Pajisjet fiskale, biznesi i vogël mund të marrë aplikimet falas

Pajisjet fiskale, biznesi i vogël mund të marrë aplikimet falas

Foto ilustruese

Në kuadër të diskutimeve lidhur me projektligjin e ri për pajisjet fiskale, ministria e Financave dhe Ekonomisë ka njoftuar dje se synon që të ofrojë fiskalizim falas për bizneset e vogla të përjashtuara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, deri në 2 milionë lekë xhiro, që kanë një numër të kufizuar transaksionesh. Por hollësitë për kriteret që duhet të plotësojneë bizneset për të përfituar një trajtim të tillë (tavani i xhiros) do të përcaktohen me VKM.

Konsultimi

Konsultimi publik i projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur si projektligji për “Fiskalizimin”, vijoi dje në tryezën e diskutimit me shoqatat e biznesit në vend. Tryeza nisi me një prezantim nga ana e zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë Elton Haxhi të pikave kryesore të projektligjit, me synim njohjen nga ana e përfaqësuesve të shoqatave të biznesit të ndryshimeve kryesore që parashikohen nga zbatimi i Fiskalizimit. Ashtu si edhe në tryezat e mëparshme të konsultimit të zhvilluara me grupe të ndryshme interesi, si me kontabilistët, bizneset IT dhe Këshillin Tatimor, zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë vuri në dukje dy ndryshimet kryesore të projektligjit: fiskalizimi i transaksioneve mes biznesit dhe konsumatorëve, që parashikohet të zbatohet nga data 1 janar 2020 dhe fiskalizimi i transaksioneve mes bizneseve, si dhe mes bizneseve dhe organeve shtetërore, që parashikohet të nisë zbatimin nga 1 janari i vitit 2021. “Këto dy ndryshime janë ato që prekin më tepër dhe kanë një impakt më të madh te biznesi. Këto ndryshime janë bërë për dy qëllime. Qëllimi i parë ka lidhje me transaksionet me para në dorë, kryesisht bëhet për të adresuar çështjet e mosfaturimit apo mosdeklarimit të të ardhurave dhe këto mosdeklarime vijnë kryesisht nga transaksionet me para në dorë. Rrjedhimisht ky problem adresohet nëpërmjet një zgjidhjeje të tillë, që e jep ky projekt i fiskalizimit. Pjesa tjetër është risku i kreditimit të paligjshëm apo nëpërmjet faturave fiktive, dhe këtë risk në mendojmë se e adresojmë nëpërmjet fiskalizimit të faturave midis bizneseve”, u shpreh Haxhi.

Biznesi i vogël

Duke përfituar nga prania e përfaqësuesve të shoqatave të biznesit të vogël në takim, ai sqaroi se ky projekt parashikon një procedurë të veçantë për fiskalizimin e tatimpaguesve të klasifikuar si biznes i vogël. “Platforma ofron fiskalizim falas për bizneset e vogla të përjashtuara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, deri në 2 milionë lekë xhiro, që kanë një numër të kufizuar transaksionesh, të cilat do të përcaktohen me VKM dhe për këtë ka vend për konsultim me ju, për të përcaktuar një tavan, i cili do të bënte të mundur që një kategori e mirë biznesesh të vogla të mos kenë nevojë për pajisje fiskale, por të fiskalizojnë transaksionet e tyre direkt në platformën qëndrore. Nga ana tjetër, edhe AKSHI po punon, në bashkëpunim me kompaninë konsulente, për të ofruar një aplikacion falas për biznesin e vogël, në kuadër të fiskalizimit, që mund të përdoret me një pajisje si telefoni apo tableti”.

Projekti

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpërndarë edhe një udhëzues praktik për përdorimin e faturave dhe aplikimit të ri. Në këtë dokument shpjegohet se kush e ka apo jo detyrimin për faturat elektronike, çfarë duhet të përmbajë ajo, etj.

Subjektet që duhet të lëshojnë faturë dhe të zbatojnë procedurat e fiskalizimit janë çdo person, fizik ose juridik, i cili është subjekt i tatimit mbi fitimin ose tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël. Gjithashtu, çdo person tjetër, i cili nuk është subjekt i tatimeve të sipërpërmendura, por është subjekt i TVSH-së, pavarësisht nëse është i regjistruar në sistemin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe i cili duhet të faturojë furnizimet me TVSH, sepse realizon qarkullimin nën kufirin e përcaktuar. E rëndësishme është që të ushtrojë veprimtari ekonomike në mënyrë të pavarur, dhe në atë rast, për çdo furnizim të mallrave ose shërbimeve është i detyruar të lëshojë një faturë dhe të zbatojë procedurën e fiskalizimit. Subjektet e tjera të cilat konsiderohen se ushtrojnë “veprimtari ekonomike” janë prodhuesit, tregtarët ose personattë cilët ofrojnë shërbime, përfshirë veprimtaritë minerare, bujqësore dhe veprimtaritë e profesioneve të pavarura. Veprimtari ekonomike konsiderohet edhe shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme ose të paluajtshme për të gjeneruar të ardhura në mënyrë të vazhdueshme (për shembull, dhënia me qira e apartamenteve dhe banesave për turistë etj.)

Për më tepër, çdo person, pavarësisht nga forma e organizimit të tij, është subjekt i lëshimit të faturës kur furnizon mallra ose shërbime për entet publike dhe kontraktuesit e sektorëve publik, që i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik.

Kush nuk është i detyruar të lëshojë faturë dhe të zbatojë procedurat e fiskalizimit?

Nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë personat e mëposhtëm:

• Organizatat jofitimprurëse për pagesat e anëtarësimit dhe donacionet,

• Organet qendrore, vendore dhe organet e tjera publike të themeluara me ligje të veçanta, që rregullojnë përgjegjësitë publike, në lidhje me aktivitetet ose transaksionet në të cilat marrin pjesë si organe publike,

• personat fizikë, individë kur shesin pronën e tyre personaleme vlerë individuale deri në 500,000 lekë,

• personat fizikë, individë kur marrin me qira vendndodhjen e biznesit,

• personat fizikë të regjistruar si “ambulantë”,

• fermerët, të cilët i nënshtrohen skemës së kompensimit në përputhje me ligjin për TVSH-në,

• personat, të cilët kanë të regjistruar veprimtarinë ekonomike në zona të larta malore, me popullim më pak se 300 individë, që nuk konsiderohen vende turistike.

Fatura nuk duhet të lëshohet as për furnizime me mallra ose shërbime të mëposhtme:

• shitja e prodhimeve bujqësore me prejardhje nga puna e fermerëve,

• furnizim me shërbime të përjashtuara nga TVSH sipas nenit 53, shkronjat “b” deri “e”,

• shitje të biletave nga shoferi i mjetit të transportit në linjat e transportit vendor të udhëtarëve, në përputhje me vendimet e njësive vendore,

• furnizim me energji elektrike, ujë, gaz dhe shërbime publike të ngjashme që u ofrohen personave fizikë, individë,

• shërbime shëndetësore tek mjeku i caktuar i kujdesit shëndetësor parësor.

Nëse një subjekt realizon qarkullim nga ushtrimi i veprimtarive të ndryshme, ai subjekt është i përjashtuar nga fiskalizimi vetëm për veprimtaritë e lartpërmendura.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg