Deputeti i Partisë Demokratike e cilësoi debatin mes Qeverisë dhe institucioneve të Drejtësisë për pagat e magjistratëve, si një debat aspak fisnik, në një moment që sipas tij një pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë në krizë të thellë ekonomie.
Megjithëatë ai theksoi se Qeveria po shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, teksa shtoi se kjo përplasje do të çojë në ‘ndarjen e pushteteve’, pasi sipas tij do të fitohet nga magjistratët.
“Debati për pagat e gjyqtarëve është një debat aspak fisnik, në një moment që në shesh ka njerëz që nuk u del pensioni, nuk u dalin pagat dhe nuk mbyllin dot muajin. Kur na dëgjojnë, shkulin qimet e kokës. Por gjithësesi ky nuk është një diskutim populist. Ka disa që thonë ku do i gjejmë paratë për pagat e magjistratëve. Mjafton që të kursejmë masakrën e buxhetit publik që po i bëni përditë me modelin korruptiv që keni dhe ka para jo për magjistratët, por për t’ja rritur pagën të gjithë atyre që shërbejnë në administratë. S’ka njeri që nuk e di se çfarë vjedhje gjigande me milionë euro keni bërë ju me këto koncesione e PPP. Modeli KAYO Yeffet është kulmi. Këta kanë ardhur me projekt gjigant për të grabitur shqiptarët me breza. Janë interesa miliarda.
Që ta kesh këtë gjë, duhet të kapësh pushtetet. Sot s’ka gjyqtarë, janë mbi 200 mijë çështje që rrijnë nëpër gjykatë. Janë më shumë se gjysmë milioni në çështje gjyqësore. Pra ¼ e popullsisë. Kjo është drejtësia që prodhoi në dhjetë vite Reforma në Drejtësi. Ajo që ju sot doni të votoni është në shkelje flagrante të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë përballje, që nuk është një konflikt kushtetues, por një krizë kushtetuese e qëllimshme e shkaktuar nga Rama. Por këtë krizë do e fitojnë gjyqtarët e prokurorët. Në këtë krizë do definojë diçka shumë e rëndësishme, ndarja e pushteteve, kontrolli e balanca. Unë preferoj të keqen më të vogël, mbështes gjyqtarët e prokurorët. Ka ardhur koha të zhbëjmë këtë kontroll totalitar mbi çdo aspekt të jetës së këtij vendi. Të krijojmë ishujt e pavarësisë. Çështja do shkojë sërish në Kushtetuese, s'keni zgjidhje tjetër”, tha mes të tjerash Bylykbashi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Diskutime për pagat e magjistratëve! PS propozon rritje sa 2% e pagës së Presidentit! Bardhi: Puç kushtetues, votojmë kundër! Rama në seancë





