Pakistani bombardoi kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin, dhe dy provinca të tjera të premten, disa orë pas një sulmi kufitar, që shënon përshkallëzimin e fundit të dhunës midis fqinjëve që nënshkruan një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari në vitin 2025.

Pas muajsh përleshjesh, forcat afgane sulmuan trupat kufitare pakistaneze të enjten në mbrëmje, në atë që qeveria talebane e quajti hakmarrje për sulmet e mëparshme ajrore vdekjeprurëse, shkruan The Guardian.

Orë më vonë, të paktën tre shpërthime u dëgjuan në Kabul të premten në mëngjes, por nuk kishte informacione të menjëhershme mbi vendndodhjen e saktë të sulmeve në kryeqytetin afgan, apo për ndonjë viktimë të mundshme.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha të premten se forcat e armatosura të vendit të tij mund të “shtypin” agresorët dhe se kombi qëndron “krah për krah me forcat e tij të armatosura”. Ndërsa ministri i Mbrojtjes i vendit shpalli “luftë të hapur” me fqinjin e tij.

Në një postim të publikuar të premten në X, ministri i mbrojtjes Khawaja Mohammad Asif tha se Pakistani kishte shpresuar për paqe në Afganistan pas tërheqjes së forcave të NATO-s dhe priste që talebanët të përqendroheshin në mirëqenien e popullit afgan dhe stabilitetin rajonal.

"Durimi ynë tani ka sosur. Tani është një luftë e hapur midis nesh", tha ai.

 Marrëdhëniet midis fqinjëve janë përkeqësuar në muajt e fundit, me kalimet kufitare tokësore kryesisht të mbyllura që nga luftimet vdekjeprurëse në tetor që vranë më shumë se 70 persona nga të dyja palët.

Islamabadi akuzon Afganistanin se nuk ka ndërmarrë veprime kundër grupeve militante që kryejnë sulme në Pakistan, gjë që qeveria talebane e mohon.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u bëri thirrje të dyja palëve të mbrojnë civilët siç kërkohet nga e drejta ndërkombëtare dhe të vazhdojnë të përpiqen të zgjidhin çdo mosmarrëveshje përmes diplomacisë.

Pakistani dhe Afganistani ndajnë një kufi prej 2,611 km të gjatë të njohur si Vija Durand, të cilën Afganistani nuk e ka njohur zyrtarisht.