Senatori amerikan John McCain shuhet në moshën 81-vjeçare/ Mesazhet e politikës: Shqiptarët humbën një mik

Senatori amerikan John McCain shuhet në moshën 81-vjeçare/ Mesazhet e politikës: Shqiptarët humbën një mik

Senatori amerikan John McCain

SHBA- Ndahet nga jeta pas betejës 1 vjeçare me sëmundjen e rëndë të kancerit senatori amerikan John McCain. Lajmi ka hidhëruar jo vetëm amerikanët, por edhe shqiptarët, pasi senatori republikan njihet si një nga mbështetësit e shqiptarëve, veçanërisht për çështjen e Kosovës.

McCain 81 vjeç, i cili shërbeu gjashtë mandate radhazi në Senatin amerikan dhe kandidoi dy herë për president vdiq të shtunën pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit në tru.

Vetëm pak ditë më parë, familja e tij konfirmoi lajmin se 81-vjeçari kishte hequr dorë nga mjekimet për sëmundjen duke vendosur që ditët e fundit të jetës t'i kalonte në paqe.

Më herët McCain shprehej se ishte shumë i lumtur me jetën e tij dhe me çdo gjë që ka qenë në gjendje të bëjë.

Unë jam në gjendje të festoj dhe të jem shumë i lumtur sepse kam pasur një jetë të mrekullueshme dhe do të jem mirënjohës për të gjithë kohën që më ka mbetur.

John McCain

Gjatë karrierës së tij, në prill të 2017 McCain, vizitoi edhe Kosovën, ku kujtoi përpjekjet e bëra për të arritur tek pavarësia.

Me gjithë përparimin që ka bërë Kosova, ende mbeten shumë punë për t'u bërë. Por në këto punë, ju nuk do të jeni vetëm. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t'ju mbështesin për të përmbushur sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që keni përpara. Nëse më lejoni, si një mik i vjetër që dëshiron ta shohë Kosovën të ketë sukses, do të doja të ndaja me ju shpresat e mia për të ardhmen e ndritur të Kosovës.

Tha McCain në parlamentin e Kosovës 

Pas lajmit të ndarjes së tij nga jeta, me anë të një statusi në Twitter ka reaguar dhe presidenti i SHBA-ve Donald Trump.

Ngushëllimet dhe respektin më të thellë për familjen e Senatorit John McCain. Zemrat dhe lutjet tona janë me ju.

Donald Trump

Donald Trump në Twitter

McCain u diagnostikua me kancer në korrik të 2017.  Ai u largua nga Uashingtoni në dhjetor, por duke mbetur një figurë politike mjaft aktive. Edhe pse i tërhequr, senatori ka qenë një kritik i ashpër i presidentit Trump.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:43
'Faleminderit për gjithçka', Rama reagon pas ndarjes nga jeta të senatorit McCain

Pas vdekjes në moshën 81-vjeçare të senatorit amerikan John McCain, një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri i vendit Edi Rama.

Me anë të një statusi në Facebook, Rama shkruan se McCain ishte një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin kemi ndarë mendime të mëdha.

McCain u diagnostifikua me sëmundjen e rëndë në korrik të vitit të kaluar dhe muajt e fundit të jetës i kaloi larg syve të publikut në shtetin e Arizonës, duke pranuar vizita nga miqtë e shumtë dhe politikanët e afërt me të. 

Postimi i Ramës në Facebook:

Senatori John McCain e jetoi jetën si një betejë të pandërprerë për vlerat e mishëruara në qenien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte dhe një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin kemi bashkëpunuar e ndarë mendme të njëjta. Thank you for all and rest in peace Senator.

Edi Rama, kryeministër

Përpos Ramës, për vdekjen e senatorit amerikan McCain kanë reaguar edhe figurat e tjera të rëndësishme të politikës shqiptare, të cilët gjithashtu e kanë cilësuar ndarjen e McCain nga jeta, si humbjen e një miku dhe aleati.

Ora 09:44
Vdekja e senatorit McCain, reagon politika shqiptare: Humbëm një mik, vështirë të zëvendësohet

Pas lajmit të ndarjes nga jeta të senatorit amerikan John McCain, reagime të shumta kanë ardhur nga figura të rëndësishme të politikës shqiptare, të cilat e cilësuan senatorin si një mik të mirë të Shqipërisë. Kjo pasi senatori McCain ka qënë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, në luftën e saj për Pavarësi.

Me anë të një statusi në Facebook ka reaguar edhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Në statusin e tij Majko shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur një politikan të veçantë dhe me vlera të rralla, të cilin do ta kenë shumë të vështirë ta zëvëndësojnë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur një politikan të vecantë. Senatori John McCain, ndërroi jetë. Ky ish-pilot i forcave ajrore të marinës amerikane përfaqëson një nga karakteret më të skalitura të politikës amerikane.

Senatori McCain në politikë dhe në jetë ishte po i njëjti. Vdekjen e priti si ushtaraku që në luftë e ka njohur atë. Ndërpreu mjekimet me vullnetin e tij. Ndroi jetë ashtu sic jetoi. Politika amerikane do ta ketë të vështirë ta zëvendësojë senatorin John McCain. Ishte vërtet një fat ta kishe këtë burrë në krahun e kombit shqiptar.

Pandeli Majko, ministër

Statusi i Pandeli Majkos 

Për vdekjen e tij, ka reaguar edhe presidenti Meta, i cili u shpreh se një lajm i tillë është tejet i hidhur për të gjithë shqiptarët, pasi humbëm një nga mbështetësit më të vendosur të çështjes së Kosovës.

Ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është një lajm i hidhur për mua dhe për të gjithë shqiptarët.

Sot u largua nga jeta një hero lufte dhe një patriot i madh, njeriu që i shërbeu kombit të tij me vetëmohim, heroizëm e ndershmëri të pashoqe. 
Ai i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan.

Senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të antarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.

Angazhimi i përkushtuar i njerëzve të tillë si McCain për cështjen e të drejtave dhe të lirive të popujve të shtypur në botë e kanë bërë SHBA-në një vend lider të demokracisë dhe rriti simpatinë e saj në gjithë botën.
Sot shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm. 
U prehtë në paqe shpirti i tij!

Ilir Meta, president

Postimi i Metës në Facebook

Për vdekjen e McCain, nuk ka munguar as ngushëllimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në statusin e tij, Haradinaj u shpreh se ndjehej i pikëlluar nga lajmi pasi Kosova  humbi mikun e saj të çmuar.

I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Senatorit republikan të ShBA-së John McCain, familjes së tij, Senatit dhe qytetarëve amerikanë, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta të popullit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Familja humbi të dashurin e vet, Amerika Heroin, kurse Kosova mikun e çmuar, pa të cilin rrugëtimi ynë drejt lirisë dhe shtetkrijimit do të ishte më i vështirë.

Fitues në luftë dhe në paqe, luftëtar i madh për të drejtat e njeriut dhe ligjvënës i pashoq.
Hyri në zemrat tona si humanist dhe do ta ketë vendin e nderit në kujtesën shtetërore të Kosovës.

Lamtumirë mik i Kosovës, John McCain. Pusho i qetë!

Ramush Haradinaj

Postimi i Ramush Haradinaj

Një reagim për vdekjen e McCain ka ardhur edhe nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Senatori McCain, një shpirt i lirë u ngjit në përjetësi. Ishte bir i sakrificës për kombin, lirinë dhe paqen. Hero i Amerikës, komandant legjendar dhe senator vizonar. Ishte mik i madh e i sinqertë i Shqipërisë, i përkushtuar për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe multietnike.

Gramoz Ruçi, kreu i Kuvendit

Ngushëllime familjes dhe respekt të pafund për njeriun që mbetet në sytë e amerikanëve dhe gjithë botes, hero lufte, patriot dhe luftëtar i së drejtës! Shqiptarët humbën një mik të madh që luftoi deri në fund për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës! U prehsh në paqe Senator McCain. Zemrat dhe lutjet tona janë me Ju!

Olta Xhaçka, ministre

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë