Pamje të tradhtisë*

Pamje të tradhtisë*
Lexoj poshtë e lart se sekretari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, akuzon kryeministrin Berisha për bashkëpunim me shërbimet e fshehta të ish-Jugosllavisë (UDB). Me këtë rast, ai ka botuar edhe një dokument praktikisht të palexueshëm në faqen e vet në Facebook, ku pas gjase përmendet një S. Berisha si aset i zbulimit jugosllav në Tiranën e vitit 1987.
Kjo akuzë është aq e rëndë, sa nuk mund të bëhet në Facebook, por vetëm në kanalet përkatëse (denoncim në prokurori, etj.); meqë vetë mënyra si është paraqitur e diskrediton, madje e zhyt në gjiriz. Për fat të keq, kryeministri Berisha është tani duke korrur çfarë ka mbjellë, meqë stilin e përbaltjes së kundërshtarit politik me akuza sa fantastike, aq edhe të përbindshme, askush tjetër nuk e ka përsosur si ai.
Unë nuk jam në gjendje të shqiptohem për vërtetësinë e një akuze të tillë, por as më bën shumë përshtypje akuza për tradhti kombëtare, në një shtet shqiptarësh, ku krejt lufta politike zhvillohet përgjatë aksit patriot/tradhtar, në konfirmim të përshtypjes se ne mund të shkrepim pushkë kundër tjetrit dhe t’ia bëjmë një gjyq shpejt e shpejt para se ta varim në pemë, por politikë, në kuptimin modern të fjalës (modern – si të Athinës së Perikliut) nuk bëjmë dot.
Historikisht, progresi më i madh i shënuar në analet e përplasjeve politike brenda shtetit shqiptar që këtë vit feston 100-vjetorin e vet, ka të bëjë me evoluimin nga fjala tradhëtor, me nuanca të forta rilindëse, por edhe me jehonën intertekstuale të italishtes traditore dhe të operas romantike italiane të shekullit XIX, në fjalën tradhtar, që në strukturën e vet jambike ka diçka prej kamzhiku lëkure.
Në thelb, teatri politik shqiptar nuk e pranon dot, madje as e koncepton dot figurën e kundërshtarit politik; e vetmja mënyrë si mund ta trajtosh dikë që nuk bie dakord me ty, është ta hedhësh nga skena përjashta, ose ta përjashtosh nga pikërisht ajo dinamikë që të realizon edhe ty vetë, si palë të debatit, të ballafaqimit, ose të negociatës.
Me fjalë të tjera, e vetmja mënyrë si mund të komunikojmë me kundërshtarin, është duke e ekzekutuar – realisht, siç bënte Enveri dhe ndonjëherë më të rrallë edhe Zogu; ose simbolikisht, siç bëjnë këta të sotmit.
Pas një përplasje të rëndomtë, një nga të shumtat, midis kryeministrit Berisha dhe presidentit të Republikës Topi, Gazeta 55 nxitoi të nxirrte në faqen e vet të parë një të ashtuquajtur fotolajm, ku presidenti, i identifikuar me gjithë emrin e të jatit (njëlloj si Edvin Kristaq Rama), vihet krah për krah me tradhtarin antonomastik të mitologjisë kombëtare – Hamza Kastriotin.
Përtej kufirit shtetëror, por gjithnjë brenda kufirit ‘natyral’, në Parlamentin kosovar, akuza për tradhti kombëtare, si agjent i serbit ose i UDB-së, ka kohë që funksionon si monedha politike praktikisht zyrtare për çdo transaksion mes palëve.
Që zbulimet e huaja, veçanërisht ato jugosllave dikur dhe serbe sot, kanë asetet e tyre mes parive politike të Shqipërisë dhe të Kosovës, kjo nuk kërkon shumë mund për t’u marrë me mend. Megjithatë, inflacioni i akuzave për tradhti, në ariet e njëpasnjëshme të këtyre tenorëve të stonuar që kinse përfaqësojnë “popullin”, nuk bën veçse e zhvlerëson gravitetin e akuzës vetë. Tek e fundit, që nga momenti kur krejt paria politike e një vendi punon për këtë ose atë agjenturë të huaj (duke u shndërruar në një lloj asambleje rajonale ose, më gjerë europiane), atëherë tradhtitë kundërpeshojnë dhe eliminojnë njëra-tjetrën, duke na dhënë shumën zero.
Pa përmendur pastaj dyshimin tjetër, që sot ndër shqiptarë nuk bëhesh dot politikan, pa pasur diçka të tmerrshme në C.V., një histori tradhtish të përsëritura, ose raportesh homoseksuale të shumëfishta me ushtarë armiq, mundësisht me kafshë ose fëmijë të uritur, ose histori familjare me kanibalizëm; sepse promovimin do të ta bëjnë vetëm me kusht që të mund të bëjnë shantazh sipas rastit dhe dëshirës.
E megjithatë, kryeministri i vendit nuk mund të akuzohet për bashkëpunim me UDB-në, nëpërmjet një dokumenti të afishuar në Facebook; madje edhe sikur ai dokument vetë të jetë i vërtetë; meqë nuk do të kishte sukses më të madh, për një agjent hipotetik të UDB-së së dikurshme, që të përgatiste një ditë të tillë të zezë për Republikën.

*Marrë nga Peizazhe të Fjalës

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Këshilli NATO-Ukrainë takohet lidhur me sistemet ajrore për Kievin

Këshilli NATO-Ukrainë takohet lidhur me sistemet ajrore për Kievin