Pjesa e katert...
Shkruan Enver Hoxha tek libri “Kur lindi Partia”: “Të nesërmen Koçoja, unë dhe Mustafai shkuam dhe u takuam për herë të parë me Miladinin. U përqafuam dhe u puthëm me të si të ishim njohur prej kohësh”.
Gjatë kësaj bisede, e cila si kohë zhvillimi duhet të ketë pasur ditët e para të pas 20 tetorit 1941, Popoviçi ka bërë të ditur se “Unë do të gëzohem, në qoftë se do të ketë mundësi të vihem në korrent për gjendjen në Shqipëri, pastaj, prapë me ndihmën tuaj, të kaloj në Kosmet për të vazhduar luftën”.
Ndërkaq, sipas Enverit, ishte ky që i paska thënë menjëherë: “Jemi të bindur, se në mos sot, nesër, Partia Komuniste e Shqipërisë do të formohet, por ne jemi edhe internacionalistë dhe kërkojmë që ju, shoku Miladin, të na ndihmoni në këtë drejtim”. Miladini i gëzuar qenka përgjigjur: “Shoku Enver, ju faleminderit shumë për besimin që tregoni ndaj meje.
Unë po ju them se nuk kam ndonjë eksperiencë të madhe, por, si komunist, si internacionalist, çdo gjë timen do ta vë në shërbim të komunizmit. Né qoftë se pranohem edhe nga grupet e tjera, siç propozoni ju, atëherë do të vë të gjitha forcat e mia né shërbim të komunizmit né Shqipëri, do të luftoj dhe do të vritem tok me ju, po ta lypë nevoja, për popullin shqiptar, sikur të jetë populli im, jugosllav”.
Dhe ndërkohë ka vazhduar: “...por unë do të shkruaj një letër për shokët e Kosmetit, që ata të njoftojnë udhëheqjen e PKJ për propozimin tuaj dhe do t'u kërkoj lejë për të qëndruar këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Pastaj shtoi: “Kisha edhe një kërkesë: në qoftë se ju nuk keni kundërshtim, do të kërkoj të vijë këtu edhe Dushan Mugosha që të më ndihmojë, se ai di dhe shqip.
-Dakord, - i thamë...”
Më pas Hoxha i Shqipërisë shkruan se “Ndërkaq erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili solli aprovimin e udhëheqjes së PKJ që Miladin Popoviçi dhe ai të qëndronin për një periudhë kohe né Shqipëri, sipas propozimit tonë”.
Kështu duket si të përjetojë një “fund të lumtur” vendimi që u mor në mbledhjen dyditore të Vitomiricës, ku i dërguari për të ndërmjetësuar bashkimin e grupeve komuniste shqiptare në një parti unike do të qe vetëm Dushani.
Ritheksojmë: Partia Komuniste Jugosllave e pa dyshim Josip Broz Tito miratuan për të ndikuar në misionin e PKSH-së shefin e tyre për Kosovën. Qe dëshirë e Tiranës më së pari, por u shkonte mbarë edhe atyre.
Këtë kohë Tito nuk e dinte që ekzistonte një Hoxhë tjetër, Fadili, sepse nuk do të ngurronte ta propozonte. Për Fadilin nuk i kaloi nëpër mend asgjë e tillë as Enver Hoxhës. Vështirë të besohet se ai nuk e kishte dëgjuar asnjëherë këtë emër e sidomos mbiemër.