Pakti politik, SHBA-BE marrin në
dorë zgjedhjet e qershorit

Pakti politik, SHBA-BE marrin në<br />dorë zgjedhjet e qershorit
Marrëveshja e pazakontë politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, zyrtarizuar ditën e enjte, përpos të tjera, rrit rolin e faktorit ndërkombëtar në kontrollin e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Referuar përmbajtjes së paktit politik, për herë të parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, nuk do të kenë thjeshtë rol vëzhgues, por do të kontrollojnë nyje të rëndësishme të procesit zgjedhor.

Konkretisht, sipas marrëveshjes, faktori ndërkombëtar do të mbështesë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të ekzaminuar kandidatët për deputetë, në përputhje me ligjin e dekirminalizimit. Për një kontroll sa më efikas të të shkuarës së kandidatëve, KQZ do të ketë një personel shtesë, ndërsa do të asistohet nga ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon mbështetje ndërkombëtare për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës. Mbështetja pritet të konsistojë si në asistencën me teknologji ashtu edhe me angazhimin e burimeve njerëzore në terren. Po ashtu, faktoi ndërkombëtar do të ofrojë mbështetje edhe për forcimin e monitorimit të listave të zgjedhësve, e cila ka qenë gjithmonë burim i pretendimeve të ndryshme të subjekteve politike për zgjedhjet. Ndërkaq, për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, qeveria dhe opozita do të jenë bashkëpërgjegjëse për standardet e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Madje, si për ironi, Partia Demokratike do të ketë peshën kryesore, pasi do të propozojë ministrin e ri të Brendshëm. Kjo ministri ka një rol të rëndësishëm për organizimin e zgjedhjeve. Për rrjedhojë, ndoshta për herë të parë, nuk do të ketë kontestime dhe interpretime të ndryshme për raportin e pritshëm të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit.
Ndërhyrja në legjislacion
Gjatë përpjekjeve epike për zgjidhjen e ngërçit politik, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, kanë garantuar Partinë Demokratike për rritjen e prezencës në Shqipëri, për të garantuar zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, legjislacioni në fuqi, limiton rolin e ndërkombëtarëve në procesin zgjedhor. Sipas kuadrit ligjor, garancia ndërkombëtare konsiston vetëm në rritjen e numrit të vëzhguesve gjatë fazave të procesit zgjedhor.

Në këto kushte, tre pikat e marrëveshjes politike, diktojnë një ndërhyrje në ligjin zgjedhor dhe ligjet e tjera, për të përfshirë SHBA-BE më thellësisht në kontrollin e aspekteve të rëndësishme të procesit zgjedhor, siç është verifikimi i të shkuarës së kandidatëve apo edhe kontrolli i listave të zgjedhësve. Mbetet për t’u parë nëse Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të propozojnë ndryshime në ligjin zgjedhor, për zbatimin e marrëveshjes apo pikat e paktit do të mbeten thjeshtë në një letër, e cila nuk ka asnjë fuqi juridike.
 
Marrëveshja
Marrëveshja e pazakontë politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, zyrtarizuar ditën e enjte, përpos të tjera, rrit rolin e faktorit ndërkombëtar në kontrollin e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.

Ankesat
Marrëveshja parashikon mbështetje ndërkombëtare për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.
 
Dekriminalizimi, veprimet që kryen KQZ
 
Veprimet e organeve kompetente kur verifikohen kushtet e ndalimit
1. Kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, në përputhje me këtë ligj, KQZ-ja kryen veprimet e mëposhtme:
a) Refuzon kandidaturën e personit, kur kushtet verifikohen para procesit të pranimit të kandidaturave, dhe i kërkon subjektit zgjedhor të interesuar të zëvendësojë kandidaturën brenda afatit të parashikuar për dorëzimin e kandidaturave;
 
b) Heq kandidatin nga kandidimi kur kushtet verifikohen para shtypjes së fletëve të votimit pa të drejtë zëvendësimi për rastin e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore apo për kandidatët
e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e njësisë së qeverisjes vendore;
c) Kur kushtet e moskandidimit verifikohen pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para shpalljes së rezultateve:
i) Shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje të personit që ka të drejtën e mandatit të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, mbi bazën e votave të marra;
ii) Shpall rezultatin për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, sipas këtij neni, për një kandidat që nuk është fitues, dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;
iii) Përjashton nga përllogaritja e mandateve kandidatin e propozuar nga zgjedhësit për këshilltar në këshillin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe përllogarit mandatet, duke përjashtuar votat e marra prej tij;
iv) Shpall fitues nga lista shumemërore kandidatin vijues në renditje dhe në përputhje me kuotën gjinore, si dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;
ç) Shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor;
d) Shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi përkatës, si dhe shpall mandatin në përputhje me këtë Kod, si dhe njofton Kryetarin e Kuvendit, në rastin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit, apo Kryeministrin, në rastin e kryetarit të bashkisë apo të këshilltarit bashkiak.

Masat / I hiqet mandati kush ka probleme me ligjin   
 
Dekriminalizimi, KQZ verifikim kandidatëve të PD gjatë fushatës
 
Listat e kandidatëve për deputetë të partive që janë regjistruar deri tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë kaluar në sitën e KQZ, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Por, Partia Demokratike dhe aleatët e saj ende nuk janë regjistruar në KQZ. Në bazë të marrëveshjes së re politike, partitë opozitare kanë afat deri në datën 26 maj. Report TV u interesua pranë KQZ–së për kohën që i nevojitet këtij institucioni për të kryer verifikimet e duhura nëse kandidatët e djathtë kanë probleme me ligjin. Të njëjtat burime sqarojnë se verifikimi i kandidatëve nis që në momentin që ato regjistrohen në KQZ, proces ky që do të vijojë edhe gjatë ditëve të para të fushatës elektorale. Në rast se nga verifikimi do të rezultojnë probleme në zbatim të ligjit të dekriminalizimit në këto lista të kandidatëve, KQZ i drejtohet institucioneve përkatëse për informacion, siç është Drejtoria e Burgjeve apo Prokuroria. Më pas, nëse ka kandidatë që janë në kushtet e pamundësisë për të garuar, atëherë atyre u hiqet mandati. Përpos kontrollit nga KQZ, kandidatët do të kalojnë edhe në një filtër paraprak nga partitë. Marrëveshja politika Rama-Basha parashikon që partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë mbi listat partiake. Ndërkaq, kryetari dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë zhvilluar disa ditë më parë një takim me kryetaren e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit, Gentiana Sula, për të parë mundësinë për verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë. Megjithatë, pavarësisht takimit, Autoriteti dhe KQZ nuk kanë asnjë bazë ligjore për të verifikuar kandidatët për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, kjo për arsye e thjeshtë se deputetët, gjatë shqyrtimit dhe miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve, kanë parashikuar që verifikimi mund të bëhet vetëm me kërkesë të vetë kandidatit.
 
Verifikimi  
Verifikimi i kandidatëve për deputetë nis që në momentin që ato regjistrohen në KQZ, proces ky që do të vijojë edhe gjatë ditëve të para të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Me lot në sy, babai i Martinit i bashkohet protestës para Ministrisë së Arsimit

Me lot në sy, babai i Martinit i bashkohet protestës para Ministrisë së Arsimit