Pak dinjitet

Pak dinjitet
Zgjedhjet parlamentare janë elementi kryesor në demokraci. Ato zhvillohen periodikisht për të votëbesuar ofertat politike, për të dhënë mandatin qeverisës 4 vjeçar dhe për të përcaktuar cila palë qeveris, cila mbetet në opozitë si alternativë e saj. Në çdo zgjedhje ka palë që fiton dhe palë që humbet, rezultat që nuk është i përjetshëm dhe që shpreh sovranitetin kushtetues të qytetarëve. Ndaj zgjedhjet janë test i shumëfishtë: për fituesin, për humbësin, për qytetarët, për institucionet, për maturinë demokratike dhe për standardet e demokracisë. Ndaj edhe sjellja post-zgjedhore kërkon trajtim me dinjitet të rezultateve, kulturë politike dhe mendje të hapura qytetare.
 
Në 23 vite tranzicion rastet për të dëshmuar sjellje dinjitoze për fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve kanë qenë të shumta. Më 1991 demokratët humbën, por dëshmuan dinjitet. Më 1992 socialistët humbën por dëshmuan dinjitet. Më 1996 dhe 1997 dy palët provuan fitoren dhe humbjen absolute, dhe dy palët dëshmuan mungesë të theksuar dinjiteti, etike dhe përgjegjësie në leximin e rezultateve. Më 2001 u përsërit e njëjta sjellje e gabuar nga dy palët, ajo që fitoi më shumë sesa meritoi dhe ajo që humbi kryesisht për fajet e saj. Më 2005 rotacioni politik dha shenja minore të sjelljes me dinjitet të fituesit dhe humbësit.

U duk se shoqëria ishte pjekur, politika ka fituar maturi dhe se çdo palë ka vendosur të respektojë rregullat e garës në demokraci. Zgjedhjet e vitit 2007, 2009 dhe 2011 sollën zhgënjim ndaj pritshmërive pozitive dhe prodhuan modele të sjelljes arrogante nga fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve. Më 2013 rotacioni politik do të duhej të shënonte fundin e tranzicionit institucional, politik, zgjedhor, partiak dhe në mentalitetet e sjelljes politike ndaj verdiktit popullor. Në fakt, janë një sërë treguesish se ky rotacion nuk po reflekton pritshmërinë dhe nevojat e vendit, dhe po trajtohet me standardet më kritike të periudhës së parë të tranzicionit.
 
E para pikë kritike lidhet me zgjedhjet dhe cilësinë e tyre. Ato u organizuan nga qeveria, KQZ u mor arbitrarisht prej saj dhe u soll tërësisht i njëanshëm. Në fund, zgjedhjet sollën rotacion, morën vlerësim pozitiv ndërkombëtar, por qeveria e ndëshkuar me votë popullore hoqi dorë nga meritat dhe i denoncoi ato si zgjedhje të dështuara dhe të manipuluara nga opozita. Në praktikat politike moderne rastet kur opozita i vjedh votat qeverisë gjenden vetëm në Shqipëri më 2005 dhe 2013. Askund tjetër. Sepse bëhet fjalë për një pretendim absurd, sjellje jo dinjitoze dhe një alibi e pabesueshme në çdo komponent të saj.
 
E dyta lidhet me raportet e reja fitues/humbës në zgjedhje. Me gjithë rezultatin e thellë pala humbëse nuk ka uruar ende fituesin, nuk ka pranuar verdiktin zyrtar dhe e trajton votën e 1 milion shqiptarëve si një aksident historik apo fatkeqësi kombëtare. Në zgjedhje mund të ketë debat kur diferenca është e vogël, por kur ajo është e thellë, ka vend vetëm për analizë, jo për kontestim dhe etiketim. Vetëm mendje të sëmura të formimit komunist dhe totalitar mund të fajësojnë qytetarët dhe etiketojnë palën tjetër me terma armiqësorë, duke dëshmuar standardin e ultë të atyre që deri dje imponoheshin si oferta më e mirë evropiane e Shqipërisë.

Një politikë dinjitoze do të duhej të kishte sjellje tjetër: urim zyrtar, pranim rezultati, gatishmëri për alternativë të besueshme të qeverisë dhe garanci për jetë opozitare institucionale në shërbim të qytetarëve dhe demokracisë. Një sjellje dinjitoze do kërkonte që palët të kontaktonin për tranzicionin e pushtetit, që shteti të mbetej tërësisht në funksion në mbrojtje të ligjit, që palës fituese t’i kalonte informacioni i detajuar e profesional i bilancit, inventarit dhe problemeve emergjente të shtetit, që të merrnin fund praktikat abuzive me asetet zyrtare, dhe që organet e drejtësisë të trajtonin çdo rast abuzimi me shpejtësi, transparencë e përgjegjësi.
 
E treta lidhet me nocionet dhe identitetin e sjelljes politike. Kauza mbi të cilën demokratët u mblodhën më 1990 ishte Evropa dhe SHBA, demokracia dhe shteti ligjor. Ata firmosën pranimin në KE, NATO dhe kanë meritat e tyre politike. Por ana tjetër e medaljes mbetet e trishtë dhe zhgënjyese. Le të marrim një shembull: raportin me SHBA, vendin simbol të demokracisë. Nga tetë ambasadorë amerikanë në Shqipëri nga 1991 PD ka etiketuar dhe sulmuar ashpër gjashtë prej tyre (Withers, Xhefri, Limprecht, Lino, Lake, Arvizu), ka pasur qëndrim neutral për një (Ries) dhe ka vlerësuar vetëm një (Rajerson).

Sulmet absurde dhe me gjuhën e rrugës që erdhën këto ditë ndaj ambasadorit të fundit amerikan, Arvizu, të kujtojnë modele të vendeve oligarkike dhe rikthejnë kritikën se në politikën shqiptare ekziston gjithnjë një celulë antiamerikane, që funksionin sa herë këshillat amerikane bien në kundërshtim me interesat personale të ndonjë lideri politik apo partie politike në Shqipëri. Sjellja ndaj SHBA, ndaj politikanëve të majtë evropianë, ndaj trupit diplomatik perëndimor, etj, është sjellje gangsterësh, jo politikanësh. Ajo është dëshmi e mungesës së dinjitetit dhe identitetit politik, e kontrastit të thellë midis kauzave politike elektorale dhe formimit politik të atyre që kanë privatizuar prej dy dekadash kauzat, politikën dhe partitë politike.
 
E katërta, lidhet me sjelljen e fituesit. Një palë ka fituar por ende nuk është në detyrë. Pret konsumimin e afatit kushtetues të palës tjetër. Kjo e fundit sillet prej një muaji si mazhorancë dhe opozitë, prodhon kritika dhe sulme, paralajmëron zhvillime dramatike për vendin dhe kërcënon palën tjetër. Pa fuqi të merret me vetveten dhe nevojën historike për katarsis, vijon traditën e vjetër të marrjes me tjetrin, si alibi, si ushqim për militantët dhe si mjet i ikjes nga analiza dhe përgjegjësitë. Një sjellje tipike para-demokratike, aspak dinjitoze, produktive dhe bashkëkohore.

Pala tjetër vijon të konsumojë shampanjën dhe të sillet si opozitë denoncuese, pa treguar mekanizmin sesi do vendoset drejtësia, pa adresuar fakte e dosje konkrete në organet përgjegjëse të ligjit dhe pa një program ende të qartë reformash thelbësore. Ajo paralajmëron ndryshime retorike kudo dhe për gjithçka, - një sjellje e justifikueshme në ndryshime sistemesh politike, jo në rotacione normale demokratike, ku të paktën një e treta e pushtetit të ri faktikisht është e njëjtë me një të tretën e pushtetit që ikën. Duhet pranuar edhe fakti se trashëgimia negative që la pas PD më 2013 në shtet, shoqëri dhe politike mund të jetë më e madhe në pritshmëri, por në thelb mbetet e njëjtë me modelin dhe trashëgiminë që la pas PS më 2005.
 
E fundit lidhet me interesin publik post-zgjedhor. Leximi bardh e zi dhe retorika për nisje nga niveli zero janë në thelb lexim jodemokratik i politikës. Mesazhi i qytetarëve më 23 qershor ishte ndëshkimi i sjelljes arbitrare, i arrogancës, i korrupsionit, i privatizimit të politikës dhe kultit të individit. Ky mesazh meriton lexim të thellë dhe reflektim shumëplanësh nga palët politike. Opozita e re për të dëshmuar se nuk është kopje e modelit të vjetër konfliktual e refuzues, mazhoranca e re për të dëshmuar se ka mësuar nga gabimet e palës tjetër dhe ka vullnet për ndryshim.

P.sh, nëse ka zhvillim që duhej mbështetur qoftë edhe për pjesën e të huajve, ishte konferenca e fundit me ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare mbi prioritetet e zhvillimit. Opozita e re duhej të ishte prezent me mendimet e saj publike, jo me lojën e vjetër të denigrimit dhe sulmit frontal në rrjete sociale apo media. Siç pala fituese duhet të heqë dorë nga refuzimi në bllok i akteve të qeverisë në ikje, siç janë p.sh, planet urbanistike. Nëse duhen ndryshuar le të ndryshohen, por refuzimi apriori lë shije të hidhur.
 
Si dy rastet e mësipërme janë të shumta pikat ku publiku pret që palët të ndryshojnë sjellje, të dëshmojnë dinjitet, lidership, vullnet pozitiv dhe minimalisht, pak dinjitet. Zgjedhjet u bënë, vota përcaktoi palën fituese, por problemet e mëdha që shqetësojnë qytetarët mbeten ende aty në pritje për zgjidhje. Sfida për zgjidhje mbetet sfida kryesore e politikës. Çdo skenar tjetër që prodhon retorikë boshe dhe konflikte inekzistente, që inskenon apo imiton modelet e vjetra, vetëm sa zgjat tranzicionin, vonon zgjidhjen e problemeve, zhgënjen qytetarët dhe dobëson demokracinë. Një mesazh që palët duhet ta lexojnë çdo ditë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza