Paga mesatare për një të punësuar në Shqipëri arriti në 86 mijë e 984 lekë në fund të vitit 2025, duke u rritur në raport me vitin 2024, kur paga mesatare ishte 83 mijë e 401 lekë.
Rritja më e fortë në tremujorin e fundit të 2025-ës thotë INSTAT është regjistruar tek Forcat e Armatosura me 10,6% dhe nëpunësit civilë me 6,2%.
Hendeku në paga midis sektorit shtetëror dhe atij privat mbetet i lartë. Shifrat e INSTAT tregojnë se paga mesatare për të punësuarit në administratë publike është 23.784 lekë më shumë, pasi rroga mesatare në sektorin publik ka arritur në 103 mijë lekë, ndërsa në privat është 79 mijë lekë.
Profesionet më të mirëpaguara mbeten ato të fushës së aktiviteteve financiare dhe sigurimit, informacionit e komunikacionit. Por, të dhënat e INSTAT nxjerrin në pah edhe pabarazinë e theksuar mes sektorëve të ekonomisë, ku fushat me numrin më të madh të punonjësve ka paga më të ulëta se mesatarja kombëtare.
Kështu, bujqësia mbetet sektori më i nënpaguar, ku rroga mesatare e punonjësve përllogaritet në 56.1 mijë lekë, ndjekur nga ndërtimi me 70.7 mijë lekë dhe më pas vjen sektori i tregtisë, transportit dhe turizmit me një mesatare prej 71.3 mijë lekë dhe industria me 73.3 mijë lekë. Edhe pse janë kategori që kanë pësuar rritje në raport me vitin 2024, përsëri nuk e arrijnë pagën mesatare që ka vendi.
Pavarësisht aksioneve kundër nëndeklarimit të pagave nga bizneset apo rritjes së tyre të detyruar nga mungesa e punonjësve, shifrat e INSTAT, tregojnë se 46% e të punësuarve në vend paguhen deri në 60 mijë lekë. Më pas, 24.8% marrin paga nga mbi 60 deri në 95 mijë lekë dhe pjesa tjetër 29.4% paguhen mbi 95 mijë lekë.
Nga ana tjetër vjet është ulur papunësia, nga 8.8% që ishte në 2024-ën ka zbritur në 8.3%. turizmi vlerësohet si motori kryesor i rritjes së punësimit ndërsa bujqësia dhe industria vijojnë të japin tregues negativ.
Komente








