I pozicionuar në një nga pikat më të lakmuara të Kanalit të Madh në Venecia, pranë koleksionit Peggy Guggenheim, Palazzo Ca’ Dario do të duhej të ishte një pronë ëndrrash për tregun imobiliar. Megjithatë, godina pesë-shekullore vazhdon të mbetet pa blerës, pavarësisht restaurimeve të fundit dhe interesimit të lartë nga agjenci prestigjioze.

I ndërtuar në fund të shekullit XV dhe i emëruar sipas pronarit të parë, diplomatit Giovanni Dario, pallati është një shembull i hershëm i Rilindjes veneciane. Gjatë shekujve ka strehuar aristokratë, tregtarë dhe figura të njohura të artit e kulturës. Në vitin 1908 u pikturua nga Claude Monet, ndërsa një vit më pas u përmend nga Henry James në shkrimet e tij për Italinë.

Palazzo Dario, 1908, nga Claude Monet

Megjithatë, pallati madhështor me nëntë dhoma gjumi, tetë banjo dhe sallone të mbushura me afreske ka rezultuar jashtëzakonisht i vështirë për t’u shitur. Dhe jo domosdoshmërisht për shkak të çmimit, i cili arrin në rreth 20 milionë euro. Pengesa kryesore është reputacioni i tij si “pallati i mallkuar i Venecias”.

Agjentët imobiliarë janë përballur prej vitesh me legjendat për disa pronarë dhe vizitorë që kanë gjetur fundin e tyre tragjik, në disa raste edhe të dhunshëm. Sipas rrëfenjave lokale, Palazzo Ca’ Dario lidhet me të paktën shtatë vdekje të parakohshme.

Më e përfolura daton në vitin 1970, kur pronari i atëhershëm, Konti Filippo Giordano delle Lanze, u vra brenda mureve të pallatit nga partneri i tij, një marinar që u arratis në Londër dhe u vra më pas edhe vetë.

Një vit më vonë, prona u ble nga Christopher “Kit” Lambert, menaxheri i grupit legjendar The Who. Edhe pse publikisht shprehej se nuk besonte në mallkime, Lambert u kishte rrëfyer miqve se flinte diku tjetër për t’u shpëtuar “fantazmave”. Banorët , gjithsesi, e lidhën rënien e tij në varësi nga droga, krizën financiare dhe vdekjen e tij në Londër në vitin 1981 pas një rënieje nga shkallët, me mallkimin e errët të pronës.

1769178867_2.jpg

Pamje nga brenda godinës

Në vitet ’80, Palazzo Ca’ Dario kaloi në duart e financierit italian Raul Gardini, i cili më vonë u përfshi në një skandal të madh korrupsioni dhe u vetëvra në Milano në vitin 1993. Që nga ajo kohë, legjenda u ushqye edhe më shumë.

Rrëfimet shkojnë përtej pronarëve. Thuhet se pallati u ka sjellë fatkeqësi edhe atyre që thjesht iu afruan. Tenori operistik Mario Del Monaco hoqi dorë nga blerja e pronës në vitin 1964, pasi u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik ndërsa ishte rrugës për ta vizituar. Ndërsa John Entwistle, basisti i grupit The Who, vdiq në SHBA në vitin 2002, vetëm një javë pasi kishte marrë pallatin me qira për pushime.

Pas kësaj periudhe, ndërtesa mbeti kryesisht e braktisur. Edhe pse arkitektura e saj ka tërhequr interes nga blerës të mundshëm, mes tyre edhe Woody Allen, reputacioni i errët besohet se i ka larguar.

Në vitin 2006, pallati u ble nga një kompani amerikane në emër të pronarit aktual, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Që atëherë, fakti që prona ka mbetur bosh ka ushqyer edhe më shumë tregimet për mallkimin.

Sot, pas një restaurimi të plotë, shitja i është besuar degës veneciane të Christie’s International Real Estate dhe Engel & Völkers. Në materialet promovuese, pallati përshkruhet si një “xhevahir arkitekturor”, me harqe gotike, llustra Murano dhe një tarracë loggia, i vendosur në një lagje të qetë të Dorsoduros, larg turmave turistike.

Ajo që nuk përmendet në broshurat e marketingut janë historitë tragjike që kanë ushqyer mitin. Sipas Arnaldo Fusello, drejtues në Christie’s në Venecia, venecianët kanë prirje të tregojnë histori, sidomos për turistët. Ai kujton se me shekuj në pallat kanë jetuar qindra njerëz që kanë arritur moshë të thyer, përfshirë vetë Giovanni Dario, i cili vdiq natyrshëm në moshën 80-vjeçare.

Historiani venecian Davide Busato thotë se thashethemet nisën në vitet ’70 dhe u përhapën masivisht pas vetëvrasjes së Gardinit. “Venecianët e përqafuan menjëherë historinë,” shpjegon ai. “Ata i duan rrëfenjtat dhe shpesh e ekzagjerojnë, siç kanë bërë edhe me ishullin Poveglia.”

Sipas Busatos, Venecia është plot me ndërtesa historike ku kanë ndodhur vrasje apo vetëvrasje dhe që sot funksionojnë si hotele luksoze. “Si çdo legjendë, edhe kjo e Ca’ Darios përzien disa fakte reale me shumë fantazi.”

Megjithatë, agjentët imobiliarë mbeten optimistë.

Fusello thotë se interesi ekziston dhe vjen si nga italianë, ashtu edhe nga të huaj. “Ky është një vend ku historia jeton,” thotë ai. “Dhe kush dëshiron të jetojë mes historisë, do ta gjejë këtu shtëpinë e duhur, mjafton të jetë i gatshëm ta mbajë këtë pronë gjallë” përfundon ai.