TIRANE - Kallëzimi i ministrisë së Financave kundër ishministrit Ridvan Bode dhe zv/ministrit Sherefedin Shehu, po verifikohet nga prokuroria e Tiranës, dhe në kuadër të këtyre verifikimeve organi i akuzës do të pyese të gjithë anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave.

Njësia Task-Forcë, që po kryeson hetimet ka bërë me dije se ka dërguar fletë-thirje të gjithë anëtarëve të komisionit, për t’i pyetur rreth asaj që sipas kallëzimit të ministrisë së Financave konsiderohet si shkelje ligjore. 

Pyetja e tyre do të konsistojë në mënyrën se në çfarë formash dhe çfarë kritere janë përdorur për marjen e kredisë prej 230 milion euro në dy banka të huaja. Sipas burimeve të prokurorisë zyrtarët e Ministrisë së Financave do të pyetën me cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen, pasi kallëzimi është regjistruar për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera” në bashkëpunim.

Sipas prokurorisë, anëtarët e këtij komisioni do të japin shpjegime për të gjitha procedurat e ndjekura dhe manyrën e përzgjedhjes së bankave,nga e cila u morën 230 milionë euro. Pas akuzave të ngritura nga Ministria e Financave, hetuesit thanë se do të pyetën ish-ministri Ridvan Bode dhe ish-zv/i tij Sherefedin Shehu.

Sipas hetuesve për llogari të këtij hetimi pak ditë më parë është sekuestruar e gjithë praktika e ndjekur nga anëtarët e komisionit të vlerësimt të ofertave, që nga hapja e tenderit, përcaktimi i kritereve si dhe përzgjedhja e ofertuesve fitues.

Sipas kallëzimit, Bode dhe Shehu akuzohen se gjatë procedurës së tenderit për marrjen e kredisë prej 230 milion eurove kanë konsumuar element të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera” në bashkëpunim.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)