Palac Adriani/ Katundi arbëresh që
u krijua para vdekjes së Skënderbeut

Palac Adriani/ Katundi arbëresh që<br />u krijua para vdekjes së Skënderbeut
Mbetet gjithmonë kurioze rruga që ndoqën arbëreshët për tu vendosur në jug të Italisë  pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe rënies së Arbërisë nën sundimin osman. Nga cilat zona të Arbërisë u shkëputën, cili qe rrugëtimi i tyre, ku u vendosën dhe çfarë gjurmësh gjejmë sot të trashëguar që nga ajo kohë? 
 
Ky shkrim mbi kolonitë arbëreshe në Jug të Italisë, specifikisht në Siçili, i botuar në vitin 1944 në revistën “Leka” ka një rëndësi të veçantë, pasi autori i tij Kolë Kamsi(nënshkruan në fund K.Kamsi) është një njohës i jashtëzakonshëm i kulturës dhe historisë së arbëreshëve. Siç shihet edhe nga botimi i revistës Leka, autori duhet të ketë botuar me vijime historinë e të gjithë fshtrave arbëreshe në Siçili.

Në numrin 9 dhe 10 të revistës Leka, të cilës i jemi referuar, pasi njoftohet se shkrimi vijon nga numri III i kësja reviste të vitit 1944, Kolë Kamsi boton historinë e fshatit arbëresh Palac Adriani, në provincën e Palermos.

Autori sjell fakte shumë kurioze rreth këtij komuniteti arbëresh, rreth origjinës prej nga kanë ardhur, duke botuar edhe dy dokumente shumë kurioze të vitit 1467, ku dokumentohet se këto katunde të arbëreshëve ishin krijuar përpara se Gjergj Kastrioti të ndahej nga jeta. Më poshtë e sjellim të plotë pjesën e parë të shkrimit të Kolë Kamsit, per ta vijuar në numrin e nesërm. Ad.Pe.    
 
Kolë Kamsi lindi me 23 shtator 1886 në Shkodër. Në historinë e kulturës kombëtare shqiptare njihet si një personalitet shkencor dhe letrar, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe, historian, filolog, folklorist, hartues tekstesh shkollore, gjuhëtar, përkthyes, prozator e fabulist, publicist e redaktor.

Ndoqi shkollën fillore e të mesme duke marrë diplomën në Shkollën Teknike Tregtare italiane në qytetin e lindjes. I vijoi, pra, me 1904 studimet në Kolegjën e Shën Adrianit, duke kryer me 1907 shkollën normale në atë qendër arbënore. Po atë vjetë emërohet mësues i gjuhës shqipe në Shkollën e Vlorës. Ndërsa më 1915-1916 emërohet drejtor kur çelet shkolla fillore për djem në Vlorë, dhe gjatë vjetëve të Luftës së parë Botërore boton disa libra për shkollat fillore (abetaren «Jeta e ré» që pati dy botime e nji botim të tretë të përgatitun, por të pabotuem; «Mësime përmbi natyrën» e antologjinë «Lulet e mendimit»).

Kolë Kamsi është autor i mjaft teksteve shkollore, si dhe bashkautor me Ndue Palucën dhe Ernest Koliqin,etj. Kola është autor i disa artikujve për zhvillimin e arsimit shqiptar, ndërsa është vlerësuar si një shkencëtar i shquar, veprimtaria kërkimore-shkencore e të cilit shtrihet në një periudhë 53-vjeçare (1907-1960). Kontributet e tij në studimet albanologjike janë të trefishta: në lëmin e gjuhësisë, të letërsisë e folkloristikës dhe historisë.  

Kolë Kamsi qysh heret pat fillue me dhanë ndihmesën e vet në fushën e folklorit, si mbledhës e si studjues. Kështu qe mis i rregullshëm i Institutit të Studimeve Shqiptare (1940), themelue prej Ernest Koliqit, e i Institutit Shqiptar për Studime e Arte (1944), president i të cilit qe Át Anton Harapi. Nji kohë të shkurtë punoi në Institutin e Shkencave në Tiranë (1948), Institut që kishte trashigue, përveç veprimtarisë, arkivin dhe bibliotekën e çmueshme albanologjike të Institutit të mâparshëm, tue qenë praktikisht vijim i tij. Kthei përsërí në Shkodër dhe me 1957 qe emnue pedagog i folklorit në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës. Dhe kryevepra e tij është veçanërisht fjalori arbëresh, i cili u botua vetëm pas 40 vjetësh. 
 
Kolonit e Siqilìs 
Katundi arbresh i Palac Adrianit ngrehet 696 m. mbi sipërfaqe të detit, ndërmjet malesh të nalta, e ndodhet 88 km. larg prej qytetit të Palermit.

Mbi themelimin e kësaj kolonije Gavril Dara shkruen: “Për shka kemi ndigjue prej prindvet t’onë, Shqiptarët qi ndërtuen në Siqili katundin e Palac Adrianit u shpërngulën nga Kruja, mbasi ra kjo mbas vdekjes së Skanderbeut, ndër duer të Turqvet, e nga qytetet e tjera qi ngjindën afër Krùs. Qenë dy mijë vetë; u nisën prej Lezhes e duelën në bregun e Catania-s, ku ndêjën dy vjet ndër shatorre e kasolle”.

Të tjerë studiues, të mbështetun gjithnji në gojëdhanë, e bijën themelimin e Palac Adrianit kah gjysma e parë e shekullit të XV, në nji kohë me dy katundet Kuntisa Entelina e Mezzojuso, prej familjevet të çetavet shqiptare qi vojtën në Siqili me Gjergj Reres-in. E kjo traditë, thonë, mund të besohet si e vërtetë pse:
1) të trija këto koloni e kanë të njajtë shqiptimin e djalektit shqip e jo ashtu si e flet katundi i Piana-s s’Arbreshvet;
2) e kanë zgjedhë për pajtuer Shën Kollin, i cili ka qenë pajtori i Derës bujare të Reres-vet.
Qi katundet arbreshe Kuntisa Entelina, Mezzojuso e Palac Adriani të jenë ndërtue në nji kohë, pak vjet përpara se të vdesë Kreshniku i Krùs, e provojnë edhe dy dokumenta historikë të Gjonit t’Aragonës, mbretit të Siqilis, të shpallun në Barçelonë me 8 e me 18 tetuer të vjetit 1467.
 
Në të parin dokument lexohet:
“Nos Ioannes dei Gratia Rex Aragonum, Siciliae Hierusalem Valentiae. 
Na Gjoni për hir të Zotit, Mbret i Aragonvet, i Siqilis, i Jeruzalemit e i Valencjes.
 
Per littera illustrissimi sunt Nicolaus Biderius Lascari et Costantinus Masrechius Castriota Epiri et Albaniae Reguli, strenui duces contra Turcas, Georgii Masrechii Castriota Scanderbegh consanguinei, quorum patres cum dicto Georgio Scanderbegh et eorum militibus, paucis annis praeteritis ex Albania transitantes pro conservatione Regni nostri Siciliae et totius Regni Neapolis ex Galicis Andavagensibus incursinibus magnopere adhibuerunt. Nunc Albania et Epiro a Turcis invasis, praedicti Nicolaus et Costantinus in nostro Regno Siciliae transeuntes eum nonnulis coloniis, illine habitare praetendunt.

Ideo confisi nos de eorum catholica religione, integritate, bonitate, prudentia ac valore et eorum magnam nobilitatem animadvertentes... etc.
 
Me letrat e të Përndritshmit Mbretit të Napulit, Ferdinandit, nipit t’onë, na qenë porositun Nikollë Bider Laskari e Kostantin Masrek Kastriota, princa t’Epirit e të Shqipnìs, prisa trima kundra Turqvet, farefis me Gjergj Kastriot Skanderbegun, etnit e të cilvet me të përmêndunin Gjergj Skanderbegun e me ushtarë të vet, disa vjet përpara, tue ardhun nga Shqipnija, ndihmuen shum për mprojtjen e Mbretnis s’onë të Siqilìs e të tanë Mbretnis së Napulit kundra sulmevet Galike-Angjoine.

Tashti, mbasi u pushtue Shqipnija e Epiri prej Turqvet, Nikolla e Kostantini të përmendun mâ sipri, tue kalue në mbretnìn t’onë të Siqilìs me disa koloni, duen aty të banojnë.
Prandej na, tue u mbështetë në besimin e tyne katolik, në nderin, në mirsin, n’urtìn e trimnìn e tue marrë parasysh fisnikìn e madhe të tyne... etj.
 
Në të dytin dokument thohet:      
Nos Ioannes Dei Gratia Rex Aragonum, Siciliae, Hierusalem, Valentiae, per litteras Illustrissimi Regis Neapolis Ferdinandi nostri nepotis erga nos commendati sunt Petrus Emanuel de Pravatà, Zaçaria Groppa, Petrus Cuçia, et Paulus Manisi Nobiles Albani sen Epirotae, strenui duces contra Turcas clarissimi et invictissimi Ducis Georgii Castriotta Scanderbegh Albaniae et Epiri Principis consanguinei aliique nobiles Albanenses qui in nostrum Regnum Siciliae transeuntes cum nonnullis coloniis illine habitare praetendunt.

Ideo confisi nos de eorum catholica Religione, integritaie, bonitate, prudentia ac valore as etiam eorum paupertate, et miseria dum omnia eorum bona in posse pessimorum Turcarum reliquerunt, usi sumus cum voto nostri Regii Consilii sancimus et liberamus omnes Nobiles Albanenses sive Epirotas qui pro refugio panperrime in praedicto nostro Regno venerunt de omnibus collectis impositionibus, gravitiis gabelliis et aliis in praedicto nostro regno impositis et imponendis, eorum vita durante tantum, et praesertim praedicti de Pravatà, Grippa, Cuçia et Mansi et aliorum qui eorum nobilitatem obstenderent.
 
“Na Gjoni, për hìr të Zotit, Mbret i Aragonvet, i Siqilìs, i Jeruzalemit dhe i Valencjes me letrat e të Përndritshmit Mbretit të Napulit, Ferdinandit, nipit t’onë, na qenë porositun Pjetër Emanuel de Pravatà, Zakari Gropa, Pjetër Kuçja e Pal Maneshi, Shqiptarë ase Epiras Bujarë, prisa trima kundra Turqvet, farefis me të Përndritshmin e të pamundunin Pris Gjergj Kastriot Skanderbeun, Princ i Shqipnìs e i Epirit, si edhe të tjerë bujarë Arbresh, të cilët, tue kalue në Mbretnin t’onë të Siqilìs me disa koloni, duen aty të banojnë.

Prandej na, tue u mbështetë në besimin katolik të tyne, në nderin, në mirsìn, n’urtìn e në trimnìn si edhe në vorfnìn e tyne e në mjerimin, ndërsa të gjitha pasunìt e tyne i lanë në zotnim të Turqvet shum të këqij, mbas mendimit të Këshillit t’onë Mbretnuer, dekretojmë e i lirojmë të tanë Arbreshët ase Epirasit bujarë qi për strehim erdhën shum vorfnisht në mbretnìn t’onë të përmendun mâ nalt, prej të gjitha pagesave, taksave, tatimeve e të tjerave të tashme e të përardhshme në mbretnìn t’onë të naltpërmendun, vetëm gjatë jetës së tyne e sidomos të përmendunit de Pravatà, Gropa, Kuçja e Maneshi e të tjerë qi do të dishmojnë fisnikìn e tyne”.
 
Nji pjesë e këtyne shtegtarve Arbresh zunë vend në katundin e Palac Adrianit, qi ndodhej asokohe i rrenuem nga luftat qytetore. Në ket fshat gjendet Malji Gropa, të cilit do t’i ketë mbetë emni nga Zakarija Gropa e nga pasardhësit e tij.

Mbas vdekjes së Skanderbeut e mbasi ra Kruja e Shkodra e me to gadi të tanë Shqipnija ndër duer të Turqvet, nji shtegtì tjetër familjesh shqiptare ra në vjetin 1482 në katundin e Palac Adrianit nen udhëheqjen e Gjergj Bonakasa-s, mbiemni i të cilit, vren Zef Schiro-i, âsht besue gabimisht prej disave si nji përkthim i mbiêmnit të vertetë Mirsp. Gjergj Bonakasa a Mirspia qe nji kryezot i Janinës.

Deri në vjetin 1482 Arbreshët kishin banue në katundin e Palac Adrianit pa pasë bâ asnji marrëveshje me shkrim me të zonë e feudit. Si e buerën shpresën për të kthye në Mamëdhè, ngarkuen Gjergj Bonakasa-n qi të rregullojë lidhnìt e tyne me pronarin Gjonin e II Villaraut, i cili, me aktin e notarìs të nenshkruem prej tij e prej Gjergjit me XVIII të majit 1482, u lëshoi Shqiptarvet krejt feudin me qyshke qi të ndertojnë shtëpija e të venë vëneshta e kopshtije “concedi a lu dictu Jeorgi et a tutti altri persuni voriano abitari lu dictu locu, tuctu lu dictu locu circum circa lu dictu castellu, a loru voluntati potiri edificari casi, vigni et iardini in lu dictu et territoriu di lu Palazzu predictu”.
Kah vjeti 1534 vojtën në katundin e Palac Adrianit disa bujarë të qytetit Korone, të cilët, në fillim ngrehën banesat aty ku gjindet ende sot nji udhë qi mban emnin “Via dei Coronei”.

Qi të mbahet gjallë ndër ta e ndër pasardhësit kujtimi i Arbënis e i katundevet prej kah u nisën e të ketë fshati i ri i Palac Adrianit nji ngjyrë shqiptare, u vunë disa vendeve e lagjeve emna shqip si p.sh.: Brinja, qi âsht nji tokë e gremisun përpara katundit; Fushja, e cila ndodhet në rranxë të Malit “Monte Rosa”, i cili quhej përpara “Malji i Trëndafilevet”; Honi, luginë ndërmjet malesh; Shkëmbi i rrutumtë; Pilja (pylli); Bardushi; Lazi; Zografi; Buba; Prroi i Nardit; Muzëkat; Prroi i Shtogut. Afër katundit gjinden Kroi i Petës, Kroi i Shanit ku shkojnë grat me la petkat. Nji rrugë deri vonë u quejtë “Rruga e madhe” e tashti thirret “Via Francesco Crispi”; por udha mâ e para e katundit mban emnin e Fatosit të Krùs “Via Skanderbeg” e sheshi “Piazzetta Skanderbeg”.

Familjet e vjetra shqiptare, shum prej të cilavet mbahen ende, janë: Bidera, Mazaraçhia, Cuçia, Dragotta, Spata, Petta, Lala, Masi, Dara, Licursi, Parrino (Prifti), Barcia, Bua, Sciales, Alessi, Leshi, Suli, Schirò, Stamati, Ciulla, Camizzi, Crispi, Lasi, Caliva, Carava, Buçola, Barbata, Rafti, Sirchia, Granà, Macaluso.

Në vjetin 1570 Palac Adriani ka pasë 3178 banorë e 4832 me 1798. Në vjetin 1901 pati 5197 frymë, por ndër këti pesëdhjetë vjetët e fundit popullsija âsht paksue pse shum familje janë shpërngulë n’Amerikën e veriut. Me 1931 ka pasë 4196 banorë e në numrimin e mbramë qi u bâ në vjetin 1936 ka dalë me 4162 frymë.

Breznija e moçme, qi âsht kah shduket, e flet djalektin e stërgjyshavet, por të rijt e soçëm nuk e dijnë e të pakët janë ata qi e kuptojnë. Në djalektin siqiljan, qi përdorë klasa e ultë, kanë hy fraza e fjalë shqipe, të cilat u përkujtojnë vendasvet gjuhën e të parvet. Në gojë të gravet ndigjohen këto namë në djalektin shqip: Vafshë e mos arshë; Vafshë e mos arshë si linja  ime e para; Vafshë ku gjeli ngë këndon dhe pula ngë kakarisën; Vafshë me di e arshë me katër; Vafshë e mos arshë dhe hëna e dielli mos të paftë; Të prufshin me paterica.

Se sa kryenaltë janë për fisin e vjetër të të parvet e sa për zêmër e kanë pasë Shqipnin e gjuhën e stërgjyshavet e provojnë në nji mënyrë të prekshme të ruejtunit e të ndjekunit deri vonë të disa dokeve e zakoneve si dhe rrasat përkujtimore qi gjindën në Kishën e madhe me epitafe në gjuhën shqipe. Këtu po qesim tekstin e dy mbishkrimeve qi lexohen ndër dy rrasa përkujtimore të familjes Dara.

Chetù prehen èshtrat/ te/ Gabriélit Dára/ Jatrùa i ùrt/ Burre i díscem mi te dìscemit/ Buλar i préindérm/ Sa èmeri vètme isc gne λevdi/ Sòsi dìtne te sprasme/ te XIX te mait/ MDÇCXXXII.
“Chetù escrate vètme/ Scpirti ne kiel/ te/ Frenkisches Dàra/ I scioki Ndriz Dàra/ e te biλte/ Gavrili, Coλa, Marùkia, Ana e Rina/ Te perλotem e te helmuam/ I vùn chete cujtim/ Te dite vedechies e saie/ XXII te calendòrit M D C C C L X V I.

Grat e kanë lanë veshën e vjetër kombtare e janë shdukë krejt zakonet e darsmës e të vdekjes; populli e kleri ushtron endé vetëm disa rite fetare.
Me 24 të qershorit, ditën e Shën Gjon Pagzuesit, vendasit, deri pak vjet përpara, shkojshin mbi Maljin e Trëndafiljevet e prej andej, tue u kthye kah lindja, kah vendet qi lanë stërgjyshat e tyne mbas luftës së mbrame qi banë me Turqit e në të cilën u mundën, këndojshin me nji melodi të përmallshme kangëzën e mergimit:
O moj Moré, e bukura Moré,

Tashti në ket ditë Kisha i përkujton për gjith vjet me nji përshpirtje Shqiptarët qi u vranë n’at luftë për atdhè.
Natën e Shën Lazrit, qi bije ditën e premte para së Dieles së Larit, burra e gra kishin përpara zakonë m’u sjellë nepër rruga të katundit e me shkue nepër dyer të zotnivet e të priftënvet tue këndue kangën shenjte të Lazrit. Nji burrë veshej në të bardha si Shën Lazri, me fytyrë të mbulueme e me kryq në dorë. Mbrapa qe ndalue qi të këndohej imni nepër rruga, por vetëm mbrenda Kishës e ndër familje.

Nji gojëdhanë e vjetër kallzon se të parët shtegtarë Arbresh, kur mbrrijtën te pylla e Palac Adrianit plot me sende të kushtueshme e me pare, por pa ushqime, të lodhun e të fikun uni, i u lutën fugurës së Zojës së Këshillit të Mirë, qi kishin marrë me vehte e vû në nji lis, për t’u ardhun në ndihmë. Zoja e bâni mrekullin e vet. Nji tingllim kumbonësh u ndigjue aty pari, e mbas pak kohe u panë disa qerraxhì me kual të ngarkuem. Arbreshët u duelën para e blenë prej tyne grunë, të cilin e ziene në pyll dhe e hangërn.

Në kujtim të kësaj dite, qi bije me 1 Gusht, Shqiptarët e Palac Adrianit dalin për gjith vjet në midis të rrugës e zien grunë qi marrin ndër fqij e mandej e ndajnë të ziem.
Në rrugën “Skanderbeg” gjindet nji qemer ku ruhet nji fugurë e Shën Mërìs, pse n’at vend, thotë gojëdhana, u ndalën familjet e para t’Arbreshvet qi ngrehën lagjen e Shën Kollit.

Për gjith vjet, të martën e Rrshajvet, bâhet në ket lagje nji kremte me proçesion të Shêjtit Sakramend qi del nga Kisha e Shën Kollit e siellet nepër rrugat e afërme.
Nji pjesë e popullsìs ndjek ritin linduer. Pajtori i katundit âsht Shën Kolli ipëshkvi i Mirës, në nderim të cilit të parët banorë Arbresh kanë ndertue nji Kishë të bukur ku ruhet Arka e Krygjës me nji Kryq mbrendë qi kanë sjellë me vehte Shqiptarët nga Shqipnija e qi janë shum të kushtueshme si vepra të vjetra arti të gëdhenuna me shum mjeshtri.
Në Kishën kathedrale, ndertesë madhshtore kushtue Zojës së Nuncjatë, përveç nji kuadri shum të vjetër të Zojës së Këshillit të Mirë, të pikturueme në kumash e qi prûni me vehte familja Bidera, gjinden edhe fuguret e Shën Vasilit, të Shën Gjon Krizostomit, të Shën Athanasit, të Shën Andout Abat, të Shën Mark Ungjilltarit, kuadra të punuem prej piktorësh të përmendun të Siqilìs.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit