Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA) ka nderuar kryeministrin Edi Rama me titullin “Honorary Fellow” për rolin e tij në transformimin urban të Tiranës. RIBA e përfshiu Ramën në listën e 27 personaliteteve të nderuara për vitin 2026, një vlerësim që u jepet personave që kanë ndikuar në arkitekturë dhe zhvillimin e qyteteve edhe pse nuk janë arkitektë.
Sipas institutit britanik, Rama është dalluar për mënyrat “kreative dhe efikase” me të cilat ka promovuar artin dhe kulturën në Shqipëri, si edhe për fushatën për transformimin e kryeqytetit duke rikthyer hapësirat publike dhe krijimin e zonave të reja të gjelbra në Tiranë.
“Edi Rama hyri në politikë në vitin 1998 si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Gjatë kësaj periudhe ai fitoi mbështetje dhe vlerësim nga publiku për mënyrat kreative dhe efikase me të cilat promovoi artin dhe kulturën në Shqipëri. Në të njëjtën kohë nisi një fushatë për transformimin dhe rigjallërimin e kryeqytetit, duke rikthyer hapësirat publike dhe duke shtuar zonat e gjelbra, ndërsa solli edhe një frymë dhe vizion të ri në administrimin e Tiranës. Në qershor të vitit 2013 ai u bë kryeministër” shkruhet në njoftimin e Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanikë (RIBA)
Në listën e këtij viti janë përfshirë figura nga fusha të ndryshme, nga politika dhe ekonomia deri te arti, aktivizmi dhe gazetaria.
Mes tyre është edhe Will Hurst, managing editor i revistës së arkitekturës Architects’ Journal, i vlerësuar për promovimin e ripërdorimit të ndërtesave ekzistuese dhe materialeve të ndërtimit.
Titulli “Honorary Fellow” jepet çdo vit nga RIBA për persona që, edhe pse nuk janë arkitektë, kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e arkitekturës dhe mjedisit urban. Për vitin 2026 janë shpallur gjithsej 27 fitues.
Komente












