Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur deklaratën e ministrit Enea Karakaçi, se ‘Paketës së Maleve’ do i shtohet një projekt i quajtur ‘Porta e Alpeve’.

‘Porta e Alpeve’ sipas kryeministrit përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar nga Qeveria dhe Banka Shqiptare e Investimeve.

Rama shtoi se ky projekt ka për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor.

Shefi i Qeverisë theksoi se ky projekt synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën, por edhe me pjesën tjetër të vendit.

Kryeministri tha gjithashtu se në këtë projekt përfshihet përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe transportit, përfshihen investime në ujësjellësa dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe ndërhyrje në zhvillimin urban dhe restaurimin e trashëgimisë historike.

“Një shënim, i cili besoj ia vlen, sepse në këto javë, në këta muaj, po flitet për Paketën e Maleve. Natyrisht, kur them po flitet kam parasysh, jo vetëm ç’ka themi ne për të informuar publikun dhe, mbi të gjitha, për të informuar ata, të cilët e shikojnë nga jashtë Shqipërisë dhe dëshirojnë që të investojnë kursimet e tyre në tokën e të parëve apo në rindërtimin e një shtëpie të vjetër të gjyshërve mes maleve, por edhe çfarë thuhet nga shumëkush që, si gjithmonë dhe për gjithçka, deformon, devijon e kështu me radhë. Por nuk është kjo përmbajtja e këtij shënimi, por është ajo çka i shtohet Paketës së Maleve si një projekt i quajtur “Porta e Alpeve”, që përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim masiv prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar me Bankën Europiane të Investimeve, për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor. Është një projekt për të cilin kemi punuar për një kohë të gjatë, që synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të vendit, padyshim duke krijuar aksese të lehta dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit. Përfshihet përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe transportit, përfshihen investime në ujësjellës dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe ndërhyrje në zhvillimin urban dhe restaurimin e asaj trashëgimie të vyer historike që ka edhe në zonën e veriut. Ndërkohë që, patjetër, nuk mund të ishte jashtë projektit edhe kujdesi për të siguruar, për të garantuar gjithë ato pjesë të mrekullueshme të natyrës që duhet të mbeten të paprekshme”, tha mes të tjerash Rama.

Shefi i Ekzekutivit shtoi gjithashtu se ky projekt tregon se kjo qeveri ka bërë më shumë për veriun e Shqipërisë se të gjitha qeveritë e tjera paraardhëse.

“Kjo është qasja e integruar e një projekti që nuk trajton vetëm një segment, një aspekt, por ka një shtrirje gjithëterritoriale dhe synon, dhe besoj ka të gjithë potencialin, për t’i dhënë një nxitje ekstra zhvillimit të turizmit dhe të ekonomisë në veriun e vendit. Besoj që, me këtë shënim, mund t’i bëj edhe një përshëndetje të posaçme të gjithë atyre që, sa herë flitet për veriun, menjëherë fillojnë të flasin përçart për qeverinë që nuk ka bërë mjaftueshëm për veriun, dhe një përshëndetje shumë miqësore, duke u thënë që sa ka bërë dhe sa do të bëjë kjo qeveri për veriun e vendit, nuk kanë bërë të gjitha qeveritë e marra së bashku. Sa për ato që vijnë pas, nuk dua të flas, por për të gjitha qeveritë e marra së bashku, qysh se Shqipëria ka hyrë në rrugën e liri-demokracisë, që e dimë të gjithë se si filloi, si vazhdoi dhe të gjithë e shohin se si po transformohet në funksion të të gjithë shqiptarëve dhe në funksion të të gjithë Shqipërisë”, vijoi më tej kryeministri.

Lajmin për projektin e quajtur Porta e Alpeve, e njoftoi disa ditë më parë edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. 100 milionë euro në total do të përdoren për një sërë investimesh në infrastrukturë e transport me qëllimin për të krijuar një korridor mes Alpeve dhe Adriatikut.


Lajmi kryesor:

‘Arlis’/ Rama: Dolën e folën ekspertët publikë pa licenca, nisja e zjarrit nuk ka lidhje me vetë ndërtimin! Bonus qiraje për banorët