TIRANE - Më shumë sesa me paqartësinë e tij për pozicionimin politik në këto zgjedhje, Vangjel Dule surprizon me lëvizjet e tij të orëve të fundit. Dy ditë përpara zgjedhjeve, kreu i PBDNJ-së ka arritur në një marrëveshje për bashkëpunim lokal me Partinë Demokratike. PBDNJ po mbështet kandidatet e opozitës në zonat minoritare në jug të vendit ku ka dhe peshën kryesore të saj, dhe nga ky bashkëpunim po fiton terren të lirë në disa bashki prioritare të saj.

Faktet e para të dukshme të nisjes së këtij bashkëpunimi janë dy momente kyçe. Ditën e djeshme, kandidati i PD-së për Bashkinë e Finiqit, Lefter Karajani, ka dhënë dorëheqjen me motivin “për arsye familjare”, por bashkia e Finiqit është më e lakmuara dhe më e mundshmja për tu fituar nga Jani Bani, kandidati i PBDNJ-së. Po në të njëjtën ditë, partia e Vangjel Dules shprehu haptazi mbështetjen e saj ndaj Kandidatit të PD-së për Sarandën, Kreshnik Bozho. Këto dy raste nuk mund të shihen të shkëputura nga njëra-tjetra, dhe qartazi është e dukshme, se PD i lehtëson garën në Finiq PBDNJ-së, ndërsa kjo  e fundit, i jep ndihmë PD-së në Sarandë.

I dorëhequri dy ditë para zgjedhjeve, Lefter Karajani, i telefonuar nga “Shqiptarja.com” e ka lehtshëm të dukshëm zemërimin. Fare shkurt dhe me tone të ngritura ai shprehet se nuk ka gjë për të thënë veç dy rreshtave të shkruar në letrën e dorëheqjes. “Arsyet i keni aty. Janë familjare. U tërhoqa sot sepse kështu ishin punët”. Por ka edhe një tjetër fakt, që vërteton bashkëpunimin. Mbrëmjen e së enjtes, Vangjel Dule zhvilloi një takim në Gjirokastër me Tritan Shehun, të deleguarin e PD-së në këtë qark, si dhe me kandidatin e opozitës Igli Kokalari.

Tritan Shehu shpjegon për gazetën bashkëpunimi ishte vetëm për Gjirokastrën, por faktet tregojnë për një bashkëpunim më të gjerë. “Ishte një takim mirëkuptimi dhe ne hapëm një rrugë të re bashkëpunimi midis nesh. Ne diskutuam për hapësirat e Gjirokastrës, qoftë në mbarëvajtjen e votës, qoftë në mbrojtjen e votës, qoftë dhe në ndihmë për vlerat që ka kandidati ynë i Gjirokastrës, Igli Kokalari. Tërheqja e kandidaturës së Finiqit nuk ka qenë pjesë e bashkëpunimit të mbrëmshëm.

Diskutimi ka qenë vetëm për çështje të hapësirave të Gjirokastrës. Ne do ta mbrojmë votën me korrektësinë e komisionerëve tanë, numëruesve tanë, edhe në shërbim të partive të vogla që nuk kanë komisionerë apo numërues. Në do të jemi garantë për aleatët dhe për këtë të jeni të sigurt. Edhe PBDNJ-së i dhamë të njëjtat garanci për mbrojtjen e votës,”-shpjegon Shehu. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)