Përplasja politike mes socialistit Erion Braçe dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kaluar nga debati për Reformën Territoriale në akuza të forta personale dhe politike.
Ndonëse nuk ia përmend drejtpërdrejt emrin, përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe e akuzon Shehajn se prej dy ditësh ka vënë në lëvizje një rrjet llogarish në internet për ta sulmuar me komente.
"Patro-nazistët e oligarkut në sulm! E prisja, ka dy ditë që e bën. Jo vetëm ndaj meje, por ndaj cilitdo të gjalli që komenton këtu. Shihini! Janë pa fytyrë, pa emra, pa postime, me fare pak ndjekës apo të ndjekur prej tyre. Nuk ekzistojnë! Janë robotët e kërmillit më të madh që ka politika sot.
Është oligarku i vetëm në politikë që paguan patronazhistë në territor dhe patronazhistë në rrjet! Nëse ata në territor i ka banditë të dhunshëm, këta në rrjet i ka eunukë të dukshëm. Jam marrë unë me këta. Edhe me këtë oligarkun jam marrë", thotë Braçe në një postim në rrjete sociale.
Por akuzat e Braçes nuk ndalen këtu. Deputeti ka ngritur edhe pretendime të tjera ndaj Shehajt, të cilat lidhen me burimin e pasurisë së tij. Ai i ndan këto pretendime në tri kategori: përfitimet nga puna e punonjësve, lidhjet e pretenduara me aktivitetin e trafikut të drogës dhe transaksionet e dyshuara fiktive që, sipas tij, kanë rritur vlerën e pasurisë.
"Paratë që e bënë të tillë, oligark, janë të tri cikleve. Cikli i parë i parave të tij vjen erë gjaku. Janë mundi dhe sakrifica e djemve dhe vajzave të shfrytëzuar barbarisht këtu, në infrastrukturat e tij. Ka fituar pafund ai prej tyre, por të shfrytëzuarit nuk marrin as sa marrin mësuesit sot si rrogë; ai nuk i paguan asgjë këtij vendi, por transferon jashtë paratë e gjakut të të shfrytëzuarve këtu.
Cikli i dytë i parave të tij vjen erë miell. Është ai miell i ndyrë që masakron e vret djem e vajza edhe këtu. Janë kushërinj të tij ata që kanë bërë drogë në Gjermani dhe që këtu ishin punonjës politikë të tij.
Cikli i tretë i parave të tij ka erën e spekulimit: shitblerje fiktive, fryrje fiktive të vlerave, pasuri që zmadhohet prej tyre. Ua kam dorëzuar herët unë letrat e tyre agjencive të kësaj qeverie; ia bëjnë muuu! Nuk e kam kuptuar kurrë pse e kanë falur. Si thoni? Pse e kanë falur?", thotë Braçe.
Dy ditë më parë kreu i Partisë Mundësia reagoi për përplasjen e Erion Braçes me mazhorancën lidhur me Reformën Territoriale, duke e cilësuar atë si një përplasje të inskenuar që, sipas tij, mund të zbulohet nga votimi në Kuvend.
“Tallja që u bëhet qytetarëve është e pabesueshme. Tani Erion Braçe ka bllokuar foltoren dhe kërcënon Edi Ramën se do të votojë gjoja kundër reformës territoriale. Por ajo që është më e pabesueshme akoma është që tani Braçen e mbështet edhe opozita në këtë teatrin e tij, në lojën që po bën kundër Edi Ramës gjoja”, tha Shehaj.









Komente
Komento