670 aplikues kanë shprehur interes për Paketën e Maleve në Bashkinë Shkodër, një proces që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore.

Shifrat janë bërë publike nga Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Shkodër, Mikel Kopsaj, gjatë një interviste për mediat.

 Duke marrë parasysh potencialin e lartë zhvillimor të territorit dhe interesin e shtuar nga përdoruesit dhe investitorët, me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 714, datë 26.11.2025, pas propozimit të Bashkisë Shkodër, janë shpallur zonat e para prioritare për zhvillim.

Sipas të dhënave të publikuara, zonat që kanë regjistruar numrin më të lartë të aplikimeve janë Theth – Ndërlysaj me 274 aplikime dhe Rragam – Sheldi me 51 aplikime.

Ndërkohë, duke marrë parasysh potencialin e lartë zhvillimor dhe interesin e shprehur edhe në zona të tjera, është dërguar kërkesë për shpalljen si zona prioritare edhe për fshatra të njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Postribë.

“Edhe në këto zona kemi një numër të lartë të interesuarish për Paketën e Maleve, afërsisht 150 aplikime”, tha Kopsaj.

Bashkia Shkodër ka hapur thirrjen publike për aplikuesit e interesuar, të cilët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit e-Albania, me qëllim nisjen e procedurës së njohjes si posedues jopronar.