Helikopterë që fluturojnë mbi vatrat e zjarrit, efektivë që ngjiten në terrene të thepisura me zorrët e ujit në krah dhe ndërhyrje pa ndërprerje për të izoluar flakët. Këto janë pamjet e publikuara nga Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, që tregojnë nga fër operacionin e Forcave të Armatosura në përballimin e zjarreve që prej ditësh kanë përfshirë disa zona të vendit.

Sipas përditësimit të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, në Malin e Dajtit vijon operacioni me mbështetjen e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterëve të Forcës Ajrore, ndërsa aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Lufaj të Mirditës, në terren janë angazhuar dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe nëntë efektivë. Sipas autoriteteve, vatra është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Ndërkohë, në Fushë-Lajë të Pukës operacioni vijon me 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Operacionet vijojnë në një kohë kur terreni i vështirë dhe kushtet atmosferike e bëjnë ndërhyrjen ndaj zjarreve veçanërisht të komplikuar.

Edhe pse në Dajt, Mirditë dhe Pukë flakët nuk kërcënojnë aktualisht zonat e banuara, forcat mbeten në terren për izolimin e plotë të vatrave dhe për të shmangur riaktivizimin apo përhapjen e tyre.


Lajmi kryesor:

Zjarret/ Nga Dajti në Gurë-Lurë të Dibrës, ende 7 vatra aktive! Del jashtë kontrollit zjarri në malin e Tërbunit në Pukë!