TIRANË- Një ditë pasi prezantoi Paketën e Rezistencës Sociale me 7 pika për t’iu gjendur pranë qytetarëve për rritjen e çmimeve, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim në dy biznese për të informuar punonjës në sektorë të ndryshëm për këtë paketë, ndërhyrjet e qeverisë dhe efektet e krizës ndërkombëtare në ekonomi.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri informoi se Paketa e Rezistencës Sociale parashikon ndër të tjera, që qeveria të afrojë me dy muaj, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra. Gjithashtu do të shtohen 20 miliardë lekë të rinj ose 200 milionë USD për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.

Rama ka ritheksuar edhe njëherë se çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël nuk do të rritet, por do të paguhet nga shteti, ndërsa bëri me dije se do të shtohen edhe 20 miliardë lekë të reja për financimin. Ai theksoi se deri në fund të vitit qeveria do të paguajë 650 mln euro për faturat e energjisë për familjet dhe për bizneset.

Kreu i qeverisë, zbuloi po ashtu se po negociohet me Serbinë për një sasi gruri të kontraktuar më herët nga kompanitë shqiptare, para se Serbia të bllokonte eksportet për të ruajtur popullin e saj nga kriza. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur çmimi i miellit është rritur në vend për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Sa i takon protestës për rritjen e çmimeve, Rama tha se nuk do të ketë ulje të çmimit të naftës, për ato që duan të furnizojnë Fuoristradat apo X5 për të bllokuar rrugët, në këtë kohë lufte, ndërsa e gjithë bota del për tu solidarizuar me Ukrainën. Kryeministri ishte i shoqëruar në këto dy takime, nga ministrja e Energjitikës dhe Infraskturës Belinda Balluku si dhe nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.

Pas mbledhjes me qeverinë, kryeministri Edi Rama prezantoi 7 masat e marra, ku shpjegoi se do të kompensojnë me 3 mijë lekë rritjen e çmimeve të shportës për shtresat në nevojë. Kjo shumë do të përfitohet për 3 muaj nga pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistë të invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:39
Rama jep lajmin e mirë: Nuk do ketë rritje të çmimit për transportin urban, do mbulohet nga qeveria

Kryeministri Edi Rama sqaroi sot qytetarët se të gjithë ata që përdorin linjat urbane, ndërurabe nuk do të kenë rritje të çmimit të biletës. Ai theksoi se koston shtesë do e paguajë qeveria dhe për këtë do të jepen 5 milionë dollarë.

“Ne jemi këtu edhe për transportin tuaj. Ju nuk vini këtu, se këtu nuk është qendra e Tiranës, ju nuk vini këtu me vetura, ju vini këtu me fugon, vini këtu me autobus, nuk e di si e keni të organizuar transportin, mbase e garanton kompania por ka shumë e shumë si ju që marrin autobusin dhe ne jemi këtu që të mos ju rritet çmimi i biletës. Prandaj kemi vendosur në këtë paketë rezistence, 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, që ju të vazhdoni të paguani të njëjtin çmim dhe ne qeveria paguajmë pjesën tjetër dhe ju nuk e ndjeni fare rritjen”, tha Rama në një takim me bizneset.

Ora 11:15
Çmimi i miellit është rritur/ Rama: Po negociojmë me Serbinë për sasi gruri të kontraktuar më parë, do ta bëjmë përmes 'Ballkanit të Hapur'

 

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar sot se po negociohet me Serbinë për një sasi gruri të kontraktuar më herët nga kompanitë shqiptare, para se Serbia të bllokonte eksportet për të ruajtur popullin e saj nga kriza. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur çmimi i miellit është rritur në vend për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

 “Po negociojmë tani me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është kontraktuar nga kompanitë tona. Besojmë se do ta bëjmë, nëpërmjet Ballkanit të Hapur. Këto janë faktet. Ju gratë e dini që burrat luftojnë me faktet. Duan t’iu dalë e vetja dhe nuk pranojnë faktet”, tha Rama.

Ora 10:57
Rama: Kriza, 'çmimi' që duhet të paguajmë prej luftës, nëse s'reagojmë konflikti vjen këtu

 

Rritja e çmimeve dhe kriza është ajo që duhet të paguajmë për mbështetjen që po i japim Ukrainës. Kështu deklaroi Kryeministri Rama sot, teksa nënvizoi se ky është kompromisi që bota ka bërë për të mos e sjellë luftën kudo.

"Dje më çonin  çmimin e naftës dhe të benzinës në Itali. 2.4 euro për litër. Vendet e kanë pranuar për të mbështetur ata që po vriten atje. Dhe nuk i mbështesim ata vetëm për ata, por sepse nëse nuk reagojmë ajo luftë vjen tek ne", tha Rama.

Ora 10:32
Rama: Nuk ulim çmimin naftës për ata që duan të furnizojnë ‘X5’-at për të bllokuar rrugët dhe për ato që protestojnë me Iphone në kohë lufte

Kryeministri Edi Rama tha se nuk jemi këtu për të ulur çmimin e naftës për ato që duan të furnizojnë Furostradat dhe x5 për të bllokuar rrugët e atje dhe për t’i mbajtur njerëzit në rrugë në këtë kohë lufte. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është i vetmi vend në botë që po proteston, jo për tu solidarizuar me Ukrainën, por për rritjen e çmimeve nga lufta.

‘Ne nuk jemi këtu të ulim naftën për ata që duan të furnizojnë të Furostradat dhe x5 për të bllokuar rrugët e atje dhe për t’i mbajtur njerëzit në rrugë në këtë kohë lufte, për turpin e dheut, ndërkohë që e gjithë bota del në protesta për tu solidarizuar me ato të shkretët që i kanë bombat mbi kokë. Këtu janë disa që dalin me makina x5 dhe bëjnë protesta me drita Iphonësh. Nuk kanë pensionistët drita Iphone dhe nuk kanë x5. Ato që kanë mundësi më shumë do të paguajnë më shumë. Në këtë kohë është koha për tu ndjerë mirë, që paguan më shumë kur ke më shumë. I vetmi vend i NATO-së që del në protestë për rritjen e çmimeve nga lufta në Ukrainë.’- tha Rama.

Ora 10:32
Rama: Brenda mandatit objektivi që paga minimale të shkojë mbi 40 mijë lekë! E rrisim çdo vit

 

Kryeministri Rama është shprehur sot se Qeveria do ta rrisë pagën minimale çdo vit dhe deri në fund të mandatit Rama tha se dëshiron që në vend të mos ketë pagë nën 40 mijë lekë

“Është bërë si modë këtu që pagat janë 20 mijë lekë, jo është 30 mijë lekë. Do ta rrisim çdo vit, në fund të mandatit do të bëjmë që të mos ketë pagë nën 40 mijë lekë", tha ai.

Ora 10:24
Rama: Një kilovat energji shkon në treg 61 lekë, familjet shqiptare e paguajnë me 9%

 

Në takimin me një grup punonjësish në një biznes në Tiranë, Kryeministri Rama nënvizoi se një kilovat energji shkon në treg aktualisht 61 lekë, ndërsa familjet shqiptare e paguajnë me 9%.

"Kur të shkoni në shtëpi hidhni një sy faturës së energjisë dhe shumëzojeni me 7. Aq është çmimi real sot. Qëllimi ynë është ruajtja e  një situatë normale. Nuk ka ndodhur kurrë që një krizë të rrisë çmimet në këtë situatë. 61 lekë të jetë vlera e kilovatit dhe ju të paguani 9 lekë", tha Rama.

Ora 10:17
Rama: Gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me pagë më të lartë se paga minimale, deri në fund të mandatit e çojmë 40 mijë lekë

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me bizneset për të prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale. Kreu i qeverisë tha se paga minimale do të bëhet që nga muaji prill 32 mijë lekë, ndërsa shtoi se gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me një pagë më të lartë se paga minimale.

‘Në këtë situatë absurde të krijuar nga një luftë që zhvillohet vetëm 2 orë larg në vijë ajrore nga ne, shikojmë edhe pasojat e rritjes së çmimeve. Kemi vendosur heqjen e taksës me pagën mbi 40 mijë lekë. Keni dhe në të ardhur plus, që është një 7% i ndarë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Pagat minimale në Shqipëri janë 30 mijë lekë dhe nga fillimi i muajit prill do të reflektohet rritja e pagës minimale e cila do të shkojë 32 mijë lekë. Deri në fund të mandatit, paga minimale do të shkojë deri në 40 mijë lekë. Gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me një pagë më të lartë se paga minimale.’- tha Rama.