Padia e Grida Dumës ndaj Erion Veliaj për shpifje, SPAK kërkon pushimin e çështjes. Sipas prokurorit Behar Dibra kryebashkiaku nuk ka shkelur ligjin dhe nuk ka konsumuar elementet e veprës penale të shpifjes. Gjykata tërhiqet për vendim, jepet më 13 dhjetor ora 15:30. Kujtojmë se Duma paditi Veliaj për 'shpifje', pasi ky fundit e pati akuzuar atë si 'trafikante' apartamentesh.
Kjo përballje edhe juridike mes Erion Veliajt dhe Grida Dumës nisi më 23 janar kur pas disa përgjimeve të antimafias italiane për grupin mafioz 'Ndrangheta', Partia Demokratike, përmes ish-deputetes Grida Duma akuzoi edhe Erion Veliajn se po e përdor Tiranën si 'lavatriçe' për paratë e pista, të mafias dhe krimit të organizuar, duke marrë 20 % të fitimit.
Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Veliaj tha se do të padisë në gjykatë Grida Dumën për shpifje, teksa theksoi se dëshirat e disa mafiozëve italianë për të bërë plane biznesi për Shqipërinë dhe dëshirat e PD-së që këto plane të jenë të vërteta, janë bashkuar në gojën e një trafikanteje të njohur apartamentesh.