TIRANE- Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak Ylli Zylaj është marrë në pyetje në prokurorinë e Tiranës, lidhur me çështjen e blerjes dhe përdorimit të paisjes sekrete “CDMA Interceptor”. Pyetja e Zylajt është bërë javën e kaluar ku u pyet rreth veprimeve që kishte ndërmarrë ish-drejtori i SHIU-t për blerjen e paisjes që ka një vlerë prej 1.5 milion euro.

Zylaj ka treguar se ka respektuar ligjet në fuqi dhe se e gjithë praktika është ndjekur nëpërmjet një procedure të fshehtë, për shkak se dhe blerja e saj ishte sekrete. Financimi i shumës prej 1.5 milion euro është bërë në një kompani izraelite me ndërmjetësimin e një kompanie shqiptare. Pritet që pas pyetjes së Ylli Zylaj, prokuroria e Tiranës do të pyesë dhe personat e tjerë të kallëzuar në këtë prokurori.