VLORE- Sipërfaqja tokësore ku është ndërtuar kompleksi “Jon” dyshohet se është blerë me një shumë prej 800 mijë euro nga Xhafer Isufi dhe Xhuvi Sharxhi. Trualli ju është blerë anëtarëve të familjes Ndini në Vlorë, të cilët sipas verifikimeve e kanë përfituar tokën buzë detit, nga një vendimi i AKKP-së në vitin 1995.
Sipërfaqja ku është ndërtuar kompleksi “Jon” në Vlorë, është shitur me një çmim prej rreth 500 euro metri katror tek vjehrri i Lulzim Bashës, Xhafer Isufi dhe shtetasi tjetër Xhufi Sharxhi.

Të paktën kështu deklarojnë burime pranë prokurorisë së Vlorës, të cilat gjatë fazës së verprimeve hetimore të nisura ndaj drejtorit të urbanistikës në bashkinë e Vlorës, Odhise Zoto, kanë sekuestruar kontratën noteriale të bërë mes dy personave të sipërcituar dhe pronarëve të familjes Ndini në Vlorë, që pretendonin se kishin me dokumenta të rregullta pronën, ku është ndërtuar kompleksi. Duke ju referuar gjithmonë burimeve pranë kësaj prokurorie, mësohet se në total sipërfaqja prej 1663 metra katror e ndodhur në breg të detit, është shitur për një shifër që shkon përafërsisht rreth 800 mijë euro. Nuk dihet nëse pronarët e truallit kanë marrë për qindje në apartamente brenda kompleksit “Jon”, por sipas akuzës kjo nuk ka qënë objekti i hetimit të tyre.

Kthimi nga AKKP-ja
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se sipërfaqja tokësore prej 1663 metra katrorë, i është kthyer familjes Ndini, me një vendim të Agjensisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave. Vendimi është marrë në vitin 1995, dhe se në këtë sipërfaqe toke janë rreth 30 pronarë. Mirëpo pikërisht në kohën kur është kthyer ky truall nga zyrtarët e asaj periudhe, mbi këtë sipërfaqe ka ekzistuar shkolla 8-vjeçare që mbante emerin “Zenel Murra”. Në vitin 1995 kjo shkollë ka funksionuar dhe se ka pasur rreth 400 nxënës. Ndërkohë që në vitet 2000 në rrethana të paqarta, shkolla ekzistuese është prishur dhe më pas është transferuar në afërsi të shkollës tregtare në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Më tej, sipërfaqja e përfituar është kthyer në lulishte, por nuk kanë kaluar shumë vite dhe mbi lulishte kanë filluar punimet e ndërtimit të kompleksit “Jon”. Një veprim i tillë është kryer, pasi dy pronarët Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, kanë blerë truallin, një javë pasi prona prej 1663 metra katror është rregjistruar në hipotekën e Vlorës.

Avokati i Popullit
Dy përfaqësues të Avokatit të Popullit takuan dje banorët e kompeksit Jon. Vizita e tyre në Vlorë ka ardhur pas ankesës së bërë nga një banore e pallatit, i cili prej pesë ditësh është i rrethuar nga shiriti i sekuestros. Kanë marrë nga banoret kopje të dokumenteve ndërsa kanë dëgjuar shkurtimisht ankesat e tyre. Për veprimet abritrare të policisë dhe INUK të pretenduara nga banorët përfaqësuesit e avokatit të popullit premtuan se do të bëjnë verifikimet e duhura në institucionet përkatëse. Kompleksi “Jon” vazhdon të ruhet nga policia e cila lejon hyrjen e banorëve vetëm me karta identifikimi.

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)