Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm deputetin socialist Erion Braçe, pas padisë së ngritur kundrejt tij për shpifje.

Biznesmeni Anduel Çekrezi e kishte paditur deputetin e PS për ‘shpifje’, me pretendimin se Braçe ka thënë se Çekrezi ka zaptuar tokën e fshatarëve në Imshtë të Lushnjes, pranë lumit Seman, për të ndërtuar park FotoVoltaik. Çekrezi gjithashtu e akuzon Braçen dhe për fyerje publike.

Pas daljes nga gjykata, në një deklaratë për gazetarët, Braçe tha se sot është ditë shumë e mirë për çdo burim ujor që mbrohet qartazi nga ligji, gjë që e gëzon më shumë sesa vendimi i pafajësisë.

“Është ditë shumë e mirë për lumenjtë, për çdo përrua, për shtretërit e tyre, për tokat që janë pronë e tyre, ashtu siç është ditë shumë e mirë për çdo burim tjetër ujor, përfshirë detet, brigjet e tyre që mbrohet qartë nga ligji që thotë qartë se toka nga vija e ujit deri në argjinaturë apo deri atje ku prurjet më të mëdha të deteve mbërrijnë, janë pronë shtetërore e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme. Dua ta theksoj këtë gjë sepse është bërë batërdi shumë e madhe me detet dhe lumenjtë e këtij vendi. Nuk jam i kënaqur për pafajësinë sa ç’jam për atë mbrojtje që Semani, Shkumbini, çdo lumë i këtij vendi, pas këtij vendimi mund të ndihet i mbrojtur dhe që detyron të gjitha organet shtetërore të zbatojnë ligjin”, tha Braçe.

Në gjykatë avokati Elis Bilali teksa po lexonte konkluzionet përfundimtare tha se Anduel Çekrezi disponon dokumente të rregullta pronësie. Sipas avokatit, deputeti ka bërë postime kundër Çekrezit ku në thelb ishte diskriminimi.

Vetë biznesmeni tha se “prej 3 vitesh jam etiketuar padrejtësisht nga një person që ka qenë edhe zv/kryeministër. Problemi nuk ishte fakti që unë kisha blerë një tokë private, por se nuk pranova të investoj në tokë shtetërore.” Çekrezi tha se nuk kërkon privilegj, por drejtësi.

Ndërsa deputeti Erion Braçe u shpreh se ka zgjedhur të mbrojë interesin publik.

“Emrin e biznesmenit nuk e kam përmendur, por vetëm mbiemrin. Unë nuk takoj biznesmenë edhe për shkak të konfliktit të interesit. Vëllain e Anduel Çekrezit e kam pritur me porosi të kryeministrit Edi Rama. Aty në zyrë i kam paraqitur ligjin. I kam thënë mos shko më tutje. I kam thënë hajde në Divjakë pasi është krijuar një zonë tjetër për investim në park fotovoltaik”, është shprehur Braçe.

Duke u mbështetur te fjalët e Braçes, prokurori Ols Dado tha se “këto pretendime kanë nisur që nga salla e Kuvendit dhe më pas në rrjete sociale.” Më pas shtoi se “janë bërë në mbështetje të mandatit të deputetit”, ndërsa u shpreh se termat “aga” dhe “zengjin”, “nuk futen te gjuha e shpifjes”. "Kemi një deputet që shqyyr është", tha Dado duke kërkuar më pas pafajësinë e deputetit. 

Avokati Bilali kërkoi përjashtimin e prokurorit duke e cilësuar si “të njëanshëm.”

Biznesmeni pretendonte se Braçe ka shpifur kur ka thënë se Çekrezi ka zaptuar tokën e fshatarëve në Imshtë të Lushnjes, pranë lumit Seman, për të ndërtuar park fotovoltaik, kur ky i fundit thotë se e ka blerë. Braçe ka kërkuar të hetohet ndër vite e gjithë procedura e ndjekur dhe abuzimet që janë bërë me privatizimet për tokat buzë lumenjve dhe liqeneve që janë shtetërore, argument për të cilin u mbështet mbi ligjet e zbatuara.