Lufta në Lindjen e Mesme ka shtuar rrezikun për një valë tjetër inflacioni, dhe çmime të larta. Aktualisht po reflektohen vetëm tek karburantet. Por sa e përballueshme do të ishte për familjet dhe të ardhurat e tyre, një tjetër krizë vetëm 3 vite pas asaj të shkaktuar nga lufta në Ukrainë?
Familjet shqiptare shpenzojnë 40% të buxhetit të tyre për ushqime dhe 7% për transport. Pra së bashku 47% për këto produkte, e thënë më thjesht nëse të ardhurat janë 100 mijë lekë, 47 mijë lekë janë ushqime dhe transport.
Eksperti Fatos Çoçoli thotë në Report Tv se qeveria duhet të marrë masa dhe jo të monitorojë tregjet, përsa kohë lufta në Lindjen e Mesme rrezikon të kthehet në një efekt zinxhir në të gjithë shportën ushqimore dhe jo vetëm.
“Gjykoj se nuk janë të mjaftueshme sepse në treg qytetari dhe sipërmarrësi sot ndodhet i pambrojtur. Gjysma e të ardhurave tona mesatarisht shkojnë për ushqime dhe për karburant. Ndërkohë që ushqimet dhe karburanti janë të lidhura dhe janë shkak-pasojë që të marrësh speca, domate, oriz, fasule, çfarëdo lloj gjëje, duhet t'i transportosh dhe kosto e transportit është diku te 20 deri 30% e çmimit përfundimtar të ushqimeve që hamë”, thotë Çoçoli.
Ndërkohë paga mesatare në Shqipëri arriti në fund të 2025-ës afro 870 euro, e udhëhequr nga sektori shtetëror, pasi në privat paga mesatare nuk ka arritur ende 80 mijë lekë.
“Pagat nuk rriten me të njëjtën ritëm të inflacionit. Po të ishin rritur me të njëjtin ritëm nuk do ishin prekur. Rritja e inflacionit na godet tek fuqia jonë blerëse. Me të njëjtat para ne do të jemi të mundur të blejmë shumë më pak sesa më përpara”, tha Çoçoli.
Pavarësisht rritjes së pagave, përsëri gjysma e shqiptarëve nuk e arrijnë pagën mesatare, pasi marrin deri në 60 mijë lekë në muaj.
Kategoria tjetër që preket direkt nga një luhatje sado e vogël çmimesh janë pensionistët. Sot pensioni mesatar është sa 22% e pagës mesatare të vendit, ose sa 38% e pagës minimale.
Pa ndihmën e fëmijëve në emigrim pensionistët e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet thotë ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj Kortoçi.
“Pensionistët sot në pjesën më të madhe të tyre nuk jetojnë vetëm me të ardhura që u sjell pensioni, por jetojnë dhe me të ardhura të cilat kanë një burim të dytë që është mbështetja e fëmijëve ose familjarëve të tjerë. Ne flasim për më shumë se 500.000 pensionistë që marrin një të ardhur mujore më pak se 20.000 lekë, është thuajse e pamundur ose shumë e vështirë për të jetuar me kaq para”, tha Nunaj.
Pensioni mesatar përllogaritet në 20 mijë e 192 lekë, ndërsa e ndarë në kategori, ai urban është 20 mijë lekë, ai rural është 12 mijë lekë.
“Në këtë të tilla raste nuk mund të shtrohet pyetja a e përballojnë por shtrohet a jetojnë ata me dinjitet për sa kohë ata do ndihen gjithmonë të varur nga fëmijët ose nga familjarët e tjerë për t'i mbështetur, dinjiteti i tyre në këtë rast vihet gjithmonë në pikëpyetje”, thotë Nunaj.
Për të përballuar kostot e jetesës, me mijëra pensionistët vijojnë të punojnë. Sipas shifrave zyrtare janë 19.584 qytetarë që marrin pension pleqërie dhe që punojnë në tregun privat, dhe paguajnë sigurime njëjtë si të gjithë të punësuarit e tjerë.
“Një nga arsyet që pensionistët vazhdojnë të jenë pjesë aktive e tregut të punës, janë pensionet e ulëta. Është pikërisht e ardhura e tyre e kufizuar dhe nevoja për më shumë para për të përballuar kostot e jetesës”, tha Nunaj.
Kurse eksperti Fatos Çoçoli thotë se është jo e drejtë që pensionistët të paguajnë sigurime përsa kohë ata e marrin një pension.
“Është krejtësisht e padrejtë. Ata e kanë dhënë kontributin ndaj shoqërisë, kanë punuar, kanë dalë në pension, vazhdojnë të punojnë për disa arsye. Një nga arsyet kryesore as që diskutohet është ajo arsye ekonomike. Duhet hequr një ore më parë ky detyrim”, thotë Çoçoli.
Pensionisti paguan sigurimet mbi pagën në bazë të ligjit në fuqi, njësoj si të gjithë të punësuarit e tjerë. Ministria e Ekonomisë sqaron për Report TV se po diskuton që në kuadër edhe të reformës së re të pensioneve të hiqet detyrimi për të paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për këtë kategori, njëjtë siç ndodh me të vetëpunësuarit pensionistë.
“Pensionistët e punësuar me kontratë pune vijojnë të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore në mënyrë të rregullt, mbi pagën e tyre, sipas legjislacionit në fuqi. Në kuadër të reformës që po ndërmerret në fushën e sigurimeve shoqërore, janë duke u analizuar të gjithë skenarët e mundshëm, përfshirë edhe trajtimin e kategorisë së pensionistëve që vijojnë të jenë aktivë në tregun e punës. Aktualisht pritet konfirmimi dhe opinionet teknike nga ekspertët e Bankës Botërore, mbi alternativat që po shqyrtohen, me qëllim marrjen e një vendimmarrjeje të mirëinformuar dhe të qëndrueshme”, thotë në përgjigje zyrtare Ministria e Ekonomisë.
Ekspertët thonë se nëse kjo praktikë do të vijojë dhe pensionistët do të paguajnë sigurime nëse punojnë në bizneset private, duhet të krijohet mundësia që të ky kontribut të merret nga pensionisti, dhe jo siç ndodh aktualisht që i gjithë kontributi humbet, pasi nuk ndikon në vlerën e pensionit që merr individi.
Komente







