
Paketa Fiskale për vitin 2026-të që shoqëron projektbuxhetin parashikon të ndryshojnë 5 ligje që janë aktualisht në fuqi, ndërsa 3 janë projektligje të reja, me qëllim finalizimin e ‘Paqes Fiskale’ dhe realizimin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Dy nga projektligjet më të rëndësishme të pagëzuara si ‘Paqe Fiskale’ me bizneset.
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, parashikon faljen e rreth 500 milionë euro detyrime e gjoba që bizneset i kanë të papaguara deri në 31 dhjetor 2014. Po ashtu lehtësohen detyrimet e krijuara nga 2015-2024, por me kushte, pasi një pjesë e borxhit duhet paguar brenda 2026-ës.
Ndërsa “Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, propozon bërjen e një marrëveshje maksimumi 3-vjeçare me bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë, duke negociuar fitimin e tyre. Pra mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, po ashtu është pjesë e paketës fiskale 2026, parashikon t’u japë mundësinë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut kundrejt një norme tatimore 5%. Kjo fushatë do të zgjasë nga janari deri në dhjetor 2026.
Ndryshohet edhe ligji aktual i TVSH-së, pasi do të rikthehet kompensimi në bujqësi. Për çdo faturë që fermerët do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktin do të kompensohen me 10% të vlerës së saj, këtë parashikon ndryshimi i ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Bizneset nuk do të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 100 mijë lekë në cash me një biznes tjetër. Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.
Projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Ndërsa dy nismat e tjera pjesë e ‘PAKETËS’, janë projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit, si dhe për herë të parë vendoset si detyrim për bizneset online të deklarojnë NIPT-in në faqet e tyre.
Lajmi kryesor:
SKEDA/ Nga falja e mbi 1 mld euro detyrime tek marrëveshja për tatimin mbi fitimin, si do të funksionojë paketa e paqes fiskale?









