/ATSH-Z.Tosku/- Banorët e zonës së Valbonës në Komunën Margegaj, Tropojë, por edhe turistët që vizitojnë këto treva do të kenë mundësi të përfitojnë tashmë një shërbim cilësor shëndetësor të standardeve të larta.
Një investim i projektit të kompanisë së telefonisë së lëvizshme AMC dhe Zyrës GIZ së koordinimit të projektit gjerman të ndihmës teknike ndërkombëtare, për të modernizuar ambulancat në Alpet e Shqipërisë, pajisi me mjete moderne shëndetësore dhe komunikimi ambulancën shëndetësore të Valbonës.
Valbona prej vitesh ka pasur nevojë për një Qendër Shëndetësore moderne dhe me pajisje të mira, pasi gjatë gjithë vitit këtu ka vizitorë dhe fluksi i turistëve është gjithnjë e në rritje, ndaj ky projekt përmban të gjitha mjetet që duhet të ketë një ambulancë e tillë.
Nëpërmjet këtij investimi u mundësua edhe vendosja e një kompjuteri, për një lidhje të qëndrueshme të shërbimit të internetit dhe kamerën, me të cilat punonjësit e ambulancës mund të komunikojnë me Spitalet Rajonale të Shkodrës dhe Tiranës.
Tashmë, ambulanca e Valbonës është në funksion të plotë për çdo emergjencë që mund të paraqitet në ditët e vështira të këtij dimri. Vetëm gjatë vitit 2014 Valbona u vizitua nga rreth 40 mijë turistë që kanë kaluar të paktën një natë aty, si dhe mijëra vizitorë ditorë. Ndërsa aktualisht në Valbonë jetojnë rreth 40 familje.
Ndërkaq, është Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me partnerët e saj që u vjen në ndihmë turizmit dhe banorëve të zonës.