Në rradhën e këtyre emrave janë Zef Barçia, At Pal Maria Parrino, Gavril Dara (plaku), Ndriz a Andrea Dara, Gavril Dara (i riu), Emzot Zef Crispi, Emanuel Bidera, Françesk Crispi, Nikollë Spata dhe Françesk Crispi Glaviano. Por cili qe aktiviteti i këtyre arbëreshëve të lindur e të brumosur në katundin Palac Adriani? Sdudiuesi Kolë Kamsi ka hulumtuar jetën e gjithëseicilit prej tyre dhe sjell detaje mjaft interesante.
Ad.Pe.
(Vijon nga dje)
…Katundi i Palac Adrianit ka qitun shum njerz të dijshëm e shkrimtarë qi janë marrë me lavrim të gjuhës shqipe, me mbledhjen e kangvet e të traditavet historike të trashigueme prej stërgjyshavet e me çashtjen shqiptare. Dahen në shêj:
Zef Barçia, i cili lindi kah mbarimi i shekullit të XVII. Prej tij na ka mbetë vetëm nji kangë didaskalike me pesë tetëshe të punueme në vjetin 1735 në nji shqipe të thjeshtë e të pastër.
At Pal Maria Parrino, doktor në theologji, lindi me 25 të kallndorit 1710. Pat për mësues ndër studime e në formimin shpirtnuer At Gjergj Guzzettën nga Piana e Arbreshvet, i cili, tue çmue kulturën e gjanë e zellin e veprimit të nxanësit të vet, e emnoi mandej Rektor të Seminarit Italo-shqiptar të themeluem prej tij në Palerm.
Shkroi dy vepra të mëdha në gjuhën latine të cilat kanë mbetë të pabotueme e ruhen në bibliotekën e Seminarit Kombtar: Perpetua e Albanensis Eçlesiae consensionis cum Romana omnium Maltre et Magistra, libri septem – Opus Historico – Theologicum in duas partes divisum, quarum altera Fidei disclipinae altera ultriusque Eçlesiae concensionem ostendit. Ad usum Seminari Siculo-Albani.
Da septem Eçlesiae Sacramentis ad mentem utriusque Eçlesiae Graecae atque Latinae, libri octo in quibus specimen quodam Eçlesiae disciplinae quae apud albanenses obtinuit, exhibetur.
Në dorëshkrimin e parë, qi âsht nji vëllim me gadi 800 faqesh, auktori shkruen me kompetencë mbi emnin Albania qi i âsht vû disa krahinave, tue u mbështetë mbi çka kanë thanë rreth këtij argumenti historjakët e gjeografët e moçëm; mbi zakonet shênjte e profane të Maqedonasvet e mbi historín e krishtênimit e të Kishës në Shqipni.
Vdiq me 3 Maj 1765.
Gavril Dara, plaku, lindi me 15 të Korrikut 1765 e vdiq me 19 Maj 1832. Këndimet e mesme i bani në Seminarin Italo-Shqiptar të Palermit e në ket qytet u laureu në mjeksi e në drejtësi.
Qe i pari qi filloi me mbledhun nga goja e pleqvet e të plakavet “kënkat e pleqërisë”. Ka hartue edhe disa vjersha në gjuhën shqipe ndër të cilat âsht shum e njoftun ndër Arbreshët e Kolonivet të Siqilìs kanga fetare e Shën Lazrit.
Ndriz a Andrea Dara, i biri i Gavrilit, lindi me 17 Maj 1796. Mësimet e para i kreu në Seminarin shqiptar e n’Universitetin e Palermit muer laurën në drejtësi. Vdiq me 2 Prill 1872.
Plotsoi përmbledhjen e kangvet të vjetra popullore qi kishte fillue i ati. Ka lanë këto shkrime të pabotueme:
“Fjaluer shqip-italisht e italisht-shqip” (Vocabolario albanese-italiano e italiano-albanese) të pasun me fjalë e me nji gramatikë të vogël;
Ungjilli i Shën Mateut – (il Vangelo di San Matteo) përkthye në djalektin shqip të Palac Adrianit;
Doke e zakone të Palac Adrianit – (Usi e costumi di Palazzo Adriano).
Gavril Dara, i riu, i biri i Andrè Darës e i Françeskës Dragota, lindi me 8 Kallnduer 1825.
Këndimet e mesme i kreu në Seminarin italo-shqiptar të Palermit ku menjiherë u da në shêj për hollësi të mendes, për zell e dashuni për studime letrare e per prirje prej natyre për hartin e poezis. – Mbasi kreu n’Universitetin e Palermit studimet e nalta e u laureu në ligjë, vojti në qytetin e Agrigjentit për t’ushtrue advokaturën nen drejtimin e ungjit të vet Nikollë Darës. Këtu muer pjesë në levizjet e ringjalles italjane si antar i Komitetit kryengritës t’Agrigjentit e me 1860 për meritime u emnue me dekret të Zef Garibaldit sekretar u përgjithshëm i Qeveris s’atij qyteti. Në vjetin 1862 u dergue si këshilltar i parë në prefekturën e Palermit, mandej me detyrë si nenprefekt në Bobbio, n’Aostë e në Lugo, e më 1867 u emnue prefekt i Trapanit. Me 1870, si e la ket detyrë për arsyena politike, shkoi në Romë e aty drejtoi për disa vjet (1871-1874) fletoren “La Riforma” ku u dallue edhe si gazetar.
Mbas pak vjetësh u kthye n’Agrigjent. Vdiq me 19 nanduer 185.
Gavril Dara qe letrar, poet, gazetar, kurist; u muer edhe me studime filozofije e me arkeologji. Malli i fortë për tokën e stërgjyshavet e nziti të punojë për lavrimin e gjuhës shqipe. I pajisun me nji kulturë të mirë historike e letrare i fali letërsis s’onë poemin e bukur “Kënka e Sprasme e Ballës”, qi u botue së parit me përkthimin n’italishtet të bamë nga vetë auktori në të përkohshmën “La Nazione Albanese” (1900-1902) e mandej më 1906 libër më vehte. Në ket poemth këndon kohët kreshnike të Skanderbeut e pasqyrohen traditat popullore t’Arbreshvet të Siqilìs. Ka lanë edhe të tjera shkrime, nji kangë fetare të Shën Lazrit e nji Fjaluer shqip-italisht (Vocabolario albanese-italiano) të pabotuem, ku krahason fjalët me greqishte e me latinishte. Ky poet përmendet edhe në poezin siqiljane të revolucjonit[1] për kangët me ndiesi të flakta atdhetare qi ka qitun ndër ato kohë të ringjalles.
Emzot Zef Crispi, familjen e të cilit Pouqueville e bije të rrjedhun nga Krispi[2], lindi me 10 Korrik 1781. Qe nji njeri shum i dijtun në gjuhët e vjetra klasike e sidomos në greqishten e vjetër. Në vjetin 1813 fitoi konkursin për katedrën e kësaj gjuhe n’Universitetin mbretnuer të Palermit. Qe Rektor i Seminarit italo-arbresh, famullitar i kishës, së ritit linduer në Palerm e për meritime u emnue ipeshkëv titullar i Lampsakut. Vdiq me 1859.
Ka shkrue disa vepra të çmueshme mbi gjuhën greqishte, të cilat i dhanë emën aq të madh sa qi dijetarët e Europës e quejtën “Princi i Elenistavet”[3].
Botimet e tija mbi gjuhën shqipe e mbi traditat e vjetra t’Arbreshvet të Siqilis janë:
Mendore mbi zanafillën e themelimin e Palac Adrianit – (Memoria sulla origine e fondazione di Palazzo Adriano) – Palermo – 1827.
Mendore mbi gjuhën shqipe – (Memoria sulla lingua albanese) – Palermo – 1831.
Vrejtje mbi historìn e Palac Adrianit – Osservazioni sulla storia di Palazzo Adriano) – Palermo – 1842.
Mendore historike të disa zakoneve qi i përkasin kolonivet greko-shqiptare të Siqilìs – (Memorie storiche di talune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia) – Palermo – 1853 – vepër e çmueshme pse përshkruen zakonet e darsmës, të lindjes e të vdekjes qi tashti janë shdukë. Ka mbrendë edhe disa kangë gojëdhanore. Në veprën e Leonardo Vigo-s “Canti popolari siciliani”[4] ka botue tekstin shqip të disa kangve lufte, dashunije e shenjte me përkthimin në gjuhën italishte qi ka bâ ai vetë e me nji ligjiratë paraprake mbi gjuhën shqipe.
Emanuel Bidera lindi me 4 dhetuer 1784. Studimet i bani në Seminarin italo-shqiptar të Palermit. I ati, Dr. Pjetër Athanas Bidera qe nji burrë autoritar e aristokrat. Emanueli i stolisun me ndiesi liridashëse u largue i ri prej familjes e në fillim kaloi nji jetë endacake deri sa me 1821 zu vend në Napuli ku rroi me t’ardhunat qi nxirte prej shkollës deklamimi qi kishte çilë, prej vepravet të veta letrare e prej melodramevet qi shkruente për muziktarin në zâ Gaetan Donizetti-n. Në Napul u njoft e zû miqsi me Hieronim De Radën.
Qe dramaturg, piktor, poet e shkrimtar – Ka botue nji vepër me titullin në ballë: Katërdhet shekuj – Kallzime mbi të dy Siqilìt nga Pelasgu Matneer – (Quaranta secoli – Raçonti su le due Sicilie dal Pelasgo Matneer) në të cilën gjindet edhe ndonji vjershë shqipe. Vdiq me 7 prill 1858.
Françesk Crispi, i biri i Tommaso Crispit e i Giuseppina Genova, lindi me 4 të tetorit 1818 në Ribera, në provincë të Gjirgjentit e u pagzue mbas ritit linduer prej nji meshtari arbresh qi erdhi mu për ket ceremoni nga Palac Adriani. Mësimet e mesme i kreu në Seminarin italo-shqiptar të Palermit ku e edukoi shpirtin me ndiesi atdhedashunije. Porsa u laureu në drejtsi nisi të botojë fletoren letrare “L’Oreteo”. Qe nji ndër prisa të rilindjes italjane e burrë shteti në zâ. Qyshë i rí u vû në krye të levizjes kryengritse. Në Palerm themeloi me 1848 fletoren revolucjonare “Apostolato” me kryefjalën frange nous marchon. Luftoi për të shlirue Siqilín prej zgjedhës së Borbonvet e për t’a bashkue me Mbretnín e Pjemontit. Në vjetin 1877 u emnue ministër i mbrendshëm; me 1887 qe kryeministër e për të dytën herë edhe me 1893. Mbahej kryelartë se ishte prej gjakut shqiptar. Kur u mbajtë në Corigliano Calabro, në vjetin 1896, i pari Kuvend gjuhsuer shqiptar, i dergoi Hieronim De Radës ket telegramë: “...Shqiptar me gjak e me zemër gëzohem për ket ndërmarrje, e cila uroi qi të jetë e dobishme për historin e qytetnimit shqiptar e për tërritun të letërsís së saj”. Në vizitën qi i bani me 18 kallnduer 1898 Seminarit italo-shqiptar, ku kishte marrë edukatën e parë, i porositi nxanësit qi të studjojnë gjuhën e letërsin shqipe. Në fletoren “Ora” të Palermit, (5 maj 1900 Nr. 14) në nji artikull qi mirrej edhe me çashtjen balkanike, kështu thotë për Shqipni: “...Shqipnija nuk âsht sllave, âsht nji komb qi ka nji përsonalitet të vetin, qi ka gjuhë e zakone të veta, të cilat përkujtojnë zanafillet pelasgjike...”
“...Shqipnija i ka të tana elementet për nji shtet të pavarun...”
Françesk Crispi vdiq në Napul me 11 të gushtit 1901.
Nikollë Spata (1821-1855) pat për mësues ndër studime qi bani në Seminarin Kombtar të Palermit, Emzot Zef Crispin. Ka lanë ket botim: Shenim historik mbi themelimin e përparimin e gjendjen fetare-politike të katër kolonive greko-shqiptare – (Cenno storico sulla fondazione, progresso e stato religioso-politico delle quattro colonie greco-sicule).
Pjetër Chiara lindi me 26 korrik 1840. I ati quhej Zef e e ama Maria Dara prej familjes së përmendun të Darajvet. Mësimet e para i kreu në Seminarin italo-arbresh e n’Universitetin e Palermit u diplomue në drejtësi. Qe nji njeri me kulturë të hapët klasike e plot zell veprimi. Ka lanë këto vepra të botueme mbi çâshtjen shqiptare:
Shqipnija – studim historik-politik – (L’Albania – studio storico-politico). Palermo 1869. Asht nji monografi e vjefshme për sendet letrare, linguistike, historike e politike qi ka mbrendë.
Epiri, Shqiptarët e Lidhja – Letra fletores “Riforma” – (L’Epiro, gli Albanesi e la Lega – Lettere alla Riforma) – Palermo – 1880. Ky liber ka nji varg letrash të botueme prej auktorit në vjetin 1879 në fletoren “La Riforma” qi dilte asokohe në Romë, në të cilin jep disa shenime politike, gjeografike e etnografike e çfaqë përshtypjet qi ka pasë n’udhëtimin e bamë më 1879 nepër disa vende të Shqipnis: Prevezë, Artë, Janinë, Gjinokastër, Tepelenë, Berat, Elbasan, Tiranë, Lesh, Shkodër.
Vepra mund të lexohet gjithnji me andë e me interesë pse jep nji pasqyrë të historis së zhvillimit e të përparimit t’idès kombtare. Ka bashkëpunue në revistën “Fiamuri Arbërit” të De Radës e ka hartue disa vjersha në djalektin shqip të katundit të vet. Vdiq me 11 kallnduer 1905.
Françesk Crispi Glaviano, i nipi i statistit të madh Françesk Crispit e i t’Emzot Zef Crispit, lindi me 27 qershuer 1852. Prindt e tij qenë Tommaso Crispi e Antonieta Glaviano.
Mësimet e para i bani me pagesë te Prof. Papas Giuseppe Granà prej të cilit studjoi klasikët grek, latin e italjan. Mandej vojti në Palerm e hyni në shkollën normale për të dalun mësues, por nuk mujt me i krye këndimet pse i vdiq vllau i vetëm e i u desht me kthye pranë familjes. Në vjetin 1883, i ngarkuem prej folkloristit të madh siqiljan Giuseppe Pitrè, mblodhi nga goja e popullit dy prralla e kund treqind fjalë t’urta, por të gjith proverbat nuk u botuen. I ushqyem me nji dashuni të flakët për atdheun e të parvet nisi të punojë për gjuhën shqipe. Ka shkrue e përkthye në djalektin shqip të katundit të vet shum vjersha, kangë e poemtha, qi kanë mbetë të pabotueme. Ka botue te revista “Fiamuri Arbërit” nji vajtim për vdekjen e Gavril Darës[5], të riut, e tri lirika, “Kjeni muskomend, Flamuri, Jasht Arbrit, te gazeta “Kombi” i Bostonit[6].
Në vjetin 1903 ka botue në të përkohshmën “La Rassegna delle letterature moderne” të Firencës përkthimin shqip të poezìs së U. Foscolo-s “Vorret”. Vdiq me 1 gusht 1931.
Praj klasës së bujqvet të pa shkollë janë për t’u përmendë kangatarët popullorë Jan Parrini, Lekë Suli, Vinçens Suli e Nikollë Suli, të cilët kanë lanë disa vjersha të vogla me subjekte të ndryshme qi kanë nji vlerë si dokumenta të gjuhës së folun nga banorët e Palac Adrianit.
K. KAMSI
Shënime:
[1] G. A. Cesareo: “La poesia della rivoluzione” - ligjëratë – Nji gazetar, Nino Cali di Falco, shkruen: “Un altro poeta, Gabriele Dara, alla vigilia della rivoluzione, nel 1849, lancia strofi turbinose ed infiammate con le quali incita, incuora scolpisce l’eroleo sacrificio di colui che muore per la patria, in una forma lapidaria e serena, in voli che s’allargano di là dall’ angusta cerchia regionale in cui era stata contenuta la poesia dei predecessori. Più tardi l’assedio di Messina dimostrò che questo poeta aveva veduto giusto e lontano”.
[2] Pouqueville – “Voyage de la Grèce” t. II. fq. 508.
[3] Pietro C______ - “L’Epiro gli Albanesi e la lega” – fq. 26 – “la dotta Europa concordemente salutò “Principe degli Ellenisti”.
[4] Leonardo Vigo “Canti popolari siciliani – Prej faqes 338 deri në 354: “Canti siculo – albanesi” testo e traduzione con discorso preliminare di Mons. Crispi – Catania – 1857.
[5] “Fiamuri Arbërit” – Vjeti III. Nr. 12 – 20 Prill 1886.
[6] “Kombi” Boston Mass – Vol. III. Nr. 75 – 21 fruer 1908.