Pagat e administratës, ja sa
bëhen sipas gjithë kategorive

TIRANE-Me ndryshimin e pagave në administratë, rroga më e ulët bruto do të jetë 37.500 lekë. Ndërsa më e larta e një nëpunësi civil, ajo e sekretarit të përgjithshëm në ministrinë e Financave do të jetë 170.800 lekë, ose 1.255 euro.

Këto shifra përfshihen në një dokument të Ministrisë së Financave, që shpjegon me detaje propozimin për rritje të pagave në administratën publike, të njoftuar tashmë nga kryeministri Edi Rama më 30 nëntor në një takim me përfaqësues të administratës publike. Vendimin për këtë rritje do ta marrë Këshilli i Ministrave dhe një gjë e tillë pritet të hyjë në fuqi nga 1 marsi i vitit të ardhshëm.

Por sa do të jenë konkretisht pagat që do të marrin punonjësit e kësaj administrate?
 
Funksionet e ulta
Vendimi parashikon një rritje të pagës bazë minimale me 36.3%, ose me 8.000 lekë në muaj, që e bën këtë pagë (pa shtesat për vjetërsi, etj)  30.000 lekë/muaj.

Paga bruto minimale në administratën publike (jo në sektorin privat) shkon rreth 37.500 lekë/muaj, për shkak të rritjes së elementëve të tjerë të pagës, të cilat gjithashtu rriten.

Sipas raportit shpjegues të ministrisë së Financave, një roje, në rast se është punonjës i administratës, pra paguhet nga shteti, dhe jo i një kompanie private, do të marrë një pagë 39.484 lekë. Këtu përfshihet edhe shtesa e pagës për vjetërsi. Kjo përbën një shtesë page në masën 33 për qind, ose 9.797 lekë nga paga, që merr sot.

Ndërkohë që pastrueset apo korrierët do të kenë rritje page me plot 10.000 lekë në muaj, plus 36 për qind, që është edhe rritja më e madhe në përqindje.

Një shofer në administratë do të ketë rritje 30 për qind, për të kapur pagën 41.681 lekë, ndërkohë që një përgjegjës në sektorët mbështetës do të marrë nga 50.820, në 55.100 lëkë të reja në muaj, me rritje 16-21%.
 
Pagat e larta
Paga më e lartë e nëpunësit civil do të rritet me 12.900 lekë, me një zmadhim në përqindje në masën 10%. Në po këtë masë do të rritet edhe paga e sekretarit të përgjithshëm në një ministri.

Kështu, paga e sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë apo Presidencës do të bëhet 162.900 lekë, sa paga aktuale e një deputeti, ndërkohë që për pozicionin e dytë bëhet 150.800 lekë.

Paga e drejtorëve të përgjithshëm bëhet 139.041 lekë, sa ç’merr aktualisht një zv.ministër, ndërsa e përgjegjësve të sektorëve nga 91.416, në 101.724 lekë në muaj, me rritje 9.5% për të parët dhe 8-8.5% për të dytët.
 
Të privilegjuarit
Për të gjithë punonjësit e ministrisë së Financave dhe të Drejtorisë së Kodifikimit në ministrinë e Drejtësisë është parashikuar i vetmi përjashtim në këtë rritje të pagave, që do t’ua rriste atyre të ardhurat mujore nga 23 deri në 40 për qind.

Një drejtor i përgjithshëm në këto institucione do të paguhej nga 1 marsi 2017 159.041 lekë, ndërsa një përgjegjës sektori nga 111.416, në 121.724 lekë.

Ndërkohë specialistët e të gjitha kategorive do të kenë rritje page me 20.000 lekë të reja. Referuar këtij propozimi rezulton që numri i përfituesve është 291 punonjës (274 aparati i MF dhe 17 Kodifikimi).

 
Mjekët dhe infermierët, rritje page në masën 10 për qind
Për vitin 2017, reforma e ndërmarrë për rritjen e pagave në administratën publike, parashikohet të shoqërohet me rritjen e pagave edhe në sistemin shëndetësor publik.

Nga kjo politikë rezulton se pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 10%. Përfitues nga kjo rritje janë gjithsej 18.415 mjekë dhe infermierë, nga të cilët 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë.

Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim në Buxhetin e Shtetit, në formën e shtesës së pagave, është 1.3 miliardë lekë, apo një milion euro.
Në përputhje me rritjen në fjalë, rezulton se paga mesatare mujore e mjekëve, e cila ka qenë në vitin 2013 në nivelin e 69.008 lekëve, në vitin 2017 do të arrijë në 78.095 lekë.

Ndërkohë, sipas deklaratave publike të bëra këto ditë nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, punonjësit e reanimacioneve do të kenë në këtë mes një trajtim financiar special.

“Është dhe momenti për të ndarë me të gjithë ata që shërbejnë në reanimacion në të gjithë Shqipërinë edhe mesazhin që, me politikat e reja të pagave të vitit të ardhshëm, përveç rritjes 10% për këdo që punon në shëndetësi, përveç dyfishimit të shërbimit të rojes, personeli mjekësor, pra mjekët dhe infermierët që punojnë në reanimacione dhe në urgjenca, do të marrin dhe një shtesë vështirësie prej 25%”, tha ai gjatë një vizite në qytetin e Beratit.  


pagat

antimafia

antimafia

dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

‘Bashkëjeton me Alibeajn’, zbardhet letra ku Xhaferllari kërkonte dorëheqjen nga çështja e Berishës e Malltezit: Aludime, por reputacioni i Kushtetueses duhet të prevalojë

‘Bashkëjeton me Alibeajn’, zbardhet letra ku Xhaferllari kërkonte dorëheqjen nga çështja e Berishës e Malltezit: Aludime, por reputacioni i Kushtetueses duhet të prevalojë