'Pa gjurmë'/ Një gjyshe e penduar pas 28 vitesh për braktisjen e nipit dhe një nënë në 'luftë' për jetën

'Pa gjurmë'/ Një gjyshe e penduar pas 28 vitesh për braktisjen e nipit dhe një nënë në 'luftë' për jetën

Gjyshja e Eltonit, Jolanda, në studion e 'Pa gjurmë'

Eltoni u lind në vitin e ndryshimit të madh për shqiptarët, në 3 shtator të vitit 1990, në ndryshimin e madh edhe për jetën e tij. Nëna Katerina ngelet shtatzënë në moshën 14 vjec e gjysmë me Robertin, asokohe 18 vjec. Të dy u njohën në vendlindje në Ksamil, aty ku ishin komshinj. Katerina sjell në jetë fëmijën, në maternitetin e Delvinës. Nëna e vajzës, Jolanda, i jep mëmësinë duke qenë se Katerina ishte e vogël në moshë. Kur nuk kishin kaluar akoma ditët e para të lindjes, Jolanda e lë Eltonin e vogël në maternitet, për të cilin nuk do të mësonte më asgjë rreth fatit të tij. Fëmija braktiset dhe jepet për birësim. Katerina pëson një krizë nervore dhe që prej asaj kohe nuk mundi të krijonte me familje, ajo nuk u bë më kurrë nënë. Katerina jeton e vetme në Greqi, ndërsa është rreth të 40-ve. Ajo ka kaluar një sërë peripecish me shëndetin e saj, duke qenë vazhdimisht në luftë për jetën. E vetmja gjë që kanë mundur të mësojnë pas 28 vitesh është se Eltoni në atë kohë nga materniteti i Delvinës u transferua drejt Shtëpisë së Fëmijës Vlorë. Nga aty, i humbën më pas gjurmët e tij. Sot, Jolanda dhe Katerina vuajnë një mungesë të pazëvendësueshme, mes pengut dhe pendimit që kanë për djalin që u lind dhe nuk u pa më kurrë. 

Gjyshja e Eltonit rrëfeu në studion e emisionit ‘Pa gjurmë’ se si e mori vesh fillimisht që e vajza e saj kishte ngelur shtatzënë. “Katerina ngeli shtatzënë kur ajo ishte vetëm 14 vjeç e gjysmë. Fillimisht ajo u sëmur, e çuam në spital, na thanë ka apandesit, por në të vërtetë ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë. Nuk më ra në sy pasi ishte e shëndetshme si vajzë, pastaj unë punoja tërë ditën e ditës për të ushqyer të katër fëmijët. Një rrogë kishte shtëpia, pasi im shoq s’më ka ndihmuar kurrë ekonomikisht”, u shpreh Jolanda për moderatoren Odeta Dume. Ajo rrëfeu se u mundua që shtatzëninë e papritur të vajzës ta diskutonte edhe me familjarët e djalit me të cilin Katerina kishte kryer marrëdhënie, por sipas saj, babai i Robertit ishte treguar i ashpër e madje i kishte kërcënuar edhe me jetë. “Duke parë sjelljen e të atit të tij, Roberti e mohoi atësinë e fëmijës që ishte në pritje”, tha Jolanda, e cila shtoi se më pas kishte diskutuar me doktorët se si të gjendej një mënyrë për ta hequr fëmijën.

Ajo u shpreh më tutje se një javë pasi djali kishte lindur, doktori i kishte thënë se duhej bërë regjistrimi civil i tij, por që për këtë procedurë duhet të ishte me patjetër i pranishëm i ati i foshnjes. “Pasi kaloi një javë nga lindja, doktori më thotë që duhej të bëhej regjistri i fëmijës dhe unë e pranova. Por ai më tha që duhej të vijë edhe i ati, por ai në atë kohë kishte ikur në Greqi. Ne s’kishim se si të komunikonim me të dhe as me babin e tij, i cili siç ju thashë ishte treguar shumë i ashpër me ne. Më japin një fletë për të shkuar në gjendjen civile të Ksamilit për të regjistruar fëmijën. Atje më thojnë që shiko se vajzën e ke të mitur, si mendon që ta regjistrojmë në trungun familjar tëndin, pra që unë të rezultoja si e ëma e djalit. Shtatë ditë qëndron në spital vajza dhe kthehet në shtëpi, ndërsa djalin e mbajti spitali. Doktori më thotë që djalin do ta marrim ne, ndonëse ne donim ta merrnim në shtëpi. Unë dhe vajza firmosëm një letër, përmes së cilës miratohej dërgimi i djalit në Shtëpi të Fëmijës” , tregoi Jolanda për moderatoren e emisionit ‘Pa gjurmë’.

Ajo tha për të disatën herë se nuk ia ka idenë se kur është larguar Eltoni nga Shtëpia e Fëmijës në Vlorë, pasi atë nuk e kishin lajmëruar, ndonëse ajo e vizitonte atë rregullisht me dy fëmijët e saj të vegjël. "Më pas vajza m'u diagnostifikua me krizë nervore. Më dhanë ilace për të sepse unë nuk pranova ndërhyrje kirurgjikale. Në dhjetor të 1996-s, doktorët më thanë se ajo nuk shpëton më. Ishim parapërgatitur për ta sjellë në Shqipëri, por me ndërhyrjen e një doktori grek vajza ime iu nënshtrua një operacioni nga ku nuk doli mirë. Në korrik ajo iu nënshtrua një tjetër operacioni, ku doli me sukses", vijoi Jolanda, duke treguar më tutje se Katerina i ishte nënshtruar gjithsej 9 ndërhyrjeve kirurgjikale. Pasi Jolanda bëri të ditur se nuk kishte kërkuar për nipin më larg se sa tek Shtëpia e Fëmijës Sarandë, moderatorja e emisionit 'Pa gjurmë' lidhet drejtpërsëdrejti me të ëmën e Eltonit, Katerinën. Midis lotëve, emocionit dhe dhimbjes për të birin, ajo u shpreh se dëshiron me shpirt që ta shohë të paktën edhe një herë djalin e saj, të cilit, sikurse tregoi, ia ka vendosur vet emrin.

Duke qenë se verifikimet e para të 'Pa gjurmë' kanë zbuluar se Eltoni është birësuar në Shqipëri, Jolanda iu bëri në fund një apel prindërve birësues: Dua që të jemi bashkë, nuk duam t’ia marrim djalin, dua që ai të takojë nënën e tij, të njohi rrënjët biologjike, sepse edhe ajo ka shumë nevojë për të.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Espanyol rrezikon mbijetesën, Kumbulla: Kemi shumë ndeshje para, kam besim te ky ekip

Espanyol rrezikon mbijetesën, Kumbulla: Kemi shumë ndeshje para, kam besim te ky ekip