‘Pa Gjurmë’ gëzon dy familje, një tjetër mëson lajmin e hidhur! Pas 5 vitesh bëhet e gjallë nëna e një vajze

Dramë në familjen Selenica, pas humbjes së fëmijës ndërsa ishte 5 muajshe shtatzënë, bashkëshortja mëson edhe për vdekjen e të shoqit. Kishte thuajse dy javë i humbur dhe ajo nuk rreshti së kërkuari në emisionin ’Pa gjurmë’, bashkëshortin 34-vjeçar, i cili u zhduk më 4 maj të këtij viti. Trupi i pajetë i Martin Selenit u gjet në lagjen 1 Maji në Vlorë, një ditë më parë, rreth orës 17:50 në një banesë të braktisur, gjysmë i dekompozuar. Nga hetimet e para dyshohet se i riu ka ndërruar jetë si pasojë e konsumit të lëndëve narkotike. Më 4 maj Seleni shkoi të merrte pagën në bankë, por nuk u kthye më në shtëpi dhe familjarët kryen denoncimin në polici e më pas u bënë pjesë në emisionin "Pa Gjurmë". Stafi i emisionit ‘Pa gjurmë’ i shpreh ngushëllime familjes.

Një tjetër e humbur që u denoncua në emisonin ‘Pa gjurmë’, fatmirësisht është kthyer në familje. 32-vjeçarja Jonilda Metaj me profesion avokate u zhduk papritur të martën e kaluar më datë 12 maj. Në një lidhje telefonike live në studion e emisionit ’Pa gjurmë’, nëna e saj Sherife Metaj tha se 32-vjeçarja ishte parë duke hipur në një furgon, ndërsa vuri në dispozicion edhe një video nga kamerat e sigurisë, që treguan lëvizjen e fundit të 32-vjeçares. Pas apelit të bërë në studion e emisionit familjarët arritën në gjurmët e vajzës, në Tiranë. Jonilda u gjet të shtunën më datë 16 maj, 4 ditë pasi u deklarua e humbur, ndërsa pasi kishte marrë furgonin kishte mbërritur në kryeqytet. Sipas nënës së saj vajza së fundmi kishte shfaqur problem të shëndetit mendor. E diplomuar për drejtësi, ajo ka një zyrë avokatie në qytetin e Vlorës.

Pasi u njoftua se po kërkohej në ‘Pa gjurmë’ një tjetër e humbur rilidh kontaktet me familjen. Pasi ka parë emisionin në youtube, Anita Tafani që humbi kontaktet me familjen 5 vite më parë i ka telefonuar menjëherë motrës, Anila me kërkesë të së cilës u trajtua edhe kjo histori. Kjo e fundit e kërkoi në emisionin ‘Pa gjurmë’ duke rrëfyer edhe historinë e largimit drejt Greqisë të së motrës, 32 vjeçe, e cila la pas një vajzë të vogël duke u ndarë edhe nga bashkëshorti. E motra Anila rrëfen telefonatën e shumëpritur nga Anita, pas 5 vitesh nga zhdukja e nënës së një vajze. Ajo jeton në Athinë të Greqisë.

"Pasditen e së shtunës më mori në telefon. Më tha se jam shëndoshë e mirë dhe ju falenderon edhe juve. Pas 5 vitesh më ka telefonuar. Kanë qenë rrethanat e mia, me tha. Por shumë shpejt do të vij të na takojë. Ajo jeton në Athinë dhe nuk duam ta shqetësojmë. Na tha që shumë shpejt do të vij në Shqipëri, por ka qenë edhe pak e kufizuar nga rrethanat, edhe nga situata me koronavirus", tha e motra Anila

Javën që lamë pas ‘Pa gjurmë’ përcolli edhe një tjetër lajm, atë të kthimit në banesë të Ervin Dërgutit. Në gjendje të rënduar mendore dhe fizike u kthye në shtëpi 2 javë pasi u zhduk, nënoficeri i Gardës së Republikës. 27-vjeçari u denoncua i humbur në emisionin ’Pa gjurmë’. Në një lidhje telefonike, daja i 27-vjeçarit Haxhi Vela tha se ai nuk mbante mend asgjë. Stafi i emisionit ‘Pa gjurmë’ vijon ende kërkimet për të tjerë të humbur të denoncuar, për t’i dhënë lajme të mira qindra familje që janë në pritje për të mësuar mbi fatin e familjarëve të zhdukur.         

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt