‘Pa Gjurmë’ i shfaq videot e fëmijëve nga jetimorja, nëna shpërthen në lot: Engjëjt e mi, po tretem nga malli

Rovena Abedini shprehet me indinjatë të thellë ndaj autoriteteve franceze, duke i akuzuar se "mbajnë peng" 3 fëmijët e mitur, Kleon djalin 13-vjecar dhe dy vajzat Xhesika dhe Adelajda, 11 dhe 12-vjece. Ia besoi këtë histori emisionit ’Pa Gjurmë’ me shpresën se një dritë jeshile do të ndizet për të. Në Francë mbërriti në vitin 2016, ndërsa bëri kërkesë për azil në Dijon kërkesë e cila iu refuzua. Bashkë me tre fëmijët zhvendoset drejt Lionit, aty ku nis odiseja e mundimshme në përpjekje për t’u bashkuar me ta.


Unë ika në Francë në vitin 2016. Atje qëndrova 8 muaj në Dijon dhe më pas më erdhi negativi. Më pas u zhvendosa në Lion, ku qëndrova 4 vite. Zyra e emigracioni më la të jetoja rrugëve. Në shtëpi të vjetra jetoja. Franca nuk më ka ndihmuar. Nuk ushqeja dot fëmijët me 130 euro në muaj që më jepnin. Dilja rrugëve, lypja. Jam strehuar në një kamp prej 6 muajsh pastaj më nxorrën, pasi kërkuan të më kthenin në Shqipëri. Unë nuk pranova. Fëmijët i coja në shkollë, nuk doja që ato të rrinin pa shkollë.


Jeta në situatë rruge, e pastrehë dhe pa dokumenta, për afro 2 vite me radhë e coi në në gjykatë. Zyrat e asistencës në Lion i komunikuan se djalin duhet t’ja dorëzonte institucioneve franceze, por kur njoftimi erdhi me postë, në nëntor të vitit 2019 ata i kërkuan të paraqitej në gjykatë, me të tre fëmijët. 


Ishin dy vajza një arabe dhe një franceze, të moshës 20 vjec të rritura në jetimore. Djali shoqërohej me ta, por nuk më tregonte asgjë. Më thirrën nga zyrat e emigracionit dhe më thanë se djali nuk donte të qëndronte me mua. Ata më kërkuan që ta lija në një institucion, duke më premtuar se pas një viti do më sistemonin. Unë nuk pranova. Ata thanë se do merrnin vetëm djalin. Djali nuk më tregonte asgjë. Kishte lidhje vetëm me ato vajzat. Në postë më dërguan letrat se duhej të paraqitesha në gjyq. I mora fëmijët dhe bashkë me ata të zyrës së emigracionit shkuam në gjyq. Se cfarë i pyetën fëmijët unë nuk mësova asgjë. Vajzat i gjeta duke qarë, ndërsa merreshim në pyetje. Ata më thanë do ti marrim fëmijët se nuk ke me cfarë i mban. Ndërsa unë nuk pranova të kthehesha në Shqipëri. Jam ndarë duke qarë me ta. M’i morën fëmijët me zor.


E mbetur e vetme, pasi bashkëshorti ndodhet pas hekurave me akuzën e plagosjes, prej një viti, kjo nënë nuk takohet me fëmijët, pasi autoritetet franceze ia kanë hequr këtë të drejtë. Ajo përlotet teksa sheh videot e djalit dhe dy vajzave.

Unë u ktheva në Shqipëri dhe asistenca më nxirrte fëmijët në telefon. Ata më pyetën ku isha dhe u detyrova t’i tregoja të vërtetën, se ndodhem në Shqipëri. Ata më ndërprenë komunikimin me ta.Kam një vit që nuk i kam parë Unë dua të kem kontakt me fëmijët e mi dhe të flas me ta.

 
Avokati në studion e ’Pa Gjurmë’, Eduard Mullaraj u shpreh se edhe pse ky rast është i vështirë, ekziston mundësia që nëna të marrë fëmijët. Ai e konsideron këtë një shkelje të konventës të të drejtave për fëmijët e mitur.


Kjo është një shkelje e dy konventave, ajo e të drejtave të njeriut dhe konventa e të drejtave të fëmijëve të mitur. Edhe konsullata ka detyrimin ligjor në këtë rast, pasi ajo ka për detyrë të mbështes shtetasit e tij në një vend të huaj. Por gjithsesi nënat me fëmijë nuk duhet të marrin këto vendime, pasi përfundojnë edhe kështu. Ligji është shumë i shenjtë. Ndaj ne marrim ndëshkime të kësaj natyre. Ka shanse që nëna të marrë fëmijët,  duke e cuar ceshtjen deri në Gjykatën e Strasburgut, por edhe në atë të Hagës

’Pa gjurmë’ u lidh me zyrën e emigracionit dhe ata na vunë në dispozicion një numër telefoni të zonjës Muisa, asistentja e cila merret me cështjen e tre fëmijëve Abedini. Ata na thanë se ishin në dijeni për këtë rast, por se ndihma e vetme ishte të komunikonin drejtpërdrejtë me zonjën në fjalë. ’Pa Gjurmë’ tentoi komunikim me të, por ajo mohoi se ishte personi, me të cilin ne donim të flisnim, duke na mbyllur telefonin. 


VIDEO/ Emisioni i plote

O.D./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen