TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka kërkuar Gjykatës Administrative që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj të mos legjitimohet si paditës në procesin ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado. Kryebashkiaku kërkon anulimin e dekretit të presidentit që e emëroi Dadon prokuror në 2008 pa shkollën e Magjistraturës. Pas kërkesës së KLP-së, Veliaj i cili ishte edhe vetë i pranishëm në seancë, i kërkoi Gjykatës që të njihet me prapësimet e KLP-së dhe për këtë arsye seanca u shty për më datë 19 qershor ora 14:00.

Veliaj mbërriti në Gjykatë ndërsa në duar mbante një libër të titulluar “Mos digjni askënd në turrën e druve sot”, që duket më shumë si një mesazh politik ndaj procesit të tij me të cilin përballet që prej shkurtit 2025. Edhe fjalën e tij, e përqendroi tek akuzat se është përballur me një sulm frontal dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik që arriti deri në heqjen e lirisë personale dhe moslejimin e ushtrimit të mandatit si kryebashkiak i Tiranës.

“Edhe pasi fitova formalisht mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese, pas një përpjekjeje tjetër për ta shfuqizuar atë, unë vijoj të mbahem me këmbëngulje në paraburgim dhe izolim, ndërkohë që vetë ligjshmëria e burimit të atij pushteti penal ndodhet sot përpara kësaj gjykate për shqyrtim”, tha Veliaj.

Si Veliaj, ashtu edhe avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca thanë se KLP po përpiqet të mbyllë procesin në rrugë procedurale në mënyrë që gjykata të mos e shqyrtojë themelin e çështjes. Ata flasin për një “harmoni institucionale” për të mbrojtur Dadon, nisur edhe nga fakti se mbrojtja e Prokurorit dhe KLP pretendojnë se Veliaj nuk është palë legjitime që ta ngrejë çështjen në Gjykatën Administrative. 

“Vetë ky gjykim, ku ndodhemi sot, është një tjetër provë e këtij paradoksi absurd. Sepse edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj”, vijon Veliaj.

“Duket sikur ka harmonizim institucional e duan të mbrojnë me çdo kusht Dadon. KLP është organi më i interesuar për të vërtetën, KLP duhej të bëhej me ne palë në padi për të verifikuar nëse Dado ushtron autoritetin në bazë të kushtetues. Ajo që thuhet në gjyq është fakti që këta kanë harmonizim për mbrojtën që i bëjnë Dados”, tha Ndreca.

Veliaj tha se tashmë e gjithë Shqipëria e di që Ols Dado nuk është prokuror por ai po mbrohet në errësirë. Për këtë kryebashkiaku kritikoi ashpër KLP-në e cila sipas tij duhet të ishte e interesuar të zbardhej e gjithë çështja për të mbrojtur emrin e vet por bën të kundërtën.

“Unë vijoj të mbahem me këmbëngulje në paraburgim dhe izolim, ndërkohë që vetë ligjshmëria e burimit të atij pushteti penal ndodhet sot përpara kësaj gjykate për shqyrtim”, theksoi Veliaj. 

Gjyqi më pas vijoi edhe 50 minuta të tjera, me avokatin e Veliajt që kërkoi verifikimin nëse përfaqësuesja e KLP-së kishte autorizim nga ky insitucion kolegjial për të mbajtur qëndrimet që ai i quajti identike si i padituri Ols Dado.

Për mediat avokat Ndreca tha se vetë përfaqësueja e KLP e pranoi se nuk ka pasur një mbledhje dhe vendimarrje të institucionit për këtë çështje, ndërsa edhe një herë akuzoi se ka një ‘harmonizim institucinal’ në mbrojtje të  Dados.

“KLP duhej të bëhej me ne në padi për të verifikuar nëse Dado e ushtron autoritetin në bazë të Kushtetutës. Ajo që thuhet në gjyq është fakti që këta kanë harmonizim për mbrojtjen që i bëjnë Dados”, tha Ndreca. 

Seanca u transmetua direkt vetëm pak minuta, pasi gjyqtari Hazbi Balliu refuzoi kërkesën e Veliajt që i gjithë gjyqi të jetë LIVE. Balliu pranoi kërkesën e avokatit të Dados dhe KLP-së për një proces të mbyllur, dhe nxori kamerat jashtë sallës. Me kamera – tha gjyqtari – do të transmetohet vetëm hapja e seancave dhe momentet kur jepen vendime, të ndërmjetme ose përfundimtare. Në mbështetje të Veliajt në seancë shkuan një numër i madh artistësh, përfshirë edhe aktorin Robert Ndrenika. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:39
Artistët i puthin dorën Veliajt, i bashkohen kryebashkiakut në Gjykatë Administrative (VIDEO)

Aktorë dhe artistë të njohur shkuan në sot në Gjykatë Administrative për të shprehur mbështetjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Arjola Demiri, Robert Ndrenika, Ardit Çuni e të tjerë deklaruan hapur solidaritetin e tyre me kryebashkiakun, i cili ndodhet në paraburgim për më shumë se një vit, dhe sot kërkon nga Gjykata Administrative një përgjigje: Ols Dado, prokurori i posaçëm i dosjes së tij, është emëruar magjistrat konform ligjit, apo jo?

Ora 15:35
Shkoi në Administrative për të mbështetur Veliajn, aktori Ndrenika: Djalë i rritur me probleme, e përballoj burgun për të

Aktori i mirënjohur shqiptar Robert Ndrenika ishte sot në Gjykatën Administrative në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj lidhur me çështjen kundër prokurorit të SPAK Olsi Dados. Në dalje për mediat ai tha se nuk i kishte kuptuar asnjëherë 13 akuzat që SPAK ka ngritur kundër tij.

Ndrenika komentoi dhe deklaratën e bërë brenda në sallë ku i tha Veliajt se “çfarë të ka mbetur nga burgu, vij e bëj unë për ty”.

Gazetar: Pse zgjodhët të ishit i pranishëm në gjyqin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës?

Ndrenika: Sepse e njoh që fëmijë, pothuajse e kam ndjekur që në fëmini. është djalë jetim, i rritur me halle, me probleme, dhe që në fillore ka qenë filozof fëmijë.

Gazetar: Kjo ishte arsyeja që erdhët ditën e sotme për ta mbështetur?

Ndrenika: Edhe që i ka ndihmuar shumë teatrin dhe artistët.

Gazetar: Si t’u duk pamja e z. Veliaj, pas gati një viti e pak në burg?

Ndrenika: Mirë m’u duk.

Gazetar: Pra, nuk kishte ndryshuar?

Ndrenika: Jo, them që jo.

Gazetar: Po ndonjë këshillë, se e pamë që i thatë “e bëj unë burgun për ty”?

Ndrenika: E dëgjove këtë?

Gazetar: Isha në rreshtin e parë.

Ndrenika: Po të jetë nevoja, e bëj.

Gazetar: E përballoni dot?

Ndrenika: Posi!

Gazetar: Po 13 akuzat ndaj z. Veliaj?

Ndrenika: Unë s’i kam kuptuar ato akuza.

Ora 15:30
Ndreca: KLP s’e verifikoi asnjëherë dekretin e presidentit për emërimin e Dados, zv.kryetari na ktheu përgjigje në shkelje të ligjit

Avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, pas mbylljes së seancës, tha për mediat se zv,kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është shprehur në kundërshtim me ligjin mbi një kërkesë që mbrojtja e Veliajt i kishte drejtuar kohë më parë për të verifikuar vlefshmërinë e dekretit të presidentit për emërimin e Ols Dados prokuror.

Ndreca tha e nuk ka një vendimmarrje të KLGJ pasi nuk është mbledhur asnjëherë si organ kolegjial , por përgjigja u është kthyer nga zv,kryetari, i cili sipas Ndrecës është shprehur në kundërshtim me ligjin.

Plarent Ndreca: Ajo që paralajmërova besoj se doli, që ka një presion të shtuar në këtë çështje. Shpejtësia me të cilën tentohet të kalohen fazat procedurale dhe të anashkalohen kërkesat tona, me legjitimimin e përfaqësueses së KLP-së që nuk ka një vendim, është shqetësuese. Ne kemi konstatuar se ka një shkresë pa autorizimin e Këshillit të Lartë, të cilën gjykata nuk duhej ta injoronte. Kërkuam që kamerat të jenë online, por u refuzuam bazuar në një udhëzim të KLP-së. E gjithë kjo panoramë na e shton dyshimin se jemi në një situatë ku ka presion institucional dhe tentohet të shmanget merita e çështjes, si edhe fakti nëse prokurori Dado ka autorizim ligjor për të ushtruar autoritetin apo jo.

Kishte të bënte me tagrin e përfaqësimit, nëse përfaqësuesja e kishte apo jo. Është Këshilli i Lartë që merr vendime, aq më tepër për statusin e prokurorëve. Për shkak se nuk ka një vendimmarrje, përfaqësuesja nuk mund të kishte tagrin e një organi që nuk e kishte ushtruar tagrin kushtetues.

Ne i jemi drejtuar Këshillit të Lartë për të marrë një vendim. Deri në seancën e kaluar kemi qenë në mirëbesim se KLP kishte marrë vendim dhe nuk kishim arsye të dyshonim që shkresa nuk ishte e KLP-së. KLP nuk është mbledhur asnjëherë për këtë çështje. I kërkova përfaqësueses të na jepte vendimin, por ai nuk ekziston. Kryetari është shprehur në mënyrë të paligjshme.

Duket sikur ka një harmonizim institucional dhe duan të mbrojnë me çdo kusht Dadon. KLP është organi më i interesuar për të vërtetën. KLP duhej të bëhej me ne në padi për të verifikuar nëse Dado e ushtron autoritetin në bazë të Kushtetutës. Ajo që thuhet në gjyq është fakti që këta kanë harmonizim për mbrojtjen që i bëjnë Dados.

Ora 15:10
‘Olsi më është qepur për inceneratorin e Teatrin’, Veliaj: S’gjeti gjë dhe hyri te familjarët

1778242598_erionveliaj.jpg

Inceneratori i Tiranës dhe Teatri Kombëtar janë disa nga pretendimet e Erion Veliajt në gjykatë, si episode që prokurori Ols Dado “i është qepur” pas.

“S’e di ti që Olsi më është qepur për inceneratorin, Teatrin?”, mësohet të jetë shprehur Veliaj, duke shtuar se më pas, ka vijuar me kontrollin te familjarët.

“S’i gjetëm gjë me punën e tij e hajt t’i hyjmë robve të shtëpisë”, ka thënë kryebashkiaku, një referencë e qartë për kontrollin ndaj bashkëshortes Ajola Xoxa e familjes së tij.

Ora 14:56
‘Nëse pranojmë heshtjen, s’ka më shtet të së drejtës’, Veliaj: Pushteti i pakontrollueshëm është arbitraritet

1778242580_erionveliaj.jpg

Duke ngritur para gjykatës pyetje për legjitimitetin e pushtetit që e privoi nga liria dhe ushtrimi i detyrës, kryebashkiaku Veliaj shtoi nëse një qytetari i duhet të heshtë dhe mos të kërkojë kontroll. Sipas tij, kjo do të sillte vetëm një pushtet penal që nuk do të kontrollohet dhe si rrjedhojë, s’është drejtësi, por arbitraritet.

“Kush mund të legjitimohet më shumë për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së këtij autoriteti sesa vetë qytetari, liritë dhe të drejtat themelore të të cilit janë cenuar drejtpërdrejt nga ushtrimi i tij? Kush mund të legjitimohet më shumë sesa një individ të cilit i është hequr liria personale, i është kontrolluar jeta private, i është ndërprerë ushtrimi i mandatit publik dhe ndaj të cilit është ushtruar forma më intensive e pushtetit penal të shtetit? Dhe po kështu, kush mund të legjitimohet më shumë sesa vetë Bashkia e Tiranës, institucionit të cilit iu ndërpre ushtrimi normal i mandatit të kryetarit të zgjedhur, si pasojë direkte e ushtrimit të këtij autoriteti? Sepse në fund fare, pyetja bëhet akoma më e thjeshtë sesa gjithë ky proceduralizëm përpiqet ta paraqesë: Çfarë duhet të ndodhë më shumë mbi një qytetar dhe mbi një institucion demokratik, që ata të kenë të drejtën t’i kërkojnë gjykatës verifikimin e ligjshmërisë së pushtetit që është ushtruar mbi ta. Apo mos duhet që qytetari të heshtë fare? A duhet të pranojë çdo ndërhyrje mbi jetën, lirinë dhe dinjitetin e tij, pa pasur të drejtën t’i kërkojë gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet mbi të? Sepse nëse kjo është logjika që pranohet, atëherë ne nuk kemi më një shtet të së drejtës. Atëherë kemi një pushtet penal që kërkon të qëndrojë jashtë kontrollit. Ky pushtet i pakontrollueshëm nuk është drejtësi. Ai është arbitraritet”, tha Veliaj.

Ora 14:54
Padia ndaj Dados/ Veliaj: Qytetari mund t’i japë drejtësisë shpatën e pushtetit, por s’mund të pyesë kush e përdor kundër tij?

1778243851_erionveliaj.jpg

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, reagoi në lidhje me kërkesën e KLP që ai të mos legjitimohet si palë paditëse. Veliaj tha se po pretendohet se ai nuk ka të drejtën ti drejtohet gjykatës për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që i hoqi lirinë personale. Sipas tij, qytetari mund të hetohet, survejohet apo edhe t’i ndërpritet mandati, por nuk mund të kërkojë verifikimin e autoritetit që ushtron këtë pushtet ndaj tij.

“Si i padituri Dado, ashtu edhe vetë KLP autoriteti që duhej të kishte garantuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtij funksioni publik, sot pretendojnë se unë nuk legjitimohem t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar kontrollin e këtij autoriteti. Sepse sipas kësaj logjike, qytetari mund të hetohet, të survejohet, të arrestohet, të izolohet dhe të kontrollohet në çdo aspekt të jetës së tij personale, familjare dhe publike; një kryetari bashkie mund t’i ndërpritet ushtrimi i mandatit të dhënë nga qytetarët; qytetarëve mund tu merret nga zyra kryetari i zgjedhur prej tyre, por në momentin që ata i drejtohen gjykatës për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet, atëherë ai nuk konsiderohet më subjekt i mbrojtjes së ligjit, por rrezik për drejtësinë vetë. Pra, qytetari mund t’i japë drejtësisë shpatën e pushtetit për të vepruar në emër të tij, por nuk paska të drejtë të pyesë se kush po e mban atë shpatë, me çfarë legjitimiteti e mban dhe në emër të kujt po e përdor kundër tij. Benjamin Cardozo, një nga figurat më të ndriçuese të Gjykatës Supreme amerikane, paralajmëronte se drejtësia humbet kuptimin e saj në momentin kur garancitë proceduriale reduktohen deri në pikën që qytetari mbetet i pambrojtur përballë pushtetit. Dhe pikërisht këtu lind pyetja thelbësore e kësaj çështjeje”, tha Veliaj.

Ora 14:50
‘Pala përballë s’do që padia ime të shqyrtohet në themel’, Veliaj në gjykatë: Sipas tyre, s’kam të drejtë të kërkoj legjitimitetin e pushtetit që më burgosi

1778243742_erionveliaj.jpg

Pala e akuzuar nga Veliaj, pra Ols Dado, dëshiron që gjykata të mos shqyrtojë pretendimin e tij në themel, thotë kryebashkiaku i Tiranës para trupit gjyqësor. Ai shton se sipas pretendimit të palës së paditur, s’mundet t’i kërkojë gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që i hoqi lirinë.

Këtu ai ngre pyetjen se cili është legjitimiteti me të cilin po ushtrohet pushteti mbi të që e vendosi nën përgjim dhe hyri në çdo cep të jetës së tij.

“Edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj. Dhe kjo është ajo që e bën këtë çështje shumë më të rëndë sesa një debat procedural. Sepse në thelb të pretendimit që paraqitet përpara Jush qëndron ideja se unë nuk paskam të drejtë t’i kërkoj gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që më hoqi lirinë personale; të autoritetit që më vendosi në përgjim; që kontrolloi jetën time private dhe 3 të familjarëve të mi; të autoritetit që hyri në çdo dimension të jetës sime personale dhe institucionale. Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?”. Pra, pushteti mund të ndërhyjë mbi mandatin e një kryetari bashkie edhe në kundërshtim me kufijtë që vendos vetë ligji, por kryetari i zgjedhur nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi bashkinë dhe mbi këtë qytet”? Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh i kësaj çështjeje”, tha Veliaj.

Ora 14:45
‘Ndaj meje e familjes sime është ushtruar vetting penal’, Veliaj në gjykatë: Prej dy vitesh jam nën sulm të pandalshëm e disproporcional

1778243889_erionveliaj.jpg

Në fjalimin e tij përpara Gjykatës, kryebashkiaku Veliaj thotë se prej dy vitesh ka pasur një sulm disproporcional të pandalshëm që arriti deri në heqjen e lirisë së tij dhe pamundësinë për të ushtruar mandatin.

Më tej, thotë se vijon të mbahet në paraburgim e izolim edhe pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë për mandatin. Veliaj theksoi se çdo aspekt e dimension i tij familjar e personal është vënë nën lupë duke rezultuar në një “vetting” penal. Ai thekson se do të përballet me të vërtetën.

“Prej më shumë se dy vitesh, menjëherë pas zgjedhjes sime për herë të tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam vënë përballë një sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik; një përplasje që, në përfundim të saj, arriti deri në heqjen e lirisë sime personale dhe në pamundësimin e ushtrimit të mandatit që ma besuan 160 mijë qytetarë të Tiranës. Madje, edhe pasi fitova formalisht mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese, pas një përpjekjeje tjetër për ta shfuqizuar atë, unë vijoj të mbahem me këmbëngulje në paraburgim dhe izolim, ndërkohë që vetë ligjshmëria e burimit të atij pushteti penal ndodhet sot përpara kësaj gjykate për shqyrtim. Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Është hetuar çdo dimension personal dhe familjar i imi. Mbi mua dhe familjen time është ushtruar, në thelb, një formë e plotë “vetingu” jo administrativ por penal, jashtë çdo standardi normal proporcionaliteti. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, unë kam bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment. Kam kontribuar për të lehtësuar punën e saj. Nuk kam pasur asnjë hezitim, asnjë drojë dhe asnjë mëdyshje për t’u përballur me procesin dhe me të vërtetën as dje, as sot”, thotë kryebashkiaku.

Ora 14:44
Veliaj në Administrative: Po tentohet që procesi ndaj meje të kalojë shpejt, s’kam akses real në dosje, s’më lejohet të dëgjoj përgjimet

1778243474_erionveliaj.jpg

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj hodhi akuza në seancën në Administrative ndaj Dados se po tentohet që çështja  etij të kalojë me shpejtësi dhe proceduralisht e cunguar. Ai tha se nuk i lejohet të ketë akses të plotë dhe real në dosje, as të dëgjojë përgjimet dhe as komunikimi me avokatët ndërkombëtarë.

“Për më shumë se dy vite u përdor çdo mekanizëm i mundshëm politik, mediatik dhe juridik për të më sjellë përpara drejtësisë, në mënyrën më denigruese të mundshme, për një njeri që akoma mban besimin e një qyteti të tërë për drejtimin e tij. 

U përdorën hetime, përgjime, kontrolle, ekspozim publik dhe çdo formë tjetër e ushtrimit të pushtetit penal, me argumentin se unë duhej të vihesha përballë drejtësisë.  Sot që unë ndodhem përpara drejtësisë, me vullnetin e plotë për t’u përballur me të, paradoksi është se i njëjti mekanizëm duket se nuk do më një përballje reale me drejtësinë, por një përballje të kufizuar, të kontrolluar, të shpejt dhe proceduralisht të cunguar. Sepse nuk kërkohet vetëm kufizimi i lirisë sime fizike. Kërkohet edhe kufizimi i mundësisë sime për t’u mbrojtur efektivisht e përballur me dinjitet.  Mua nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje. 

Nuk më lejohet të dëgjoj të gjitha përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk më lejohet komunikimi me avokatët e mi ndërkombëtarë. Nuk më lejohet të informoj opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar mbi natyrën reale të kësaj çështjeje. Sigurisht, nuk më lejohet as ushtrimi i mandatit që qytetarët e Tiranës më kanë besuar. Pra, ndërsa mbi mua ushtrohet çdo kufizim që mund t’i ushtrohet një qytetari, njëkohësisht bëhet gjithçka që unë të mos mund të ushtroj në mënyrë efektive ato të drejta që vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë m’i garanton. Dhe sa herë që përpiqem të ushtroj një prej këtyre të drejtave, krijohen pengesa të reja proceduriale, të cilat jo vetëm e bëjnë ushtrimin e tyre gjithnjë e më të vështirë, por përdoren më pas edhe kundër meje, për të justifikuar cenime të mëtejshme të lirisë sime personale. Vetë ky gjykim, ku ndodhemi sot, është një tjetër provë e këtij paradoksi absurd”, thotë Veliaj.

Ora 14:29
Seanca ndaj Dados/ Veliaj: Procesi i ngritur në errësirë, e di gjithë Shqipëria që Dado nuk është prokuror

1778242610_erionveliaj.jpg

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në seancën në administrative tha se e di gjithë Shjqipëria që dado nuk është prokuror. Ai shtoi se procesi ndaj tij është ngritur në errësirë.

“E di gjithë Shqipëria tashmë që Ols Dado nuk është prokuror. Ky proces është ngritur në errësirë. KLP për të mbrojtur emrin e vet, duhet të ishte pala më e interesuar. KLP ka kthyer një përgjigje duke thëne që ne nuk merremi me kë është caktuar para nesh. Presidenca ka pranuar një gabim të asaj kohe”, tha Veliaj.

Ora 14:26
Spektaktorët ‘VIP’, të famshmit e artit dhe ekranit mbështesin Veliajn në sallën e gjyqit

Gjyqi në Administrative i Erion Veliajt ka tërhequr edhe disa figura publike.

Për të ndjekur seancën janë të pranishëm aktori Robert Ndrenika, i cili e takoi kryebashkiakun e Tiranës duke e përqafuar dhe puthur në ballë. Aktori i humorit, Gaz Paja, ka hyrë gjithashtu në sallë, si edhe Arjola Demiri.

Këngëtari Ardit Çuni dhe moderatorja Xhilda Luzi kanë shfaqur gjithashtu përkrahjen e tyre, si edhe Ilir Yzeiri e Halit Valteri.

Ora 14:24
Seanca ndaj Dados/ KLP kërkon moslegjitimimin e Veliajt në padi

1778242625_erionveliaj.jpg

Në senacën ndaj Ols Dados, KLP kërkoi moslegjitimimin e palëve paditëse.

Gjykata: Pala e tretë, KLP, është thirrur si palë e paditur. Jeni gati për sot apo kërkoni shtyrje të seancës?

KLP: I kemi përgatitur me shkrim materialet tona, seanca mund të vijojë. Ne mbajmë të njëjtin qëndrim, por përpara se të vijojë kjo gjykatë me seancën e themelit, kërkojmë moslegjitimimin e palëve paditëse dhe gjykata të dalë me një vendim të ndërmjetëm.

Plarent Ndreca: Ne kemi parashtrimet përkatëse, por do të na duhet kohë ndoshta më pas për të verifikuar qëndrimin e palës tashmë të paditur.

Ora 14:14
Transmetimi live i seancës, rrëzohet kërkesa e Veliajt! Gjykata urdhëron fikjen e kamerave (VIDEO)

 

Është rrëzuar kërkesa e kryebashkiakut Erion Veliaj për transmetimin e plotë të seancës në Gjykatën Administrative. Gjykata ka vendosur lejimin e transmetimit në fillim të saj dhe në disa momente vendimi.

“Regjistrimin dhe transmetimin e pjesshëm të seancës, në çelje dhe në pjesë të seancës kur të japë vendime. Kamerat duhet të regjistrojnë palën paditëse ose gjykatën, jo të tjerë. Gazetarët mund të jenë të pranishëm dhe të mbajnë shënime, por jo regjistrime. Kamerat të fiken dhe mos të regjistrohet”, tha gjykatësi.

Ora 14:09
Veliaj kërkon transmetimin live të seancës, Ndreca: Liria e medias parim kushtetues, duhet të regjistrohet! Trupi gjyqësor tërhiqet për vendim

 

Kryebashkiaku Veliaj ka kërkuar transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës në Administrative, diçka që kundërshtohet nga avokati i prokurorit Ols Dado. Në argumentimin e tij, Ndreca përsëriti se është një parim kushtetues dhe është një rast që nuk cenon procesin.

“E drejta e çdo qytetari për të qenë në një seancë gjyqësore, pra parimi kushtetues i publicitetit të seancës nuk mund të ndalohet përveçse kur cenohet integriteti i sallave, i një procesi gjyqësor që në këtë rast nuk ndodh. Kushtetuta përcakton lirinë e medias dhe ajo duhet të ketë në dispozicion mjetet që ta ushtrojë veprimtarinë e saj e lirë. Di të them që duhet të regjistrohet”, tha Ndreca ndërsa trupa gjyqësore u tërhoq në dhomën e këshillimit.

Ora 14:05
‘Ç’të mbeti nga burgu, do ta bëj unë’, Robert Ndrenika përqafon i përlotur Veliajn dhe e puth në ballë (VIDEO)

Në seancën e kësaj të premteje një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Erion Veliajt, në senacën kundër Ols Dados. 

Takimi më surprizues ishte ai me aktorin e madh Robert Ndrenika, vetëm pak minuta para nisjes së procesit gjyqësor.

Aktori u takua me kryebashkiakun Veliaj, të cilit i tha “ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë.”

Jooo”, i përgjigjet Veliaj, ndërsa aktori e përqafon dhe e puth në ballë, ndërsa kryetari i Tiranës shton: “Mos qaj.”

Edhe aktori i humorit, Gaz Paja, ishte gjithashtu në sallë bashkë me Arjola Demirin. 

 

Ora 14:05
Padia ndaj Dados/ Veliaj kërkon seance publike: Në interesin tim që çdo gjë të jetë transparente! Mbrojtja e Dados dhe KLP kundër (VIDEO)

 

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kërkoi seancë publike në gjyqin ndaj Ols Dados.

“Është në interesin maksimal që çdo gjë të jetë transparente ndaj e kam kërkuar”, tha Veliaj.

Mbrojtja e prokurorit Dado dhe KLP kundërshtuan. 

Ora 13:50
Padia kundër Dados, momenti kur Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj mbërriti sërish në Gjykatën Administrative, për të marrë pjesë personalisht në gjyqin kundër Ols Dados. Për këtë të fundit, Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit si prokuror në vitin 2008.

Veliaj mbante në dorë një libër në gjuhën angleze të autores Naomi Alderman, që titullohej “Mos digjni askënd në turrën e druve sot”. 

Ora 13:44
Sot seanca e Veliajt ndaj Dados në Administrative, aktorët Ndrenika dhe Gaz Paja shkojnë për të ndjekur gjyqin (VIDEO)

 

Dy aktorët, Robert Ndrenika dhe Gaz Paja janë paraqitur në Gjykatën Administrative për të ndjekur seancën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ndaj Ols Dados.

P.J/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • toma: 09/05/2026 03:06

    Kur degjon Hazbiun se si flet, se si i shpjegon vendimet, me njen gjuhe shume te dobet, kupton se çfare profesionalzmi ka ai, dhe gjykatat ne pergjegjesi. Ai, Hazbiu, i trembet Spakut qe mbron noterin. Turp. Kjo ehste gjykata jone e nje drejtesie te re, por aspak profesionale.

    Përgjigju
  • Margarita: 09/05/2026 01:38

    Po ky aktori madh??? Turp

    Përgjigju
  • tel: 08/05/2026 18:20

    Turp.KLP thote i pandehuri nuk duhet te legjitimohet si padites.Atehere kjo eshte dicka shume e thjeshte qe KLP mund ta zgjidhe vete dhe shpejt. Le te beje publike te gjitha dokumentat se si Dado eshte bere prokuror.Le te argumentoje qe ai plotesonte kushtet per te qene prokuror dhe eshte zgjedhur ne ate post ne perputhje me te gjitha ligjet. Perndryshe KLP po shkel ligjet duke mbajtur Dadon prokuror, njesoj si ata qe emeruan Dadon prokuror.

    Përgjigju
  • Nastradini: 08/05/2026 17:54

    Po mir kshu kot për muhabet. Po e zem që Dado nuk e vendosur prokuror në mënyrë të rregullt. Ca do ndryshonte për Velia për veç kunjit personale, do i zhduken krimet që ka kryer

    Përgjigju
    • tel: 08/05/2026 19:32

      Po pra.C'fare frike kane keta te KLP-se qe te bejne publike dokumentat dhe proceduren sesi o be Dado prokuror? Nqs nuk ka ndikim tek ceshtja e Veliajt perse kane frike nga transaprenca keta?SPAK ka prokurore te tjere qe mund ta ndjekin ceshtjen,pse e kane kaq merak qe duhet te jete patjeter Dado prokuror i ceshtjes kur ai mund te jete bere prokuror ne menyre te paligjshme? Pse nuk ngulmojne tek ruajtja e integritetit te institucionit te SPAK por tek fshehja e dokumentave per te mbrojtur individin Dado? Eshte SPAK=Dado?

  • Landi: 08/05/2026 17:00

    Te shohim nese Veliaj do hedhe ne ere padrinon e vet, Ramen.

    Përgjigju
  • Populli: 08/05/2026 16:26

    Obobo çfarë turpi o "aktorët" e Shqipërisë! Tmerr, çfarë keqpërdorimi po u bëhet. Po si more shkoni në një seancë kundër një prokurori??? Po ku e dinj ju çfarë ka bërë Erion Veliaj? Jazëk u qoftë.

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 09/05/2026 10:12

      Mbajeni mend Erion Veliaj do ta fitoj gjyqin ne Strasburg , dhe te gjithe ju qe e quani hajdut do te ngeleni me mut ne goje bashke me prokurore si dumani dado e KLP .

    • Meri: 08/05/2026 21:39

      Kundër kujt prokurori ? Olsi Dado paguhet nga taksat tona,për nji vēnd punë qē nuk e meriton,sepse nuk ka arsimin e duhur,kështu që,nuk është i aftë ta kryej siç duhet atë prefesion...po të ishte burr I mirë dhe i ndershēm ,duhet të kishte dhën dorëheqjen.Po ti,ku e di cfar ka bër Veliaj? Turp të të vij tu,që na paske vën edhe emërin Populli,po flet edhe në emēr të të tjerēve,si dhe në emërin tim.Tru peshk...

    • Eni: 08/05/2026 17:45

      Pako do shkoj sepse eshte investitor stradegjik me rrogat e veta dhe te luftarit,pra paguhet te luaje rolin e investitorit stregjik Per Ndreniken vetem keqardhje ,ndofta nga mosha sepse eshte vertet aktor i madh dhe nuk ka pse luan kesoj rolesh te peshtira Kemi nje gjykate e mire ose keqe ,ajo eshte qe jep drejtesi ,te presim deri atehere dhe pastaj ta puthim ne balle Veliaj ose ti hedhim nje peshtyme ne surrat qe shperdoroi besimin e 800 000 qytetareve te Tiranes

  • Sondazhi i ditës: 9 Maj, 13:00

    PS propozon masa më të ashpra për shoferët e dehur e ata të rinj, si iu duket?