Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të martë të rrisë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë dhe t'i kompensojë ata për 3 vitet që kanë marrë paga që sipas saj kishin pësuar një ulje të fshehur. 

Në vitin 2023, mazhoranca, përcaktoi se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë. Më herët referenca mbi të cilën llogaritej rroga ishte 132,100 lekë, aq sa ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri. Me ndryshimin e ligjit nga qeveria rritja ishte me mbi 20 mijë lekë të reja.

Por kjo rritje u konsiderua si ulje nga ana e gjyqtarëve. Kjo për shkak se në të njëjtën kohë, qeveria rriti pagat për administratën publike. Dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri shkoi në 231 mijë lekë të reja. Sipas gjyqtarëve, ndryshimi i referencës së pagës së tyre nga ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri te ajo sa 36% e pagës së Presidentit, ua uli pagën, pasi nëse s’do bëhej ky ndryshim ajo do të ishte 78 mijë më e lartë.

Gjykata bëri të ditur se në vlerësimin e kërkesës së Unionit të gjyqtarëve ajo kishte mbajtur parasysh përcaktimin e nenit 138 të Kushtetuetës sipas të cilit “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen”. Dhe sipas saj “Ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re e aplikuar nga qeveria në 2023, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka passjellë një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë”.

Për këtë arsye gjykata vendosi shfuqizimin e formulës së miratuar në vitin 2023

Gjyqtarët kërkuan nga Kushtetuesja ose rikthim në referencën e parë ose një përcaktim sa 54.3% e pagës së Presidentit plus pasqyrim të  çdo rritje rrogash në tërësi. Sipas kësaj kërkese rritja do të shkonte nga 1800 euro për magjistratët e shkallës së parë, deri në 3000 euro plus për Apelin e GKKO dhe SPAK. Diçka që do të përkthehej në 32 milionë euro shtesë në buxhetin e shtetit.

Kjo kërkesë e dytë nuk u mor parasysh. Sipas Gjykatës, Kuvendi duhet të përcaktojë tani një formulë apo referencë të re, që natyrisht duhet të reflektojë rritje nga pagat aktuale.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot në datën 17.02.2026, mori në shqyrtim çështjen me kërkues Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e neneve 1 dhe 2, pika 2, të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 "Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar", si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata, bazuar në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara në kërkesë, vlerësoi t'i trajtojë ato në këndvështrim të nenit 138 të Kushtetutës, sipas të cilit: "Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen", përveçse në rastet e parashikuara shprehimisht nga kjo dispozitë. Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Shpërblimi financiar, si një nga garancitë thelbësore për pavarësinë e gjyqtarëve, ashtu edhe atë të vetë pushtetit gjyqësor, parim ky i lidhur pandashmërisht me atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, duhet t'i përgjigjet rëndësisë së funksioneve që ata kryejnë.

Në vendimin e saj nr. 35, datë 22.11.2022, kur shqyrtoi formulën e përcaktuar me ligjin nr. 50/2021, Gjykata theksoi se ligjvënësi, brenda hapësirës së tij normuese, ka diskrecion për formulën e referencës (në shërbimin civil ose në pagat e funksionarëve publikë të tjerë), duke qenë kjo një çështje që i përket oportunitetit të tij. Megjithatë, në ushtrimin e kësaj kompetence në plotësimin e kuadrit ligjor, ai duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, duke garantuar, në çdo rast, që paga dhe përfitimet e tjera që vijnë si rrjedhojë e zbatimit të sistemit të referencës së pagave, të mos ulen nën standardet e përcaktuara në atë vendim, përveçse kur verifikohet përjashtimi i nenit 138, shkronja "a", të Kushtetutës.

Në këto kushte, referuar përmbajtjes së nenit 138 të Kushtetutës, ashtu edhe vendimit të saj nr. 35, datë 22.11.2022, Gjykata shtroi për zgjidhje pyetjen nëse zgjedhja e formulës aktuale është bërë në përputhje me qëllimin dhe objektivin e synuar dhe në raport të drejtë me nevojën që e ka diktuar atë. Për këtë qëllim, Gjykata vlerësoi se parimet dhe standardet nga të cilat duhet të udhëhiqet ligjvënësi në ushtrimin e diskrecionit për përcaktimin e pagës së gjyqtarëve, të cilat përbëjnë, njëkohësisht, edhe kufijtë e atij diskrecioni, synojnë, ndër të tjera: të ndalojnë uljen, të drejtpërdrejtë ose të fshehur, të shënjestruar të pagave dhe mbrojtjen ndaj instrumenteve që përmbajnë "elemente diskrecionale"; që paga të jetë e mjaftueshme dhe në përpjesëtim me dinjitetin dhe rëndësinë e funksionit; të ndalojnë ose kufizojnë uljen e pagës dhe/ose të caktojnë mekanizimin e rritjes/indeksimit të pagës për shkak të inflacionit me qëllim që ajo të ruajë vlerën reale sipas kostos së jetesës. Me fjalë të tjera, parashikimet ligjore të formulës duhet të jenë objektive, të parashikueshme, të qëndrueshme dhe transparente, në mënyrë që të përjashtojnë çdo ndërhyrje arbitrare nga pushtetet e tjera dhe t'i shërbejnë pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Gjykata, në përputhje me standardet kushtetutese të lartpërmendura, vlerëson se edhe pse është kushtetutshmërisht e lejueshme që ligjvënësi të parashikojë sisteme të ndryshme të pagave mes gjyqtarëve dhe funksionarëve të tjerë publikë apo që të ndryshojë formulën e llogaritjes së pagës së magjistratëve, mbrojtja kushtetuese që ofron neni 138 i Kushtetutës nuk lejon, në thelb, rregullime që sjellin rënie të vlerës reale të pagës gjyqësore, të drejtpërdrejtë apo të fshehtë.

Gjykata konstatoi se paga e gjyqtarit/magjistratit e caktuar në vitin 2016 nuk ka pësuar ndryshime, por vetëm problematika të zbatimit të ligjit në praktikë për shkak të mënyrës së formulimit të normës ligjore. Nga ana tjetër, pas vitit 2016, ekonomia e vendit është rritur në vijim, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur; fenomenet globale (Covid-19 dhe lufta në Ukrainë) kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Autoritet shtetërore bazuar në këto faktorë ekonomikë, krahas të tjerash, kanë kanë ndërmarrë politika shtetërore për rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat. Pjesë e këtyre masave ishte edhe ligji nr. 33/2023, i cili pagën e magjistratit e la të pandryshuar në dallim nga paga e nëpunësve të shërbimit civil (referenca e vjetër e formulës) dhe ajo e Presidentit të Republikës (referenca e re e formulës), që pësuan rritje domethënëse. Në këtë kuptim, ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re sipas ligjit objekt shqyrtimi, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka passjellë një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë, arsye për të cilat ligji nr. 33/2023 duhet të shfuqizohet.

Në këto kushte i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, për të përshtatur pagën e magjistratit me standardet kushtetuese, i cili duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026. Gjithashtu, duke konsideruar se ligji nr. 33/2023 parashikonte rregullim prapaveprues pasi formula e re përllogaritej nga data 01.04.2023, Gjykata vlerëson se efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogariten po nga data 01.04.2023, duke përcaktuar një skemë të arsyeshme përshtatjeje për pagesat e prapambetura për periudhën nga data 01.04.2023 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e fjalisë së parë të shkronjës "a" të nenit 1, si dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 "Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar"", si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

3. Detyrimin e Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31.07.2026.

4. Efektet e shfuqizimit sa më lart hyjnë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026.

5. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.