Nën presionin amerikan dhe rrezikun e daljes nga skena politike, Lulzim Basha hoqi dorë nga kryeministri teknik, votimi dhe numërimi elektronik, nga kushti i shtyrjes së zgjedhjeve në vjeshtë, nga përbetimi se nuk do të kishte zgjedhje me Edi Ramën kryeministër etj. Votimi dhe numërimi elektronik, boshti i kauzës së Partisë Demokratike, nuk do të aplikohen në këto zgjedhje parlamentare, por do të eksplorohen mundësitë për t’u aplikuar në zgjedhjet e 2021. Megjithatë, Lulzim Basha dhe opozita shqiptare, si asnjë opozitë tjetër në Evropë, do të futen në zgjedhjet parlamentare me njërën këmbë në qeveri.
Me anë të çadrës, Lulzim Basha, 37 ditë para zgjedhjeve, mundësoi rrëzimin e ministrave dhe drejtorëve kryesorë të kësaj qeverie, për t’i zëvendësuar me ministra dhe drejtorë teknikë. Pra, me anë të këtyre pikave të marrëveshjes, PD ka realizuar pjesërisht kushtin e qeverisë teknike.
Po me anë të aksionit 90-ditor, Partia Demokratike ka marrë drejtimin e dy institucioneve të rëndësishme, drejtimin e Avokatit të Popullit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Lulzim Basha ka marrë gjithashtu garanci maksimale për zgjedhjet e 25 qershorit. Por, garanci të tilla pritet të kenë një efekt të dyanshëm, pasi nëse Lulzim Basha do të humbasë zgjedhjet, nuk do të ketë asnjë alibi për të justifikuar një humbje të tillë, pasi opozita do të jetë bashkëpërgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve.
Marrëveshja i mundëson opozitës të bëhet pjesë e luftës kundër drogës. Me anë të kësaj pike, mazhoranca çlirohet nga akuzat për kanabisin, pasi PD tashmë do të jetë pjesë e strukturave që do të luftojnë këtë fenomen.
Bilanci i Ramës
Kryeministri Edi Rama ka fituar datën e zgjedhjeve brenda një kufiri të lejueshëm ligjor, por ka vendosur të ndajë pushtet me opozitën. Nga kërkesa e opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve në vjeshtë, kryeministri Rama mundësoi që zgjedhjet të shtyheshin vetëm me një javë. Megjithatë, kryeministri Edi Rama, ka lëshuar shumë pushtet, por ka fituar Vetingun. Shefi i qeverisë ka sakrifikuar gjashtë ministra, pesë drejtorë të rëndësishëm, shtyrjen e zgjedhjeve me një javë, dy institucione të rëndësishme etj., në këmbim të votimit të institucioneve të Vetingut nga opozita. Po ashtu, kryeministri Edi Rama, i cili kishte përgjegjësinë kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje, ka fituar zhvillimin rikthimin e normalitetit politik dhe zhvillimin e një palë zgjedhjeve demokratike, jo vetëm me opozitën në zgjedhje, por me një opozitë e cila do të monitorojë nga brenga veprimtarinë e strukturave shtetërore.
Basha
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë tre ditëve të negociatave të ethshme, ka braktisur kushtet kryesore, mbi të cilat ngiri çadrën e ngujimit dhe shpalli Republikën e Re
Rama
Shefi i qeverisë ka sakrifikuar gjashtë ministra, pesë drejtorë të rëndësishëm, shtyrjen e zgjedhjeve me një javë, dy institucione të rëndësishme etj., në këmbim të votimit të institucioneve të Vetingut nga opozita dhe pjesëmarrjes së kësaj të fundit në zgjedhje.
Marrëveshja politike
Rama fitoi:
Datën e zgjedhjeve brenda një kufiri të lejueshëm ligjor
Votimin e Vetingut para zgjedhjeve
Rikthimin e normalitetit politik
Zhvillimin e zgjedhjeve me opozitën përballë
Rama lëshoi:
6 ministri të rëndësishme
5 drejtori kryesore
Drejtimin e dy institucioneve
Një zëvendëskryeministër teknik
Pezullimin e emërimeve në administratë me kontrata të përkohshme
Basha fitoi:
Garanci maksimale për zgjedhjet
Regjistrimin në zgjedhjeve dhe evitimin e daljes së PD nga skena politike
Propozimin e komisionerëve zgjedhorë
Propozimin e gjashtë ministrave teknikë
Propozimin e pesë drejtorëve kryesorë
Drejtimin e KQZ
Drejtimin e Avokatit të Popullit
Basha lëshoi:
Datën e zgjedhjeve: Nga kërkesa për shtyrje për vjeshtë në pranimin e datës 25 qershor
Kushtin për kryeministër teknik
Kushtin për votim dhe numërim elektrik
Shmangien e daljes së PD nga skena politike
Kushtin për ndryshimin e ligjit të Vetingut
Kushtin për ndryshimin e 6 ligjeve të tjera, pjesë të reformës në drejtësi
Pozicionet e palëve para se të arrihej marrëveshja
1. Marrëveshja e David McAllister
Shtyrja e zgjedhjeve deri me 16 korrik
Zëvendësimi i katër ministrave te kabinetit Rama me persona teknik të zgjedhur nga Rama dhe të aprovuar nga opozita
Zgjedhje me konsensus të Avokatit të Popullit
Kalimi i kryetarit të KQZ opozitës, por jo shumicën në KQZ
Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE për zgjedhjet, pjesëmarrje të OJQ-ve në gjithë këtë proces
2. Kushtet e Lulzim Bashës
Qeveri teknike me kryeministër teknik
Shtyrje të zgjedhjeve deri në muaj shtator
Votim dhe numërim elektronik i votave
3. Lëshimet e kryeministrit Edi Rama
Qeveri me disa ministra teknikë
Monitorim të veprimtarisë së shtetit
Monitorim të drejtorive arsimore
Monitorim të administratës së burgjeve
Monitorim të Policisë së Shtetit
Opozita propozon zëvendëskryeministrin
Propozon disa zëvendësministra
Shtyrja e zgjedhjeve brenda një kufiri të lejuar
Drejtimi i Komisionit të Qendror të Zgjedhjeve
Ndryshimi i krerëve të policisë
Ndryshimi i drejtorëve në sektorë të tjerë
Zbatimi i dekriminalizimit
Intensifikimin e luftës kundër drogës
Ndryshimi i Kodit Penal për rritjen e dënimit për krimet zgjedhore
Drejtimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (nëse PD humbet zgjedhjet)
Drejtimi i Avokatit të Popullit (nëse PD humbet zgjedhjet)
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com