TIRANE - Emisioni "Pa Gjurmë" gjen pas 5 vitesh Leonard Rrezhdën, 42-vjeçarin nga Fieri, që e kërkoi në studio në Report Tv, xhaxhai i tij, Filipi.  Leonardi ka krijuar jetën e tij në Angli, dhe tashmë ka një djalë 16 vjeç. Në një lidhje telefonike nga Portsmuth i Londrës, Leonardi tha se ka pasur problemet e tij që e kanë shtyrë të mos lidhet dot me familjen e tij, të cilët nuk i ka takuar prej rreth 29 vitesh qëkur është larguar nga atdheu në emigrim, por që prej 5 vitesh kishte humbur çdo kontakt me ta. Ai shprehu pendesë publike, ku tha se ishte faji i tij që nuk ka telefonuar familjen, por tha se ka pasur arsye të forta me familjen e tij në Angli.

Emisioni 'Pa Gjurmë' realizoi lidhjen LIVE telefonike të Leonardit me xhaxhain e tij Filipin, i cili kërkoi ndihmë në Report Tv.

1582840303_1582839131RREZHDA.jpg

Xhaxhai: Nipçe, ku je, a je mirë me shëndet?
Leonard Rezhda: Kam pasur probleme familjare këtu.
Xhaxhai: Jemi bërë të gjithë ne merak. 
Leonard Rezhda: Mirë jam, me punë, kam pasur disa probleme me familjen, prandaj. I thuaj babait që jam mirë, do e marr vet në telefon.
Xhaxhai: T'i përgëzojmë këta që na ndihmuan, dhe na ka marrë malli shumë.
Leonardi: E kam unë fajin vet që nuk i kam marrë në telefon. Ju falenderoj. Shëndet xhaxha.

Emisioni "Pa Gjurmë" kontaktoi në telefon edhe me babain e Leonardit, Luçin, i cili nuk gëzon shëndet të mirë për momentin, ndaj në studio ishte vëllai i tij. Ai nuk kishte mundur të shikonte emisionin Live kur xhaxhai foli me nipin. Por kërkoi numrin që ta telefonojë vetë të birin. "Me vdekje unë nuk e harroj këtë të mirë që më bëtë ju mua. Nuk ndahem kurrë me djalin unë, se djali është i imi. Dëgjo motër, për mua je flori që ma gjete djalin", tha Luçi Rezhda në bisedën me moderatoren Odeta Dume. 

“Pa Gjurmë” arriti në gjurmët e Leonard Rezhdës tri ditë më parë, ku gjatë transmetimit live në Report TV ku një emigrant shqiptar zbuloi vendndodhjen e Leonardit, në Portsmuth të Londrës. Bashkëpunëtori ynë në Angli arriti të vinte në pak kohë kontaktet me të, pasi realizoi në Londër dhe një bisedë telefonike, me personin që u kërkua në “Pa Gjurmë”. Ai i pohoi se është Leonard Rrezhda, madje duke shprehur habi, kur mësoi se kërkohej nga familja.

"5 vite që nuk e ka parë me sy i ati. Ka 28 vjet që nuk ka ardhur në Shqipëri, që nga demokracia. Keq më vjen për vëllain, se është moshatar. Rroftë ai lokali, Gjini, se e mbante tek Report Tv, ai mu bë shkaktar, ik atje se e ke të gjetur më tha. E mban televizorin tek Report Tv dhe ndjek televizionin tuaj. E përshëndes live, t'i rrojnë fëmijët. Shyqyr që është gjallë nipçja. më ka marrë malli për kokën time. Ta shoh një herë do qaj nga malli. Ishalla do zoti e kanë gjetur", tha xhaxhai i tij para se të dëgjonte zërin e nipit të tij. 

Gazetari: Ma thuaj emrin, mbiemrin, ta marrim konfirmimin live që ti je shëndoshë e mirë.
Leonard Rrezhda:  Emri im është Leonard Rrezhda
Gazetari: Ne kemi vite që të kërkojmë...
Leonard Rrezhda: Çfarë thua mor burrë, keni vite që më kërkoni mua?
Gazetari: Familja është bërë shumë merak për ty
Leonard Rrezhda: Të mos bëhen merak për mua, ata e dinë se ku jetoj unë.
Gazetari: Çfarë mesazhi do t’i japësh familjes tënde ?
Leonard Rrezhda: Po unë jam mirë, ashtu kam ca problemet e mia, por do kontaktoj sapo të mbaroj problemet, kaq. Mirë, faleminderit që morët në telefon vlla...

Leonardi i pati humbur disa herë radhazi kontaktet me familjen. Ai pati emigruar drejt Anglisë në vitin 1996, bashkë me shtetasen angleze që njohu në Firence të Italisë. Kontaktin e fundit e pati me të atin në rrjetet sociale, Messenger, kur i kërkoi 1200 euro. Sapo mori paratë që i dërgoi i ati Leonardi u zhduk përsëri, për t’u bërë i gjallë 5 vite më pas, pasi u denoncua humbja e tij në emisionin “Pa Gjurmë”.