Palimpsest kuptimesh në
tregimin e 1963 “Fyelli i Marsiasit”

Palimpsest kuptimesh në<br />tregimin e 1963 “Fyelli i Marsiasit”
Këtë shkrim për Dhimitër S. Shuteriqin, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare në shekullin XX, e fillova vetëm kur qeshë i bindur se mund t’i qasesha këtij autori nga një kënd i veçantë, se mund të zbuloja ndonjë mesazh të ri në nënshtresën e ndonjë teksti të tij, i cili nuk u ka rënë në sy studiuesve të dersotëm.

Teksti që do të jetë objekt i hulumtimit tim, titullohet “Fyelli i Marsiasit».

Për të kuptuar dhe për të nxjerrë në pah mesazhin e tregimit të mësipërm, atë do të përqas me poemën „Apoloni dhe Marsiasi” të poetit të mirënjohur polak Zbignieë Herbert (1924-1998), përkthyer në shqip Nga R. Çollaku.

Krahasimi midis tekstit të autorit shqiptar dhe tekstit të autorit polak nuk ka asgjë të sforcuar. Përkimet midis tyre zënë fill qysh me kohën e botimit të këtyre teksteve. Poema « Apoloni dhe Marsiasi » është botuar më 1961, në përmbledhjen « Studimi i sendit » të Herbertit, kurse tregimi « Fyelli i Marsiasit » është botuar më 1963, në përmbledhjen eponime të Shuteriqit.

Të dy këto krijime janë hipertekste, sepse ato janë mbështetur te një hipotekst, te miti i njohur i Marsiasit, të cilin Colette Annequin e paraqet kështu:

« Marsiasi është satiri që mbahet si shpikësi i cylës dyjare (ndërsa sirinksi, me një tub të vetëm, quhet « Fyelli i Panit »). Ndoshta ka qenë Athinaja ajo që ka hequr dorë prej saj, pasi kishte vënë re sesa e shëmtuar bëhej kur luante me të dhe kur i fryheshin bulçitë. Krenar për meloditë që luante me cylën dyjare, Marsiasi guxoi ta sfidonte Apolonin, i cili doli fitues me lirën e tij.

Ndëshkimi qe i tmerrshëm : Marsiasin e varën në një pishë dhe e ropën të gjallë… »

Përveç temës së përbashkët, tregimin e Shuteriqit dhe poemën e Herbertit i përafrojnë edhe rrethanat, në të cilat janë krijuar këto tekste.

Të dy këta autorë
kanë jetuar dhe kanë krijuar në njështet totalitar të tipit të diktaturës së proletariatit ku poetët dhe prozatorët u nënshtroheshin parimeve të metodës së imponuar të realizmit socialist, ku krijimtaria letrare ndodhej nën një mbikëqyrje të rreptë politike dhe ideologjike.

Pa dyshim, në analogjitë midis tregimit të Shuteriqit dhe poemës së Herbertit bën pjesë edhe mesazhi që përcjellin këto dy krijime. Adam Michnik-u, gazetar dhe kundërshtar i regjimit komunist, i cili e ka analizuar poemën « Marsiasi dhe Apoloni » në librin e tij « Historia e nderit në Poloni », arrin në përfundimin se Marsiasi është simboli i shpirtit të sfilitur, me hisen e tijtë dhimbjes e të vuajtjes.

Ai shkruan : « Mua më duket se kjo poemë sjell para së gjithash njëparalajmërim: çdo ide e përsosurisë së mishëruar qoftë kur ajo është Zoti ose Shteti, është diçka kërcënuese, sepse ajo shpie në totalitarizëm. »

Në një intervistë me Renata Gorczynska-n, duke iu referuar interpretimit që Michnik-u i ka bërë poemës së tij, Herberti thotë : « Përkundrazi, totalitarizmi që vjen nga fjala totus lind nga arroganca, e cila mëton të bëjë zap tërësinë e realitetit dhe së këndejmi të nxjerrë përfundime për fatin e tërë shoqërisë. Kjo gjëështë kriminale.»

Nga interpretimet që studiuesit polakë i kanë bërë poemës së Herbertit “Apoloni dhe Marsiasi », theksohet se ky krijim ka frymë antitotalitariste, sepse heroi i saj është një fyelltar, një muziknt i thjeshtë që guxon të sfidojë Zotin, prijësin e Muzave.Modelin e tij artistik, Apoloni e quan të paarritshëm dhe ua imponon arstistëve të tjerë. Të gjithë ata që synojnë të kenë individualitetin e tyre apo t’i kapërcejnë kriteret artistike të paravendosura prej tij, ai i quan rebelë dhe i dënon me vdekje:

„i lidhur fort pas një peme
i rrjepur me merak
Marsiasi ulërin
derisa ulërima t’i mbërrijë te veshët e lartë
prehet nën hijen e asaj ulërime.”

Protagonisti i tregimit të Shuteriqit që është njëkohësiht edhe rrëfimtar, është vetë autori. Në kohën e djalërisë, ai ka shkruar poemën „Fyelli i Marsiasit”:”Mbaj mend se, një ditë, pasi kisha lexuar nuk e di cilin poet të vjetërsisë, Homerin apo Virgjilin, m’u shkrep të shkruaj një vjershë për fyellin. Ia vura titullin „Fyelli i Marsiasit”.

Në dyluftimin midis satirit dhe perëndisë olimpike, tërë simpatia e rrëfimtarit -autor shkon për Marsiasin:”Më dhimbsej shumë ai fyelltar fatkeq i përrallave, të cilin e ropën të gjallë, sepse pandehu që mund t’i bjerë fyellit më bukur sesa Apoloni lirës.”

Simpatia shndërrohet në identifikim kur i ati i poetit të ri, i cili e pëlqen poemën e të birit, ia jep atë për ta gjykuar një poeti të përmendur të asaj kohe:”Pas ca kohësh, im atë ia tregoi „Fyellin e Marsiasit” një poeti shumë të njohur, një Apolloni. Ky e lexoi me kureshtë dhe dashamirësi, umendua pak e tha:”-Nuk është pa talent djali. Po ç’i duhet të këndojë për Marsiasin? Ç’janë tërë këto driada dhe hamadriada? Kështu shkruhej qëmoti. Sot, kështu nuk shkruan njeri.”

Në tekstin e Shuteriqit, opozicionit Marsias-Apolon, i shtohet opozicioni poet i ri (dubël i Marsiasit) – poet i famshëm (dubël i Apolonit).Ashtu si Apoloni olimpik që e detyroi jurinë t’i mohonte vlerat e muzikës së Marsiasit, edhe poeti-Apolon e quan të demoduar, pa vlerë krijimin e poetit tëri.

Që të dy, edhe autori-rrëfimtar që kishte qenë djalosh kur kishte hedhur në letër poemën e tij, edhe Shuteriqi dyzetetetëvjeçar që botoi tregimin me të njëjtin subjekt më 1963, mbajnë anën e Marsiasit. Ata janë kundër Apolonit që e nxjerr veten fitues duke caktuar një juri të njëanshme. Ata besojnë se satiri fatkeq kishte qenë po aq i talentuar sa perëndia:”…le ta lëvdoni sa të doni Apolonin, për mua edhe Marsiasi kishte kënduar bukur.”

Edhe në tregimin e Shuteriqit, perëndia Apolon përfaqëson mendimin totalitarist, sepse ai i dënon të gjithë ata që përpiqen të krijojnë një muzikë të ndryshme nga muzika e tij, por sidomos ata që kanë guxim të maten me të.Të këndosh më bukur sesa perëndia, ndryshe nga perëndia, përbën një faj të rëndë qëtë vë në rrezik jetën:”Bile thosha unë, ka të ngjarë që të ziun Marsias e ropën të gjallë, se mund të ketëkënduar edhe më bukur se Apolloni. Të tilla kohë kanë qenë. Kush mund të matej me perëndinë e arteve pa rrezik koke?”

Duke pasur parasysh rrethanat kur është botuar tregimi i Shuteriqit,nuk mendoj se është një interpretim i sforcuar të thuash seApoloni mishëron dogmat politike dhe ideologjike të asaj kohe, parimet prokrustiane të realizmit socialist.

Ndokush që mendon ndryshe nga unë, mund tëthotë se Dhimitër Shuteriqi ka qenë komunist dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për disa vite me radhë, prandaj interpretimi se në tregimin e tij „Fyelli i Marsiasit” ka frymë antitotalitariste, nuk qëndron. Këtyre detraktrorëve (vlerëmohuesve) të hamendësuar do t’u përgjigjesha me argumentet e mëposhtme:

1.Krijimet e një autori nuk i ushqen vetëm vetëdija, por edhe nënvetëdija e tij. I ngulitur qysh në kohën e djalërisë në trurin e Dhimitër Shuteriqit tëri, miti i Marsiasit nuk është shpëlarë dot nga doktrinat politike dhe ideologjike të mëvonshme.
2.Është një postulat i njohur, sipas të cilit vepra letrare mund të thotë diçka që autorit të saj nuk i ka shkuar në mendje në kohën që e ka krijuar.
3.Është në natyrën e miteve që të kenë vlerë shumëkuptimore (polisemike).Dihet se në epoka të ndyshme, mitet janë interpretuar në mënyra të ndryshme. Kjo gjë mund të thuhet edhe për studiuesit dhe lexuesit e ndryshëm të të njëjtës epokë…

Në fund të fundit, një gjë është e pamohueshme: poemae Herbertit dhe tregimi i Shuteriqit për Marsiasin janë botuar në një kontekst historik totalitarist. Që të dy mbajnë anën e artistit të thjeshtë që rrezikon jetën në emër të guximit krijues dhe i kundërvihen perëndisë që manipulon juritë, që përpiqet me dhunë e me ndëshkime të imponojë kriteret e tij për të bukurën, që bën edhe krime për të ruajtur hegjemoninë e tij në fushën e arteve.

Për këtë arsye, poema e Herbertit dhe tregimi i Shuteriqit përshkohen nga një frymë antitotalitariste që jo vetëm u bën nder autorëve të tyre, siç thotë Michnik-u për poetin polak, por është aktuale edhe sot, në kohën kur manipulohen juritë, në kohën e shoqërisë së spektaklit, kur shpallen fitues modelet e imponuara nga masmedia, nëkohën kur edhe fushën e letërsisë e të arteve bën ligjin diktatori më mizor: PARAJA!...
 
Fyelli i marsiasit
Autori: Dhimitër Shuteriqi
Tregime
Viti i botimit: 1963
Faqet e librit 252.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur nga aksidentet

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur nga aksidentet