizator të Rinisë mikun e tij personal Giron. Por Zogu karshi tij mbajti një qëndrim hiq dhe mos e këput, duke ndjerë mirë se një konçesion edhe në këtë fushë do të shënonte falimentimin e tij.
redaksia online
a.n shqiptarja.com