Punëtorët e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh prej paradites janë nisur në këmbë drejt Tiranës, pas protestës së zhvilluar prej disa orëve sot para Prefekturës. Naftëtarët janë hedhur në protestë prej disa ditësh, pasi kërkojnë pagat e tyre të dy muajve të fundit, si dhe siguracionet e 12 muajve. Ata kanë 'kërcënuar' se nuk do të kthehen pas pa marrë pagat e tyre.

Ora 20:30 Naftëtarët vijojnë marshimin drejt Tiranës. Në një prononcim për Report Tv ata thonë se nuk do të kthehen pas nëse nuk zgjidhet problemi i tyre 

Ora 11:05 Flet për Report Tv kreu i sindikatave të naftëtarëve:Qeveria të japë urgjent pagat!
Kreu i sindikatave të naftëtarëve, Kamer Iljazi, ka folur për Report Tv lidhur me situatën e krijuar nga protestuesit. Ijazi deklaroi se janë rreth 300 naftëtarë, të cilët janë nisur në këmbë nga Fieri drejt Tiranë.

“Mos të degradojë kjo lëvizje, qeveria të marrë masa dhe të paguajë me patjetër pagat. Janë rreth 300 persona, që janë nisur drejt Tiranës. Ne do vijmë atje, do t’i shërbejmë bulevardit. Problemi ynë duhet të përcillet edhe te Donald Lu, Mogherini”, tha kreu i sindikatave. 

Ora 10:45 Protestuesit nisen në këmbë drejt Tiranës, ja tri kërkesat e tyre
Kanë qenë pikërisht rrogat e prapambetura, siguracionet dhe fillimi i punës në uzinë tri kërkesat kryesore të punëtorëve, që kanë revoltuar naftëtarët të përshkallëzojnë protestën, duke u nisur drejt kryeqytetit. Gjatë orëve të paradites së sotme, punëtorët u mblodhën para Prefekturës, ku kërkonin takim me prefektin për të zgjidhur problemet e tyre.

nisen drejt tiranes

(Protestuesit nisen drejt Tiranës)

Ora 09:00 Rinis protesta e naftëtarëve, bllokohet rruga para Prefekturës
Naftëtarët e Fierit rinisën mëngjesin e sotëm protestën, duke kërkuar pagat e tyre të dy muajve të fundit, si dhe siguracionin për 12 muaj. Ata bllokuan për gjysmë ore rrugën kryesore te Prefektura, duke krijuar dhe një trafik të rënduar, ndërsa në mungesë të një përgjigjeje për zgjidhjen e problemeve të tyre ata janë nisur në këmbë për në Tiranë.

Ata kishin kërcënuar që prej ditësh se do të përshkallëzonin protestat dhe do të marshonin drejt kryeqytetit për të gjetur zgjidhje mbi hallin e tyre.