TIRANE - Pas 55 vitesh, Matilda Koka bie në gjurmët e nënës së saj biologjike, falë investigimit dhe ndihmesës që shqiptarët dhanë në emisionin "Pa Gjurmë" në Report Tv. Pranë moderatores Odeta Dume, kontaktoi vajza e Matildës, Ouresa Allushaj, e cila donte t'i bënte surprizë mamasë së saj duke shpresuar se emisioni do t'i gjente nënën biologjike. Dhe ashtu ndodhi. Pas shumë kontaktesh, "Pa Gjurmë" mundi të lidhet në telefon me Aretinë, nënën biologjike të Matilda Kokës. Ajo është 71 vjeçe dhe jeton në Patra të Greqisë, ku ka edhe tre fëmijë të tjerë, dy djem dhe një vajzë.
Në fakt telefonata u realizua me vajzën e Aretisë, 50-vjeçare, e cila foli në emër të nënës së saj. Fëmijët e Aretisë nuk e dinin se nëna e tyre kishte pasur një fëmijë jashtëmartesor, e bashkë me lajmin e mirë për Matildën, ata zbuluan sekretin që kurrë nuk e kishin menduar. Megjithatë, në telefonatën me moderatoren e emisionit "pa Gjurmë", Odeta Dume, motra e Matildës, tha se është e gatshme ta takojë motrën. Emisioni mësoi se ato do të vinë në Vlorë për të mundësuar takimin mes Matildës, sot 55 vjeçe, dhe nënës së saj, Aretinë.
"Unë nënës sime, nëse ajo do të më pranojë, i them faleminderit që më solle në jetë, jam e lumtur...ajo e ka të vështirë, edhe unë të jem në vendin e saj, të më falë nëse e kam lënduar... Unë dua të di thjesht kush është nëna ime, kaq dua, kur të veja në atë botë mos të veja me një brengë të madhe", tha 55-vjeçarja pasi dëgjoi në studio bisedën e realizuar me motrën e saj në Greqi, e cila kërkoi numrin për t'u lidhur me Matildën.
Ndërkohë, vajza e saj në studio u përlot teksa moderatorja i tha se ëndrrën e saj e ktheu në realitet.
"Pa dashur t'i hyjë në pjesë dikujt tjetër", shtoi ajo e përlotur, duke mos dashur të ndikojë në jetën e askujt, as të gjyshes së saj, dhe as të fëmijëve të Aretisë.
Matilda u lind më 22 prill të vitit 1965 në Vermero të Delvinës dhe u birësua një vit më pas nga çifti Sanie dhe Xhevdet Leka nga i njëjti qytet. Prindërit birësues, të cilët tashmë kanë ndërruar jetë, vendosën të mos ia ndryshonin emrin e lindjes, por duke i dhënë mbiemrin e tyre. matilda e mësoi se ishte e birësuar në moshën 17-vjeçare, e megjithë dashurinë për prindërit birësues dhe lumturinë që ata i falën, në zemrën e saj e ndjente se kishte një boshllëk për të mësuar se kush ishte gruaja që i dha jetën.
Duke u munduar të shkojë në gjurmët e nënës biologjike, Matilda Koka shkoi në fshatin e lindjes së nënës së saj, ku arriti të komunikojë me dajën e saj, pasi emri i nënës, Areti Koka ishte në certifikatën e lindjes.
"Njerëzit qe jetojnë atje thonë se është kopja e nënës së saj. Ne takuam familjarët e saj dhe diçka ndodhi që nuk u takua me nënën. Mesa na thanë kanë qenë të afërmit e familjes që kanë kërkuar që nëna biologjike ta dërgojë në shtëpinë e foshnjës. Nëna ime takoi një person, që mendohet se ishte daja, në vitin 2010 e lamë që do vinin. La numrin e kontaktit mami. Por nuk kthyen kurrë përgjigje. Mami mbeti zemërthyer", tha vajza e Matildës e cila e shoqëroi nënën e saj në emisionin "Pa Gjurmë".
Matilda, e cila është e martuar dhe ka dy vajza, nuk kërkon asgjë si këmbim përveç se dëshiron të takojë nënën që e lindi 55 vite më parë. "Pa Gjurmë" uron që takimi i premtuar nga motra e Matildës, të realizohet sa më shpejtë.