'Pa Gjurmë' publikon ekskluzivisht pamjet e burrit, që mbahet peng në një fshat të Vlorës! Dyshohet për këngëtarin Seit Hysa, i vëllai nuk e identifikoi dot pas 11 vitesh

Pas 3 sezonesh, kur rasti i këngëtarit të muzikës popullore, Seit Hysa u trajtua në emisionin investigativ ‘Pa Gjurmë’ në Report TV, mbërrin një telefonatë nga një banor i fshatit 'Vajzë', të qytetit të Vlorës. Pasi kishte parë publikimin e pasaportës televizive të Seit Hysës, dëshmitari pretendon se e kishte takuar 70-vjeçarin, në një stan majë kodrës, ku punonte si bari. Stafi udhëtoi drejt fshatit, 'Vajzë', ku u takua jo vetëm me dëshmitarin por edhe me banorë të zonës. Ata dhanë mjaft detaje të bariut anonim, informacione që përkonin dhe me të dhënat reale të të humburit Seitit Hysa.

Unë kam vite që e kam parë në fshatin tim. Ai është i moshuar dhe mund të jetë rreth 70 vjeç. Ka probleme me shëndetin mendor. Njëherë tregon se quhet Thoma, një herë tjetër shqipton një emër tjetër. Ai më ka treguar se vendlindjen e ka në Berat dhe se është nga Lapardhaja, madje është i divorcuar

Gazetari Freard Rista i tregon foton e Seit Hysës, ndërsa fillimisht has vështirësi për ta identifikuar, por më pas dëshmitari pohon se ngjan nga sytë.

Ky mavria është mo ky. Tek sytë ngjan shumë. Unë jam i sigurt që është ai. Atë e mban peng pronari dhe ai e shfrytëzon për punët e blegtorisë. Më vjen keq që këtu në fshat kemi një bari të paidentifikuar, ndaj u lidha me emisioni ‘Pa Gjurmë’.

Stafi i Report Tv qëndroi me orë të tëra në kodrat e fshatit, derisa mbërriti i moshuari, i cili pranoi të fliste dhe gjatë intervistës dha të tjera të dhëna për veten e tij.

Unë quhem Myqerem Pasha me dokument. Jam nga një fshat i Fierit. Punoj këtu dhe nuk kam kontakte me familjen, as me një prej tyre. Me gruan jam ndarë prej vitesh me gjyq

Teksa gazetari i tregon foton e Seit Hysës, ai e mohon të jetë vetë ai. Pas shumë pyetjeve, i moshuari që shfaq edhe probleme të shëndetit mendor këmbëngul që quhet Myqerem dhe se ka bërë shaka me banorët e zonës që ka thënë se quhej Thoma.

Intervistën e ndoqi “live” nga studio, Nikolin Hysa, vëllai i Seit Hysës. I emocionuar dhe i shtangur, ai nuk arriti dot ta njohë, nëse ishte Seiti apo kishim të bënim me një person tjetër.

Nuk di ccfarë të them. Unë pas kaq vitesh nuk e njoh më vëllain tim. E pashë me vëmendje videon, më duket si ai. Disa të dhëna përkojnë, disa jo. Nuk di çfarë të them, ai mund të ketë përfunduar vërtetë kështu pas 11-vitesh zhdukje. Unë dua të denonoj, personin që e mban dhe e shfrytëzon. Edhe nëse nuk është vëllai im, është një tjetër i humbur fatkeq.

Moderatorja e programit, Odeta Dume, i bëri thirrje publikut për ndihmë. Kush e njeh këtë person është i lutur të lidhet me ‘Pa Gjurmë’. Misioni do vazhdojë, pasi stafi do të udhëtojë sërish drejt fshatit 'Vajzë', por këtë herë të shoqëruar edhe nga vëllai i të humburit.

 

Emisoni i plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:33
Identifikohet bariu i marrë ’peng’ në një fshat të Vlorës, e bija telefonon live në ‘Pa Gjurmë’: Ai është babai im, kam 16 vite pa e parë

Është identifikuar bariu që jetonte në një kasolle të rrënuar në një stan majë kodrës së fshatit Vajzë të Vlorës. Stafi i emisionit “Pa Gjurmë” udhëtoi që në orët e para të mëngjesit të 25 tetorit pas një telefonate nga një banor i zonës, i cili pretendonte se bariu që ruante dhëntë në atë kodër ngjasonte me foton e Seit Hysës, i humbur para 11 viteve në Tiranë. 

Personi që e identifikoi ishte e bija, Marsela Pasha, e cila pohoi se ai quhej vërtet Myqerem Pasha dhe se nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor, por se çdo gjë që kishte deklaruar ishte e saktë. Gjatë bisedës telefonike me drejtuesen e emisionit Odeta Dume, Marsela tha se kishte 16 vite pa e parë të atin, ndërsa kontaktet i kishte humbur me të prej 3 vitesh. E bija e kishte denoncuar humbjen e të atit në polici, mirëpo nuk kishte asnjë informacion për të deri në momentin që gjithçka u publikua në emisionin “Pa Gjurmë”.

Ai është babai im. Unë kam 16 vite pa e takuar sepse prindërit e mi janë divorcuar, ndërkohë që kam pasur kontakte telefonike të rregullta me babain tim, deri para 3 viteve kur ai humbi. Unë kam bërë denoncim për humbjen e babait dhe vetëm kur më njoftojnë këtu në Greqi që babai im ka dalë në emisionin Pa Gjurmë. Ju falenderoj të gjithëve që ma gjetët babain. Ky ishte një lajm shumë i mirë për mua, dhe uroj që të gjendet dhe Seit Hysa që u dyshia fillimisht që ishte babai im.


Dëshminë e Marsela Pashës e dëgjoi “Live” edhe Nikolini, vëllai i Seit Hysës, i cili deklaroi se kishte që dje dyshime për bariun, duke thënë se disa tipare nuk ngjasonin, madje vëllai i tij kishte dhe dy dhëmbë floriri në pjesën e poshtme. 

Ndërkohë që kërkimet vazhdojnë për Seit Hysën, i cili humbi çdo lloj kontakti me familjen në 26 maj të vitit 2011 nga Tirana.



Kush ka informacion mund të kontaktojë në redaksinë e emisionit në numrin e mëposhtëm, si dhe në aplikacionet Whatsapp dhe Viber:
+355 69 99 55 698 
044417778
 

O.D.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 27/10/2021 00:46

    ADN e zgjidh misterin,ne mungese te saj,ndonje shenje,vrage, a nishan qe e di vetem i vellai ku e ka pasur.Me ben pershtypje qe asnje nuk ka reaguar edhe pse mendojne qe mbahet peng (skllav).Bravo per zoterine qe edhe pse ka hallin e vellait nuk qendron indiferent,por do qe te beje denoncim.Sa per emrin e krishtere qe perdor,ka mundesi qe me pare te kete punuar si bari ne Greqi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nis pelegrinazhi në kishën e Shna Ndout në Laç, mijëra besimtarë i drejtohen vendit të shenjtë përgjatë 13 të martave

Nis pelegrinazhi në kishën e Shna Ndout në Laç, mijëra besimtarë i drejtohen vendit të shenjtë përgjatë 13 të martave