TIRANË- Me 84 votat pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi formulën e re për pagat e magjistratëve. Votimi nuk i dha fund përplasjes mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Magjistratët e kanë kundërshtuar projektligjin e socialistëve, i cili parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë, ose sa 2% e pagës së Presidentit, ndërkohë që kërkesa e tyre, e miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.
Vetë kryeministri Edi Rama ngriti kartonin jeshil në sallë, ndërsa Sali Berisha mungoi në momentin e votimit. 24 deputetë të tij votuan kundër pr.ligjit duke e cilësur “puç kushtetues”, ndërsa i vetmi që abstenoi ishte deputeti Bujar Leskaj.
Për t’i dhënë fund kësaj situate, qeveria ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave. Sipas Ramës, me reformën në drejtësi, pagat e magjistratëve u rritën në mënyrë “stratosferike”, duke prishur piramidën e pagave. Ai e cilësoi “lajthitje” kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e punonjësve të tjerë.
“Këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur, në bërjen e reformës, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej. Nuk u tha qartë dhe nuk u tha troç që ju do të merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, shumë më tepër se gjithë të tjerët, sepse reforma kërkon nga ju që të bëni një sforco, por ama kjo nuk do të jetë një rritje permanente. Sa herë të rriten të tjerët, do të rriteni edhe ju, sepse i bie pastaj, siç e thashë në fillim, do të krijonim shtetin e parë në botë. Dhe unë i sfidoj të gjithë të më sjellin, të paktën në 2 mijë vjetët e fundit, një sistem ku gjykatësit kanë qenë mbi të gjithë në aspektin e taksave. Nuk ndodh. Është nonsens”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se për ligjin e ri kanë nisur kontaktet me Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë.
“Ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin. E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t’u dhënë të gjithë mundësinë që të flasin, të flasim dhe për t’u thënë që këtu ka një problem, të cilin do ta adresojmë së bashku. Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde”, tha Rama.
Rama i tregoi "vijat e kuqe" Gjykatës Kushtetuese, së cilës i tha ka të drejtë të rrëzojë një ligj që shkel Kushtetutën, por jo t’i diktojë Kuvendit formulën që duhet të votojë.
"Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë", tha Rama.
Në shënjestër të Ramës u vunë edhe shoqatat e gjyqtarëve dhe trupa gjyqësore. Kryeministri foli për lëvizje të koordinuara mes tyre, të cilat i cilësoi shqetësuese duke thënë se dëmtojnë Republikën.
të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese. Të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë". vijoi Rama.
Por për opozitën, formula e socialistëve nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
"Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit katër muaj kohë që ta zgjidhte çështjen përpara se vendimi i saj për shfuqizimin e ligjit të pagave të hynte në fuqi. Pra, u tregua tërësisht e përgjegjshme, ndryshe nga ty dhe nga ky Kuvend që u tregua tërësisht i papërgjegjshëm". tha Bardhi.
Pas miratimit në Kuvend, presidenti Bajram Begaj dekretoi mëngjesin e 18 shtatorit ligjin e ri për pagat e magjistratëve, duke dhënë pëlqimin që ai të hyjë në fuqi menjëherë, me qëllim që të zhbllokohen pagat.
“Qëllimi i Kuvendit ishte që të mundësonte pagesat e Thesarit të Shtetit për gjyqtarët dhe prokurorët që në datën 18 shtator 2026 për pagat e bllokuara që nga data 1 gusht 2026 dhe për ato vijuese. Hyrja në fuqi e ligjit sipas procedurave të zakonshme do ta vononte këtë proces nga 15 deri në 35 ditë. Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit.
Argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri”, thuhet në një njoftimin e Presidencës.
Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.

Foto nga votimi për pr.ligjin për pagat e magjistratëve

Foto: Presidenti Bajram Begaj
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për pagat e magjistratëve, që u miratua në orët e para të mëngjesit me votat e PS-së në Parlament.
Sipas deklaratës së Begajt Dekretimi me urgjencë i pagave të reja në Drejtësi, justifikohet nga urgjenca e rrethanave dhe nevojave rreth kësaj çështje.
Deklarata e plotë
Presidenti i Republikës nxorri sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi kishte dhënë më parë pëlqimin për hyrjen në fuqi të tij menjëherë.
Presidenti i Republikës dha pëlqimin për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë bazuar në kërkesën e Kuvendit, i cili argumentonte nevojën dhe urgjencën për hyrjen në fuqi menjëherë me faktin se shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte bllokuar dhënien e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që nga data 1 gusht 2026 e në vazhdim.
Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të çlirojë pagesat për magjistratët.
Qëllimi i Kuvendit ishte që të mundësonte pagesat e Thesarit të Shtetit për gjyqtarët dhe prokurorët që në datën 18 shtator 2026 për pagat e bllokuara që nga data 1 gusht 2026 dhe për ato vijuese. Hyrja në fuqi e ligjit sipas procedurave të zakonshme do ta vononte këtë proces nga 15 deri në 35 ditë. Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit.
Argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri.
Hyrja e ligjit në fuqi menjëherë kërkon që Presidenti i Republikës të veprojë menjëherë.
Për Presidentin e Republikës, dhënia e pëlqimit në këtë rast i shërben mbrojtjes së një nevoje akute, me lidhje të drejpërdrejtë me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, që është garantimi i standardit të jetesës dhe i qëndrueshmërisë së të ardhurave për të gjithë magjistratët e vendit.
Kryeministri Edi Rama cilësoi SPAK-un dhe GJKKO-në si dy suksese të reformës në drejtësi, ndërsa tha se KLP dhe KLGJ kanë falimentuar.
"Nëse reforma në drejtësi ka shumë arsye për të qenë të inkurajuar, dhe për t’ju sqaruar të gjithëve, nga ana ime unë dy suksese shoh në reformën në drejtësi: SPAK-un dhe GJKKO-në, me të gjitha problematikat që kanë. Dy suksese.
Por, nëse ka një faliment, janë ato dy këshilla atje. Dhe nëse ka një arsye për t’u shqetësuar Kuvendi i Shqipërisë, është pikërisht të reflektojë mbi reformën në drejtësi. Dhe jo mbi atë pjesë të reformës që është bërë lajtmotivi kryesor përditë e përditë: ‘Burg, burg, burg, burg, burg!’, por mbi atë pjesë të reformës që është lajtmotivi i jetës së atyre dhjetëra mijëra njerëzve që janë kthyer në dosje të mbuluara me pluhur", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se askush nuk mund t’i vendosë afate Kuvendit, duke folur për krizën me pagat e drejtësisë.
“Dhe kjo tjetra: ‘Respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese’. Respekto vendimin e Gjykatës? Patjetër, patjetër! Por ama, kurrë një Gjykatë Kushtetuese nuk i thotë dot një ligjvënësi: ‘Çoje ti dorën kështu, se e vendosa unë’.
Dhe fatmirësisht, në këtë rast nuk e ka thënë. Ka lënë diskrecion të plotë. Për sa i përket shkeljes së afatit, nuk i vihen Kuvendit afate. Është një tjetër nonsens. Nuk mund t’i thotë askush Kuvendit, përveçse vetë anëtarët e tij, se kur do të mblidhet dhe se për çfarë do të mblidhet.
Këtu bëhen katër orë debate për rendin e ditës. Si del një pushtet tjetër atje dhe thotë: ‘Do të mblidheni ju deri në datën 31’? Se po nuk u mblodhët deri në datën 31, në datën 1 ne do të mësyjmë dyert e Thesarit. Si është kjo?", tha Rama.
Nga foltorja e Kuvendit, duke komentuar krizën me pagat e magjistratëve, kryeministri Edi Rama foli për një lëvizje të koordinuar mes shoqatave të gjyqtarëve dhe trupës gjyqësore. Ai e konsideroi një lëvizje shqetësuese, që sipas tij dëmton Republikën.
“Vijmë te pika tjetër. Të thuash pastaj që kishte një afat... Ndaj e thanë disa këtu që shkelja e atij afati mbart përgjegjësi të caktuar për këdo qoftë që duhet ta mbajë atë përgjegjësi, dhe hajde ta mbajmë.
Por të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara...
Në dijeninë time, gjykatësit as me njëri-tjetrin nuk flasin përpara se të marrin një vendim, sepse e kanë të ndaluar, as me njëri-tjetrin. Brenda një trupe diskutojnë, por nuk ia thonë tjetrit se si do ta vendosin në fund.
Ndërkohë, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese dhe unë mendoj që të gjithë deputetët këtu, pavarësisht se cilës palë i përkasin, nuk do ta marrin këtë me kaq lehtësi, sepse jeta vazhdon dhe të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë", tha Rama.

Kuvendi miratoi me 84 vota pro projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kryeministri Edi Rama votoi pro, ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha, mungoi gjatë votimit. 24 deputetë të PD votuan kundër, ndërsa Bujar Leskaj abstenoi.
Formula e miratuar nuk përmbush kërkesën e magjistratëve për një rritje prej rreth 80 mijë lekësh, e miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP. Qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve.
Protesta e qytetarëve solli një tjetër përplasje në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes së PD-së, Jorida Tabaku. Ajo i kërkoi Ramës të dëgjojë protestuesit që, sipas saj, prej 110 ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij.
Kryeministri iu përgjigj duke kujtuar 21 Janarin, kur katër protestues u vranë në bulevard, dhe tha se sot qytetarët protestojnë në të njëjtin vend pa u cenuar. Rama ironizoi edhe opozitën, duke e quajtur “sëmundje ngjitëse e humbjes kronike”.
“Kur t’i kesh 110 ditë poshtë derës protestuesit e të thuash ‘na përzënë ne’... Provo njëherë, dil atje, se kanë provuar këta të tutë dhe i kanë tërhequr zvarrë. Së dyti, në vend që t’i dëgjosh e t’i marrësh si këmbanë alarmi ato që kërkojnë njerëzit atje, sillesh përsëri me të njëjtën arrogancë që i ka sjellë ata njerëz të dalin atje në shesh. Sot ka një thirrje të qytetarëve dhe thirrja është: ‘Rama, jep dorëheqjen!’ Dëgjoje, meqenëse dëgjon turmën, edhe zbato kërkesat e tyre", tha Tabaku.
“Zonja Tabaku, ju nuk ishit kur unë bëra replikën për gjithë përsëritjet tuaja, me trupin që drithërohej, për ‘100 ditë protesta, 100 ditë protesta’, dhe dua t’jua përsëris edhe kështu në sy. Kur qytetarët protestojnë poshtë dritares së qeverisë, quhet demokraci dhe kur e bëjnë këtë pa u hyrë gjemb në këmbë, quhet krenari. Aq më tepër kur e bëjnë në po atë bulevard ku janë vrarë dhe janë plagosur. Por kur qytetarët që protestojnë i thonë opozitës dhe juve personalisht ‘largohu’, atëherë është një sëmundje ngjitëse që ajo protestë nuk e do. Dhe nuk kanë faj, sepse ju jeni një sëmundje ngjitëse e humbjes kronike. Kush ju afrohet, humb, humb, humb", iu përgjigj Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk do të thotë që ajo mund t’i diktojë Kuvendit se si të votojë. Duke folur në Kuvend për krizën me pagat e magjistratëve, ai tha se veprimet e hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve ndaj zyrtarëve të Financave dhe Thesarit tregojnë nevojën për të përcaktuar qartë kufijtë mes pushteteve.
“Ne nuk vëmë në diskutim që do të respektojmë mendimin e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ne e kuptojmë dhe Gjykata Kushtetuese këtë diskrecion ia lë Kuvendit. Madje, Gjykata Kushtetuese përcakton edhe kornizën e mundësive që janë në dispozicion në këtë pikë. Por unë mendoj që Kuvendi i tëri do t’i japë Gjykatës një mesazh shumë të qartë: me këtë rast, detyra juaj është që të mos lejoni që ne ta ngremë dorën gabim, por detyra jonë është t’ju themi që ju nuk na e thoni dot kurrë se si ne ta ngremë dorën. Nëse këto të dyja ngatërrohen, ne kemi një problem shumë të madh, i cili nesër mund të bëhet shumë më i madh. Dhe këtu nuk ka absolutisht asnjë lloj sfide, asnjë lloj lufte të asnjë natyre me sistemin e drejtësisë, asnjë lloj presioni, absolutisht asgjë të tillë.
Se po ju kujtoj edhe diçka tjetër, nëse i shkojmë fillit të logjikës së atyre që e paraqitën këtë si një tentativë për presion, Prokuroria e Posaçme nuk ka kërkuar rritje pagash. SPAK nuk ka kërkuar rritje pagash, as ka çuar listëpagesën përveçse sipas formulës së vjetër. Kështu që kjo bie si logjikë, edhe sikur po e marr për një moment të mirëqenë, që s’është. Këtu është një çështje shtetbërjeje europiane.
Ne kemi hyrë në një fazë të re. Ne qartësisht e kemi një pushtet të ri të pavarur në këtë qytet dhe pikërisht pse është një pushtet i ri i pavarur, po shohim gjëra që janë të paimagjinueshme në një demokraci të konsoliduar: me hetues që shkojnë në Ministrinë e Financave, me prokurorë që shkojnë në dyert e Thesarit, me gjykatës që kërcënojnë zyrtarët e Thesarit. Pra, jemi në kushtet e një trupe e cila po shijon pavarësinë e vet. Këtë duam ne? Këtë duam? Këtë doni ju? Unë nuk besoj se këtë duam ne.
Unë besoj që ne kemi përgjegjësi që ta forcojmë këtë dinamikë të ndarjes së pushteteve, por kemi njëkohësisht përgjegjësi që të tregojmë se ku mbaron njëri dhe ku fillon tjetri pushtet. Kushtetuta nuk flet për dy autoritete dhe një pushtet të pavarur. Kushtetuta flet për tre pushtete të pavarura. Janë reciprokisht të pavarura dhe reciprokisht të ndërthurura", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi “lajthitje” kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten sa herë rriten pagat e tjera. Ai tha se pagat e tyre janë rritur në mënyrë “stratosferike” me reformën në drejtësi, duke prishur piramidën e pagave në vend.
"Kemi rritur pagën e magjistratëve në një mënyrë stratosferike për normat dhe nivelin e pagave tona, me vullnet të plotë dhe me arsyetimin që një reformë rrënjësore në drejtësi dhe nevoja për të vendosur në barrikadën e një drejtësie të re një grup magjistratësh të motivuar e bënte atë edhe të domosdoshme. Dhe kështu ne kemi prishur piramidën e pagave. Pra, nëse piramida e pagave është kjo, si në çdo shtet, ne i ngritëm gjykatësit këtu. Tani, me cilën logjikë ju kërkoni, dhe kushdo tjetër kërkon, që sa herë të rritet paga këtu, duhet të rritet edhe këtu?
Pra, sipas kësaj logjike, i bie që në të gjitha gjeneratat e mëpastajme ne do të ndërtojmë të vetmen republikë, të vetmen mbretëri, të vetmen perandori, të vetmin sistem që ka parë historia e botës, ku gjykatësit janë mbi të. Ky është një akt papërgjegjshmërie. Tani, të thuash që ‘atë do ta tregojë e nesërmja’, të thuash që ‘mua më ulet paga pse nuk më rritet’, ndërkohë që unë jam në nivelin këtu, mbi piramidën, si magjistrat, dhe të thuash që ‘sa herë t’u rritet të tjerëve, do të më rritet edhe mua, sepse cenohet cilësia ime e jetës’, është lajthitje në objekt.
Nga ana tjetër, pikërisht për arsyen se pushteti legjislativ është një pushtet i pavarur, çdo kushtetutë demokratike ka një përcaktim që e ka edhe Kushtetuta jonë: paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet. Është specifike. Nuk thotë Kushtetuta ‘nuk mund të ulësh pagën e kujtdo qoftë tjetër’. Thotë: ‘Paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet’. Pse? Sepse Kushtetuta dhe të gjitha kushtetutat demokratike kanë parasysh pikërisht tensionin që krijohet mes pushteteve për ato arsye që u përmendën këtu. Dhe për këtë arsye garantojnë që gjykatësit dhe prokurorët të mund të veprojnë lirisht, pa u kërcënuar nga një hakmarrje e një pushteti tjetër politik, i cili mund t’i vërë nën presion me uljen e pagës. Po a jemi ne në kushtet e uljes së pagës? Të thuash që është ulje page e fshehtë thjesht fakti që atyre u rritet kaq, të tjerëve u rritet kaq, ndërkohë që ata vazhdojnë lart, më duket se është e paarsyeshme”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama foli në kuvend për pagat e magjistratëve. Rama tha se është e pabesueshme që përfaqësues të një pushteti të pavarur heqin dorë nga kompetencat e tyre për shkak të përplasjes me një pushtet tjetër. Rama tha se Gjykata Kushtetuese ka kompetencën të konstatojë shkeljet e Kushtetutës, por jo t’i përcaktojë Kuvendit formulën që duhet të miratojë.
“Është e pabesueshme se si përfaqësues të një pushteti të pavarur, thjesht dhe vetëm për inat të palës tjetër, dorëzojnë me këtë kollajllëk pushtetin e tyre te një pushtet tjetër. Dhe kjo nuk ka lidhje thjesht dhe vetëm me atë çfarë flasim sot për pagat e gjyqtarëve. Kjo ka lidhje me ekuilibrin e pushteteve të pavarura në një republikë parlamentare. Dua të kthehem te një debat që kemi pasur këtu, lidhur me një kolege, Olta Xhaçkën, për rastin e së cilës kam sjellë me vete disa fjalë të Komisionit të Venecias, se besoj që janë shumë të sakta për të udhëhequr arsyen tonë si përfaqësues të një pushteti të pavarur, të gjithë së bashku.
Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese, si një organ gjyqësor dhe jo politik, nuk duhet të ndërhyjë në sferën e ligjvënësit kushtetues, i cili ka kompetencën ekskluzive për të krijuar norma të reja kushtetuese. Kufiri ndërmjet interpretimit të një norme ekzistuese dhe krijimit të një norme të re nuk është gjithmonë i lehtë për t’u përcaktuar, por duhet shmangur perceptimi i një gouvernement des juges, pra i një qeverisjeje të gjyqtarëve. Kompetenca për të krijuar norma të reja kushtetuese i përket pushtetit ligjvënës, ndërsa Gjykatës Kushtetuese i përket kompetenca për të interpretuar në mënyrë autoritative normat. Me fjalë shumë të thjeshta, Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë’.
Gjykata Kushtetuese, si një pushtet tjetër i pavarur, është e pavarur prej nesh këtu si pushtet ligjvënës dhe është e pavarur prej nesh si pushtet ekzekutiv, për të na treguar se kur e ngremë dorën gabim. Por, nëse ne ngremë dorën gabim dhe Gjykata Kushtetuese na thotë: ‘Me këtë ngritje dore u shkel kjo normë, prandaj kjo normë rrëzohet’, Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i thotë kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, një pushteti të pavarur si ai i Kuvendit se si duhet ta ngrejë dorën. Kjo nuk ndodh. ‘Dhe tani ngrije dorën për tekstin që ta kam shkruar unë, për formulën që kam zgjedhur unë dhe për shumën që kam vendosur unë’, Gjykata Kushtetuese nuk ia thotë dot Kuvendit të Shqipërisë.
Dhe këtu ka deputetë që kanë shumë vite në këtë Kuvend. Sot ka një veçori, sepse sot këtu në sallë janë 84 vota që janë të nevojshme për të miratuar këtë normë. Por, nëse nuk do të jeni hipokritë, do të duhet ta pranoni që, nëse nuk do të ishin këto 84 vota, do të ishte tërësisht e pamundur që të arrihej në një rezultat bazuar mbi një urdhër specifik të një pushteti tjetër. Gjykata Kushtetuese mund ta shfuqizojë një taksë që diskriminon në mënyrë antikushtetuese një kategori qytetarësh. Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendosë ama normën e taksës, se sa duhet të jetë.
Mund të rrëzojë një dispozitë pensioni që cenon barazinë apo sigurinë juridike, por kurrë nuk mund të hartojë vetë skemën e pensioneve dhe të përcaktojë se sa lekë do të marrë ky pensionist apo ky pensionist tjetër. Gjykata Kushtetuese mund të shfuqizojë një dispozitë penale të paqartë, por nuk mund të shkruajë vetë veprën e re penale dhe masën e dënimit. Këto janë zgjedhje që kërkojnë ligj, debat publik, vlerësim financiar dhe votë parlamentare. Dhe rasti që solla e bën Venecian të na kujtojë se deputeti është i paurdhërueshëm individualisht dhe Kuvendi mund të votojë dhe duhet të votojë çështjet që ndodhen brenda kompetencës së tij. Tani të vijmë te pagat e magjistratëve, se këtu çfarë nuk dëgjova! Pikësëpari, a kishte të drejtë Gjykata Kushtetuese të kontrollonte formulën e miratuar nga Kuvendi? Absolutisht po. Të konstatonte një papajtueshmëri të caktuar, sipas saj? Patjetër po. Të shfuqizonte dispozitat përkatëse dhe të kërkonte miratimin e ndryshimeve? Askush nuk e diskuton. Por, nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk u thotë dot ligjvënësve se si duhet të jetë zgjidhja, sipas asaj norme brenda së cilës ata duhet të lëvizin.", tha Rama.
Drejtuesi i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, tha se magjistratët sot në Shqipëri paguhen shumë më tepër se çdo grup tjetër shoqëror, apo gjyqtarët e prokurorët në rajon.
“Magjistratët në Shqipëri paguhen shumë më tepër se çdo grup tjetër shoqëror në këtë vend dhe se çdo gjyqtar dhe prokuror në rajon. Debati duhet të jetë nëse sistemi i pagave është kushtetues, racional, i qëndrueshëm dhe proporcional brenda vetë sistemit dhe me sistemin kombëtar të pagave. Në vitin 2016 ne bëmë një përjashtim nga piramida e atëhershme e pagave, duke i dhënë një super rritje pagave të prokurorëve e gjyqtarëve. Ishte një përjashtim nga rregulli në një moment të caktuar. Qeveria dhe Kuvendi kanë detyrimin që të vendosin proporcionalitetin e nevojshëm të pagave”, tha mes të tjerash Xhafaj.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka denoncuar gjatë fjalës së tij në Kuvend, se një prokuror rrethi dërgoi oficerin e policisë gjyqësore në degën e Thesarit (ku janë bllokuar pagat e magjistratëve) dhe u tha punonjësve “ose ekzekutoni pagesat, ose do ju arrestojmë”.
“Një prokuror rrethi dërgoi OPGJ në degën e Thesarit dhe ju tha punonjësve ose ekzekutoni pagesën ose do t’ju arrestojmë. Ku ndodh kjo? Kjo nuk është matje muskush, mund të më thoni ku është shkelja që ka bërë punonjësi i thesarit apo ministri i Financave? Është bërë kallëzim për këtë cështje. Thesari verifikon a ka bazë ligjore, nëse gjithçka është e rregullt pagesa normalisht kalon. Ky mekanizëm mbron paratë publike”, tha mes të tjerash ministri Malaj në Kuvend.
Deputeti socialist Ulsi Manja ka thënë në Kuvend se nëse projektligji për pagat e magjistratëve do të votohet sot në Kuvend, ka një korrespodencë mes Bajram Begajt dhe Kuvendit, ku Presidenti ka dhënë pëlqimin që ligji të hyjë në fuqi menjëherë.
Ndërkohë deputetët opozitarë, Gazment Bardhi dhe Tedi Blushi kanë kërkuar që ligjvënësve të opozitës t’u vendoset në dispozicion kjo korrespodencë.
Në përfundim drejtuesja e seancës, Evis Kushi, tha se korrespodenca kishte ardhur në Kuvend dhe do të fotokopjohej për t’ju shpërndarë të gjithë deputetëve.
“Ju keni kërkuar aprovimin e Presidentit të Republikës që ligji të hyjë në fuqi menjëherë dhe mesa duket Presidenti e ka kthyer këtë përgjigje që e jep këtë pëlqim. A mund t’i vihet në dispozicion korrespodenca e Presidentit dhe konfirmimi i tij deputetëve të Kuvendit? Sepse ne nuk kemi dijeni për këtë fakt, që i është kërkuar aprovimi Presidentit dhe ai e ka dhënë pëlqimin, pa parë se për kë ligj po e jep pëlqimin”, tha mes të tjerash Bardhi.
“Në fakt korrespodenca me Presidentin për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit është atribut i Kuvendit të Shqipërisë. Unë i referohem tekstit të projektligjit, ku në nenin tre thuhet se ligji duhet të hyjë në fuqi menjëherë. Nëse Presidenti e ka dhënë pëlqimin, le t’u bëhet me dije kolegëve”, tha mes të tjerash Ulsi Manja.
“Kërkoj 5 minuta pushim derisa deputeteve t’u vihet në dispozicion korrespodenca me presidentin”, tha Tedi Blushi.
“Dua t’ju njoftoj se pëlqimi nga Presidenti i Republikës ka mbërritur, do ta fotokopjojmë menjëherë dhe do u’a vendosim në dispozicion”, tha Evis Kushi.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, është shprehur se mazhoranca nuk i ka ulur kurrë pagat e magjistratëve, por sipas tij, ‘përplasjet’ në Gjykatën Kushtetuese kanë qenë vetëm për masën e rritjes së pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.
Teksa e cilësoi të rëndësishme pavarësinë financiare të sistemit të Drejtësisë, Manja tha gjithashtu se e rëndësishme është edhe menaxhimi i financave publike për Kuvendin.
“Nisma të tilla që prekin buxhetin e shtetit kërkojnë mendimin e Këshillit të Ministrave. Ka një pretendim këtu se nisma që do votojmë këtu është tërësisht e ndryshme nga varianti fillestar i depozituar nga nismëtarët. Jo të nderuar kolegë. Kjo që ju bëni këtu se ju qan shpirti për pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, është politikë. Është e vërtetë se pas miratimit në vitin 2016 kemi shkuar disa herë në Kushtetuese, por asnjëherë nuk kemi shkuar si një përplasje mes legjislativit e gjyqërorit, por për masën e rritjes së pagave e prokurorëve. Mazhoranca nuk ka bërë ulje të pagave për magjistratët. Pavarësia financiare e sistemit të Drejtësisë është e rëndësishme, por edhe përgjegjësia e menaxhimit të financave publike është shumë e rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë”, tha mes të tjerash Manja.
Deputeti i Partisë Demokratike e cilësoi debatin mes Qeverisë dhe institucioneve të Drejtësisë për pagat e magjistratëve, si një debat aspak fisnik, në një moment që sipas tij një pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë në krizë të thellë ekonomie.
Megjithëatë ai theksoi se Qeveria po shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, teksa shtoi se kjo përplasje do të çojë në ‘ndarjen e pushteteve’, pasi sipas tij do të fitohet nga magjistratët.
“Debati për pagat e gjyqtarëve është një debat aspak fisnik, në një moment që në shesh ka njerëz që nuk u del pensioni, nuk u dalin pagat dhe nuk mbyllin dot muajin. Kur na dëgjojnë, shkulin qimet e kokës. Por gjithësesi ky nuk është një diskutim populist. Ka disa që thonë ku do i gjejmë paratë për pagat e magjistratëve. Mjafton që të kursejmë masakrën e buxhetit publik që po i bëni përditë me modelin korruptiv që keni dhe ka para jo për magjistratët, por për t’ja rritur pagën të gjithë atyre që shërbejnë në administratë. S’ka njeri që nuk e di se çfarë vjedhje gjigande me milionë euro keni bërë ju me këto koncesione e PPP. Modeli KAYO Yeffet është kulmi. Këta kanë ardhur me projekt gjigant për të grabitur shqiptarët me breza. Janë interesa miliarda.
Që ta kesh këtë gjë, duhet të kapësh pushtetet. Sot s’ka gjyqtarë, janë mbi 200 mijë çështje që rrijnë nëpër gjykatë. Janë më shumë se gjysmë milioni në çështje gjyqësore. Pra ¼ e popullsisë. Kjo është drejtësia që prodhoi në dhjetë vite Reforma në Drejtësi. Ajo që ju sot doni të votoni është në shkelje flagrante të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë përballje, që nuk është një konflikt kushtetues, por një krizë kushtetuese e qëllimshme e shkaktuar nga Rama. Por këtë krizë do e fitojnë gjyqtarët e prokurorët. Në këtë krizë do definojë diçka shumë e rëndësishme, ndarja e pushteteve, kontrolli e balanca. Unë preferoj të keqen më të vogël, mbështes gjyqtarët e prokurorët. Ka ardhur koha të zhbëjmë këtë kontroll totalitar mbi çdo aspekt të jetës së këtij vendi. Të krijojmë ishujt e pavarësisë. Çështja do shkojë sërish në Kushtetuese, s'keni zgjidhje tjetër”, tha mes të tjerash Bylykbashi.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në Kuvend se përcaktimi i pagave të magjistratëve është kompetencë e ligjvënësit dhe se askush nuk mund t'ia caktojë vetes. Ai pranoi se afati i 31 korrikut për ndryshimet ligjore ka kaluar.
Sipas Gogut, formula e propozuar rrit koeficientin e pagës dhe ruan mekanizmin e indeksimit. Ai theksoi se Kuvendi duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë, duke mbajtur njëkohësisht përgjegjësi për përdorimin e parave të qytetarëve.
“Sot Kuvendi i Shqipërisë ka dy detyra, nuk ka një, ka dy detyra. Nga njëra anë duhet të mbrojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, gjyqësorit, dhe nga ana tjetër duhet të mbrojë çdo qindarkë të qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë për atë drejtësi. Afatin e 31 korrikut e kemi thënë në komision që ka kaluar. Prandaj kjo shumicë ka ardhur sot të mbushë atë boshllëk që ka krijuar kalimi i atij afati. Nuk ka ardhur ta komentojë, nuk ka ardhur ta anatemojë, nuk ka ardhur ta mallkojë, ka ardhur ta mbushë atë boshllëk. Dhe sot ka një ligj përpara këtij Kuvendi, të paraprirë dhe të udhëhequr nga një pyetje, nga pyetja e duhur: Kush vendos për pagat e gjyqtarëve? Dhe nuk e ka shpikur pyetjen. E ka marrë tamam nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili zbërthen parimin kushtetues dhe shkruan: detyrimi i Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme. Jo i qeverisë, jo i këshillave, jo i ministrit të Drejtësisë, detyrimi i këtij Kuvendi.
“Paga e gjyqtarit kalon vetëm nga një derë. Paga e magjistratit kalon vetëm nga një derë. Paga e doktorit kalon vetëm nga një derë. Paga e infermierit kalon vetëm nga një derë. Paga e zjarrfikësit kalon vetëm nga një derë. Dhe ajo derë është ligji. Ligji. Ky është parimi që ka ndjekur kjo shumicë sot me atë projekt që ka ardhur dhe rregulli bazë që ka ndërtuar gjithë arkitekturën e pagave në këtë republikë është: askush nuk duhet të ketë diskrecionin t’ia caktojë vetes pagën e vet. Sepse kur dikush i cakton vetes pagën e vet, nuk është më një rregull i përgjithshëm, por është një përjashtim. Buxheti i shtetit nuk është ai dollapi me shumë sirtarë ku secili pushtet apo secili institucion ka sirtarin e vet. Ka vetëm një arkë dhe ajo arkë është e qytetarit shqiptar. Nuk është arka as e ministrave, as e qeverisë, as e gjyqtarëve apo e doktorëve. Është arka e qytetarëve shqiptarë, që e ruan ky Kuvend dhe e ruani ju, të nderuar kolegë", tha Gogu.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi në Kuvend projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar një “puç kushtetues”. Sipas tij, mazhoranca po shpërfill për herë të tretë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po cenon garancitë financiare të gjyqtarëve e prokurorëve. Bardhi tha se formula e propozuar nuk përmbush standardet e vendosura nga Kushtetuesja dhe konfirmoi votën kundër të PD-së.
“Projektligji që po diskutojmë sot nuk ka të bëjë as vetëm me gjyqësorin, as vetëm me legjislativin dhe as vetëm me ekzekutivin. Ka të bëjë me shtetin shqiptar, ka të bëjë me sistemin institucional dhe kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Ju nuk keni vendosur të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni shtetin shqiptar, të sfidoni rendin kushtetues në vend. Shkurt, keni vendosur të vazhdoni një puç kushtetues të nisur që prej vitit 2017 lidhur me këtë çështje.”
“Gjyqtarët dhe prokurorët nuk po kërkojnë rritjen e pagës së tyre. Nëse do të kërkonin një rritje të re të pagës, nuk do të kishin as mbështetjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. E vërteta është se prokurorët dhe gjyqtarët e Republikës po kërkojnë të marrin pagën që ky Kuvend ua përcaktoi në vitin 2016", tha Bardhi.
Deputetja e PS-së, Aulona Bylykbashi, prezantoi në Kuvend projektligjin për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e koeficientit nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit. Sipas saj, formula zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe është e përballueshme për buxhetin. Detyrimet e prapambetura, nga prilli 2023 deri në korrik 2026, parashikohet të shlyhen brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.
“Koeficienti 0.38 është rezultat i një vlerësimi të balancuar. Ai korrigjon efektin e ngrirjes së konstatuar nga gjykata, siguron një trajtim financiar në përputhje me rëndësinë dhe kufizimet e funksionit dhe, në të njëjtën kohë, ruan përballueshmërinë e detyrimit për financat publike. Efektet financiare të formulës do të njihen nga data 1 prill 2023. Detyrimet që krijohen për periudhën nga 1 prilli 2023 deri në 31 korrik të vitit 2026 do të mund të shlyhen gradualisht, por jo më vonë sesa dy vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji.”
-
Une jetoj ne izrael prej 35 vjetesh Ketu rroga me emadhe eshte e deputeit .kryeministri dhe presidenti nuk kane ndonje ndryshi, te madh nga deputeti Poluroret ,gjykatesit nuk kane roge me te madhe se 4 mije -5 mije euro sipaas vendit SHtoj se ketu gjykatesit nuk jana shushunja si ne shqiperi qe nuk ka gjyq pa euro Spaku per mua eshte nje institucion qe duhe te shkrihet por roga 9000 euro eshte skandaloze mesuesi 3 mije euro mjeku 4 mije euro por 8 ore ne pune dhe jo para per oopercione ze
Përgjigju-
Po ik o mara futi nje sufllaqe te toptani meqe punon te bashkia e lalit.
-
Ne as nje vend te botes prokurore e gjyqtar nuk kane te drejte per te percaktuar rrogat e tyre .Shqiperia eshte Republike parlamentare .Piramidae pagave percaktohet nga ligjvenesit , Kush e kupton komenton drejt sipas ligjit , kush nuk e kupton mer sufllaqe o bishe dhe e more ti dhe jo vlonjati
-
O sufllaqexhi, mjafton te besh nje kerkim ne internet te shikosh qe paga bruto e nje magjistrati te nivelit me te ulet eshte 16 -20 mije dollare. Qe perkthehet ne 12-15 mije neto Te befte mire sufllaqja
-








Komente
Komento