Pa ndjeshmëri

Pa ndjeshmëri
Në një sallë pritjeje te mjeku, ndërsa të gjithë po ndiqnin një lajm në TV, një vajzë e re e shoqëruar nga nëna, pa pyetur askënd, ndryshon kanalin. Një zonjë u mërzit dhe tha: "Po si e ndryshon pa na pyetur fare?". Në radhë për biletën e kinemasë, disa fëmijë nëntë apo dhjetë vjeç, vërshojnë në banak pa pritur radhën. Në një mjedis pune, kur ajri i kondicionuar është shumë i ftohtë, ose kur bën tepër vapë, dikush, pa pyetur apo konsultuar edhe të tjerët, merr vendimin personal për të ndezur apo për të fikur, siç dëshiron. Në një zyrë të vogël, ndërsa të gjithë punojnë, dëgjohet tepër e fortë përplasja e takave të një punonjëseje mbi dyshemenë me pllaka mermeri, pa u shqetësuar për zhurmën e ekzagjeruar. Janë shembuj të vegjël fare dhe jam e sigurtë që seicili prej nesh është "përplasur" përditë me ngjarje më të rënda që tregojnë mungesë ndjeshmërie në komunitet.
 
Në pak raste me ka qëlluar që, në publik, për të marrë një vendim të thjeshtë dhe të vogël, t'u merret leje për mirësjellje apo edhe thjeshtë për një mendim, edhe të tjerëve. Duket sikur njerëzit janë ngurtësuar në Unin personal dhe lëvizin siç mund të lëvizte një robot, pa ndjeshmëri ndaj të tjerëve.
 
Njeshmëria, sensibiliteti, na bën njerëz më të mirë. Në Shqipëri, përkundrazi, njerëzit më të ndjeshëm konsiderohen si më të dobët. Por nuk është e vërtetë një gjë e tillë. Që në vogëli ndjeshmëria ndaj natyrës, kafshëve, qiellit, tokës, na bën më të thellë, më të aftë për të dalluar të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara. Sot përdorimi i të gjitha shqisave prej fëmijëve që në kopësht po kthehet një parim në arsimimin e vendeve më të përparuara. Më shumë ndjeshmëri, është e vërtetuar, na bën njerëz më të mirë.
 
Të fortët, të pandjeshmit, arrogantët, mund të jenë në dukje njerëz më të sukseshëm në shkallët e hierarkisë së shoqërisë, por jeta e tyre e ka dëshmuar, ngjitja e shkallëve të pasurisë apo karrierës, nuk është në përpjestim të drejtë me atë të lumturisë.
 
Ne duam të jemi njerëz me një ekzistencë të bukur, të lumtur në jetë apo njerëz grumbullues, magazinues materialesh?
Kur Al Kapone kishte arritur në majën e suksesit dhe pasurisë së tij, kur merrte dekorata e vlerësime deri nga Papa, i trishtuar u dëgjua të thonte: "Një jetë të tërë u përpoqa të ngrihem gjithmonë e më lart, por e kuptoj se sa më lart jam, aq më në baltë zhytem".
Më duket, sikur në Shqipëri, njerëzit vrapojnë të ngjiten me çdo mënyrë në ato lartësitë që thotë Al Kapone, duke shkelur të tjerët përreth, por pa ndjeshmërinë asnjëherë nuk do të dimë të dallojmë të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, e në këtë mënyrë do të kryejmë rrugëtimin tonë mbi këtë Tokë të mrekullueshme gjithnjë duke gabuar.
Atëherë, ja vlen të bëhemi më të ndjeshëm? Edhe arti, ai i vërteti, përveç natyrës, është mrekullia tjetër që mund të na rrisë e të na ndihmojë për të qenë më të ndjeshëm. Prandaj, muzika, baleti, teatri, kinemaja, mbeten ushqimi më i mirë. Që në fëmijëri. 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë