Duke marrë fjalën në komision, Bode ka deklaruar se qeveria është duke mashtruar pasi qytetarët do të paguajnë më shumë se 10-fishin e asaj që kanë paguar më parë.
E menjëhershëme ka qenë edhe përgjigja e Braçe. “Ligjin tuaj jemi duke ndryshuar, që hyn në fuqi në datën 1 janar 2014”, ka thënë gjatë fjalës së tij, kreu i Komisionit, Erjon Braçe.
DEBATE PER BANESAT E DYTA
Të gjithë ata qytetarë në kanë në pronësi një banesë do të paguajnë më shumë taksa. Projektligji është miratuar vetëm me votat e mazhorancës dhe mes debatesh të shumta në komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Projektligji parashikon që taksa për banesat nga 15 lekë për metër katror të bëhet 30, ndërsa dyfishohet për ata që kanë një shtëpi të dytë. Efekti i rritjes së kësaj takse do jetë mbi 1 miliard lekë më shumë në buxhet.
Debatet vijuan edhe për modelin e mbledhjes se taksave vendore, ku kanë propozuar skemat për mbledhjen e tyre.
Gjithashtu Komisioni i Ekonomisë miratoi me votat e maxhorancës edhe heqjen e TVSH-së për hidrokarburet dhe barnat.
Faturave të energjisë apo ujit, vitin e ardhshëm mund t’u bashkangjiten si detyrim për t’u paguar edhe taksa për banesat. Pavarësisht debateve dhe qëndrimeve të ndryshme mbi efektet e paketës së re fiskale, palët u bashkuan në Kuvend rreth nevojës së mbledhjes së kësaj takse, si një burim i pashfrytëzuar në 23 vitet e fundit.
Referuar paketës së re fiskale, taksa për banesat unifikohet duke u rritur nga 15 lekë për metër katrorë që është aktualisht, në 30 lekë. Edhe pse kjo taksë egziston ligjërisht prej vitesh, mbledhja e saj mbetet në nivele të ulëta që arrijnë në 30 për qind. Shkak për këtë nivel të ulët arkëtimi është edhe fakti se një pjesë e mirë e banesave nuk janë të legalizuara.
Ndaj në këtë pikë, të dy kampet parlamentare bien dakord rreth nevojës së gjetjes së një skeme të përshtatshme që përfshin të gjithë pronarët e banesave, pavarësisht statusin ligjor të banesës.
Aktualisht, janë të paktën dy taksa që mblidhen duke iu bashkangjitur faturave të energjisë apo të ujit. Taksa për televizorin mblidhet përmes faturës së energjisë ndërsa taksa për mjedisin, përmes faturës së ujit. Bashkangjitja e këtyre taksave me faturat e energjisë apo të ujit, edhe pse mund të cilësohet si një masë ekstreme, ka rezultuar frytdhënesë në nivelin e arkëtimit të tyre.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)