PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një interviste për RTK-në është shprehur se Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po përkrahin idenë për shkëmbim të territoreve me Serbinë. Ai theksoi edhe njëherë me këmbëngulje se nuk do të lejojë një gjë të tillë, pasi do të kishte pasoja.

“Unë ju kam thënë se nuk kemi nevojë për hapje të kufijve pasi hapet pavarësia e 17 shkurtit. Mendoj që pasojat i kemi për shkak se një pjesë e lidershipit të Kosovës dhe rajonit i ka ofruar Shtëpisë së Bardhë një marrëveshje për Serbinë.

Presidenti Thaçi, kryeministri Rama e ka pëlqyer këtë ide për shkëmbimin e territoreve. Është lënë të nënkuptohet në shumë raste se një opsion i tillë është miratuar dhe pëlqyer nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Rama. Unë e kam këshilluar që është retorikë e gabuar sepse merret në qafë një popull i tërë sepse hapen kufijtë dhe s’dihet si mbyllen”, ka deklaruar Haradinaj.

Por, dje gjatë Samitit të Diasporës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi nga Tirana se nuk do të ketë kurrë shkëmbim territoresh me Serbinë duke thënë se duhet të kalojnë mbi trupin e tij për ta arritur këtë.