Padia e dytë në Kushtetuese për listat e mbyllura, Shabani: Rama e Berisha bashkë për të kthyer sistemin e 2008-s

TIRANË- Në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar padia e dytë kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, sipas të cilave lista e kandidatëve për deputetë është e mbyllur në 1/3 dhe 2/3 e hapur.

Përfaqësues të partive ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt dhe ‘Nisma Thurje’ e Endri Shabanit depozituan sot padinë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa hodhën akuza se ndryshimet u arritën pas një pakti mes Edi Ramës dhe Sali Berishës që kërkojnë të kthejnë sistemin e 2008.

Shabani ka theksuar se ndryshimet e miratuara i heqin të drejtën shqiptarëve për të votuar kandidatin dhe alternativën preferuese, duke qenë se u imponohen përfaqësues që mund të jenë të padëshiruar për votuesin në listën e mbyllur. Nga ana tjetër Shabani tha se Berisha dhe Rama mendojnë se vetëm ata të dy e kanë të drejtën të zgjedhin deputetët dhe jo shqiptarët.

“Edi Rama dhe Sali Berisha mendojnë se vetëm ata të dy  e kanë të drejtën të zgjedhin deputetët, ne mendojmë se kjo është e drejtë e shqiptarëve, përmes listave të hapura. Ata s’mund të na imponojnë ne që të hyjmë në zgjedhje me listat e mbyllura. Në 2021, shqiptarët e ushtruan të drejtën e tyre për të votuar preferencën e tyre. Këta duan që t’ia heqin këtë të drejtë. Mendojmë se kushtetuesja do i shfuqizojë këto ndryshime, është betejë për Kushtetutën e Shqipërisë. Ata u bënë prapë bashkë, njësoj si në 2008 për të rikthyer sistemin e 2008.

Ne po ja adresojmë Gjykatës Kushtetuese këto ndryshime, për ti shfuqizuar për disa arsye, por në thelb, kush e ka pushtetin për të zgjedhur deputetet. Rama dhe Berisha mendojnë se këtë të drejtë e kanë ata të dy. Ne besojmë që kjo është e drejtë kushtetuese e shqiptarëve. E dyta është imponim që i bëjnë jo vetëm votuesve të vetë, por edhe votuesve të Nismës Thurje apo Shqipëria Bëhet. Ata detyrojnë çdo subjekt që të futen me lista të mbyllura. Besojmë që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë këto ndryshime”, tha Shabani.

Kujtojmë që dy javë më parë Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi, po ashtu dërguan në Kushtetuese ndryshimet e reja zgjedhore. Ndërkohë sot, përfaqësuesi i tyre ligjor, Rezart Kthupi i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilës kërkon që padia e tyre kundër listave të mbyllura të shqyrtohet me prioritet.

Mazhoranca dhe opozita arritën dakordësi për listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 2025-ës. Pas një seancë maratonë Kuvendi miratoi në 26 Korrik me 106 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim, ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor që parashikon që lista e deputetëve nuk do të jetë tërësisht e hapur. 1/3 do të jetë e mbyllur dhe ekskluzivitet i kryetarit të partisë dhe nuk i nënshtrohet votës preferenciale.

Ndërsa kandidatët në 2/3 e listës do të luftojnë për të fituar qoftë edhe një votë më shumë se të tjerët. Për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të 2025 pritet të votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë.

Kërkesa e përfaqësuesit të Alibeajt për të shqyrtuar padinë me prioritet

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    DASH rithekson se SPAK është kyçi i luftës ndaj korrupsionit, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Keni probleme me gjumin? Ja ushqimet që ju ndihmojnë të flini mirë

Keni probleme me gjumin? Ja ushqimet që ju ndihmojnë të flini mirë